söndag 29 juli 2007

Simbolet si imazhe dhe arketipe në romanin “Alkimisti” të Coelhos
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj

Për të përplotësuar sa më efektshëm intencën letrare, autori zhvillon fabulën me narracionin linear dhe me një teknikë të sofistikuar poetike. Romani ka fabulë të rrjedhshme, e cila realizohet përmes procedimeve letrare mjaft të përpunuara dhe një sistemi artikulues prozaik modern, ku dallohen fuqishëm dialogjet lakonike dhe narracioni i gjallë, i rrjedhshëm dhe me shprehësi emocionale, elemente këto që bëjnë këtë prozë të lexohet me pasion. Elementet estetike konstituive të tekstit; narracioni dhe shtrirja kohore e narracionit, gjuha e gjetur figurative dhe shumëdomethënëse, bashkë me koherencën poetike, kodifikojnë karakteristikat e kësaj proze.



Jam aventurier në kërkim të thesarit tim - mendoi përpara se të humbiste në një gjumë të ëmbël”.

Paulo CoelhoPas leximit të romanit “Alkimsti” të shkrimtarit Paulo Coelho, nëse sintetizojmë dimensionet semantike dhe estetike, shohim se kjo referencë është paradigma dhe intenca e kryeheroit letrar të romanit “Alkimisti”, djaloshi nga Andaluzia e Spanjës, Santiago, i cili prish qetësinë e tij prej bariu, i tronditur nga ëndrra dhe niset drejt vendeve të panjohura, ku i është thënë se fshihet për të thesari. Por kjo është edhe intenca estetike-letrare e autorit. Në këtë rrugëtim ndesh njerëz të ndryshëm, përplaset me luftra, kalon shkretëtirën dhe sfidohet me shkëndijat e një dashurie. Me peripeci arrin tek vendi i paracaktuar dhe aty narracioni na kthen në fillim të romanit, sepse mësohet se të kërkosh thesarin nuk është e domosdoshme të ecësh shumë, por ai gjendet aty ku jeton. Pra, heroi i romanit ketë e gjen në kishën e Andaluzisë, në Spanjën e tij, aty ku më parë kishte qenë bari. Ky epilog është paradoks i romanit dhe esenca e dimensionit estetik dhe semantik të kësaj proze interesante, që është shndërruar në njërin ndër romanet më të lexuar të shekullit që lamë pas.


Paulo Coelho, narrator i madh, mjeshtër brilant i krijimit të fabulave interesante, ka një stil magjik të rrëfimit dhe një gjuhe atributive, me përplot simbole e figura retorike nga më të dendurat. Stili i tij i veçantë, lakonik dhe i zhdërvjelltë e vendos ndër autorët më të mëdhenj dhe me të admiruar të letërsisë së shek. XX dhe fillimeve të shek. XXI. Ky shkrimtar brazilian, nëpërmjet romanit “Alkimisti”, arriti të bëhej autor i dashur dhe me lexueshmëri rekorde në shekullin që lamë pas (sipas të dhënave të v. 2005 – mbi 32 mil. kopje të shit. – shën. i s.g.). Proza e Coelhos, përkatësisht romani “Alkimisti” ngërthen në vete aspekte specifike të ligjërimit letrar, aspekte këto që konfigurojnë një tekst shumështresor, me forma e realizime të shumëllojshme poetike. Këtë autori e ndërton përmes gjuhës së alkimisë, dhe trajtave të shumëllojshme stilistike. Aspekti tematik, i zgjeruar në aspektin e diskursit letrar, me futje empirike funksionale, janë karakteristika të prozës së Coelhos në shumë nivele letrare. Në dimensionin tematik, pra të përzgjedhjes dhe shtrirjes narrative të temës, autori referencë letrare, si parabolë dhe model ligjërimor, ka librin e madh biblik, nga i cili futen rrjete tekstesh, si diskurse e kode tematike, që shpërndahen në diskursin narrativ me një intencë semantike, por mbi të gjitha në funksion të ligjërimit dhe përmbushjes së plotnisë artistike të romanit “Alkimisti”. Në të vërtetë ligjërimi biblik mbetet element konstituiv i diskursit dhe i rrëfimit. Dhe, përmes këtij boshti, artikulohen tablo të gjëra e gjithëpërfshirëse të jetës së individit, të cilës autori i jep karakter universal. Kjo mënyrë e të shkruarit, bëhet dramatike dhe emocionale, sepse rrek së trajtuari dukuri komplekse, të cilat ndërlidhen me tema të mëdha për botën dhe njeriun si qenie e saj.

Paulo CoelhoPër të përplotësuar sa më efektshëm intencën letrare, autori zhvillon fabulën me narracionin linear dhe me një teknikë të sofistikuar poetike. Romani ka fabulë të rrjedhshme, e cila realizohet përmes procedimeve letrare mjaft të përpunuara dhe përmes një sistemi artikulues prozaik modern, ku dallohen fuqishëm dialogjet lakonike dhe narracioni i gjallë, i rrjedhshëm dhe me shprehësi emocionale, elemente këto që bëjnë këtë prozë të lexohet me pasion. Elementet estetike konstituive të tekstit: narracioni dhe shtrirja kohore e narracionit, gjuha e gjetur figurative dhe shumëdomethënëse, bashkë me koherencën poetike, kodifikojnë karakteristikat e kësaj proze. Këto elemente poetike-letrare, karakteristikë të theksuar kanë edhe një stil magjik narracioni, me diskurs të fuqishëm në përputhshmëri me gradacionin e romanit, që ecën në drejtim të intencës letrare, që lidhet me kompetentet e kërkimit dhe zbulimit. Kjo formë shkrimi ngërthen në vete një fuqi depërtuese të rrëfimit, ku pulson një potencë poetike e ndërtuar me mjeshtëri letrare, që ka për pikënisje heroin letrar, si bosht rreth së cilës rrëfehet që nga fillimi deri në fund. Përmes simboleve dhe arketipeve letrare, autori konstrukton një prozë me ngarkesa shprehëse e emocionale. Duke depërtuar në botën e brendshme të heroit, të psikologjisë së tij, autori përçon mesazhe e ide universale, ku vlojnë pasione e vrulle nga më të ndryshmet, ndjesime këto që kanë karakter universal ngase në ndjesitë e heroit ndeshim pasionet dhe vrullin më të thellë të qenies njerëzore, ku pikasen fate, dëshira e kërkime nga më të mistershmet, dukuri këto që marrin një ngjyrë të veçantë poetike në romanin “Alkimisti” dhe heroin e saj, djaloshin nga Andaluzia e Spanjës, Santiago.


Paradigma shumështresore narrative

Laboratori krijues i Coelhos ka diçka të veçantë, specifike, jo vetëm natyrën e shkrimit, botën e pasur imagjinatave dhe fiksionin e bujshëm, por edhe brumosjet e dendura estetike. Romani “Alkimsti” shquhet sidomos me gjetjet tematike dhe rrjetin e toposeve të gjerë, të larmishëm dhe universalë, si dhe artikulimit të tekstit përmes një gjuhe të brumosur e me zbukurime stilistike. Mbi të gjitha në këtë prozë, letërsia (dialogu, arti letrar) gjen pasqyrën e vetëidentifikimit. Nëpërmjet diskursit letrar mjeshtëror dhe një figuracioni letrar të zgjedhur, kurdoherë, prozatori me nam kërkon pa kompromis thellësitë e magjisë, aty ku vetëm alkimistët e pajisur me fuqi mbinatyrore depërtojnë, për të realizuar intencën letrare të simetrisë estetike e cila ndërlidhet me një intencë të proklamuar letrare nga autori, që del nga ky pasues: “Vepra quhet e përsosur vetëm atëherë kur qëllimi i saj është i arritur”.

Qëllim letrar, përsosmëria estetike, jo vetëm si intencë autoriale, kapin shtresime të ndryshme kuptimore e letrare në tekst. Me një stil të veçantë narracioni, autori arrin të ndërtojë paradigmën e letërsisë së simboleve, të përtejme, të tejkohëshme, që personifikohen në Alkimistin, i cili njeh magjitë e botes, misteret e paprekshme, pas së cilave ecin vetëm ata që kërkojnë thesarin e parapërcaktuar nga ëndërrimet.


Romani “Alkimisti” ka një mënyrë të veçantë të shtjellimit të fabulës. Kjo formë në dukje të parë paraqitet e thjeshtë, por në esencë ngërthen filozofi të thellë. Në roman ka një konglomerat eksperiencash, të cilat rezultojnë nga aspekte të ndryshme, që njeh kultura letrare e përtej letrare: në narracionin e romanit bashkëdyzohen elemente arkaike e moderne të narrativitetit, mite e interpretime religjioze, për t’u derdhur të “gjitha” në shtratin e fuqishëm narrativ të romanit, që lidhet me kryeheroin e romanit, djalin Santiago.

Paulo CoelhoAutori Paulo Coelho është njohës i mirë i simboleve. Këtë e potencon edhe në parathënien e romanit. Për të sforcuar diskursin simbolik të romanit, me mjeshtri inkorporon simbolin për Mitin e Narcisit, për këtë mit të mirënjohur, pastaj për traditën letrare e filozofike biblike, por, edhe kulturat e ndryshme religjioze, siç është ajo biblike dhe islame. Përmendja e referencës letrare të Oskar Ëajldit për mitin e Narcisit, që ndërlidhet me historinë e djaloshit i cili shkonte përditë të sodiste bukurinë e fytyrës në ujërat e liqenit. Magjepsja pas vetës një ditë e hodhi në ujëra dhe ai vdiq. Por pas vdekjes liqeni thotë: “Unë qava se, sa herë që ai shtrihej buzë bregut arrija të shikoja në sytë e tij bukurinë e ujrave të mia”. Fati i pasqyrës së thyer, si metaforë për shumëkuptimësinë e artit, tingëllon si një signifikacion letrar, i sugjeruar nga autori.

Duke lexuar letërsinë, njerëzit dashurohen e përhumben në thellësitë e saj, por edhe letërsia në njerëzit e sheh fizionominë e vet, peshën e vet të pazëvendësueshme. Është kjo një marrëdhënie mes kuptimeve e ligjërimeve, që ka një ndërvarshmëri të përjetshme. Përveç këtij aspekti, futja e këtij citati, duke shtresuar një aspekt intertekstual të tekstit, implikon po ashtu edhe një esencë letrare: kërkimin e magjisë letrare dhe dashurimin pas artit të shkrimit, përmes një rrjeti të komunikimit universal të shkrimit-kërkimit letrar.


Romani “Alkimisti” është prozë fiksionale. U tha se teksti është ndërtuar përmes simbolesh. Në roman simbolet shenjëzojnë karakter polisemantik. Për të shtresuar konotime metafizike, filozofike dhe religjioze. Autori duke inkorporuar dy komponente letrare: fiksionin, përballë tij vë simbolet letrare, si imazhe e arketipe letrare (Northrep Fraji). Romani duke u konstruktuar përmes simbolesh, tipesh e ariketipesh letrare-kulturore, mbase edhe përmes figurave kryetipore, si pjesë e diskurseve të mëparshme të njohura në kulturën e shkrimit letrar (Northrep Fraji) përmbush kuadrin poetik të narracionit, për të realizuar signifikativitetin e origjinalitetit krijues.

Alkimia dhe shpirti i botës si përceptim për të gjetur metafizikën e identitetit


Alkimia dhe shpirti i botës, që i lëvizin gjërat, është mistikja që i udhëheq njerëzit drejt idealeve sublime, që simbolizohen në gjëra të përtejme, të fisme; mbetet rrjet toposesh që lidhen me boshtin qëndror të temës së alkimisë së kërkimit. Këtë kërkim e bën një djalosh që është bari, ka jetë të qetë në vend të tij, por papritur goditet nga një ëndërr e cila ia trazon botën e brendshme dhe e hedh në rrugët e aventurave. Dhe në këtë rrugë mëson se:“Alkimistët janë njerëz të çuditshëm, që mendojnë vetëm për vete dhe kurrë s’dinë të japin ndimë. Kushedi, mbase kishin zbuluar fshehtësinë e Veprës së Madhe, Gurin Filozofik - i thotë personazhi sporadik që e shoqëron djaloshin gjatë rrugës për te Piramidat”.


Çka është në të vërtetë Alkimia, kjo filozofi që të bën të gjesh magjitë e botës. Ky mister filozofik, ka një interpretim letrar: “Alkimia nuk është tjetër veçse të dish të depërtosh në Shpirtin e Botës dhe të gjesh thesarin që ajo ka caktuar për ty. Kjo referencë komenton, parathotë esencën e një kërkimi, i cili motivohet nga një ëndërr dhe që “arsyeton” në esencë aventurën letrare, që niset nga një bari delesh drejt rrugëve të panjohura, nëpër vende të panjohura, nëpër luftra me rreziqe të njëpasnjëshme, për të realizuar qëllimin që ia parapërcakton ëndrra pas së cilës ai ec, edhepse shpeshherë duket se ecja e tij është fare e kotë. Në dilemën e madhe narrative, autori ndërton një tërësi esencash letrare, që predominojnë rrugën e kërkimit: historia vetjake e sugjeruar mbetet paradigmë e narracionit dhe paradigmë e rrugëtimeve të personazhit, deri në cakun e fundit, ku është i fshehur thesari i cili i është thënë në ëndërr, si sygjerim.

Esencat e tjera letrare që përbëjnë “shenja letrare” mbeten Filozofia e Jetës, Shpirti i Tokës, Shpirti i Botës. Duke sygjeruar se: çdo njeri ka një histori vetjake të veçantë, personazhi hedhet në krahët e një aventure të çuditshme, që i zbulon fshehtësitë e botës, për të gjetur, kërkuar thesarin e lumturisë. Në këtë dimension semantik, Coelho me mjeshtëri e dije të thellë filozofike bredh nëpër shekuj për të ndërtuar heroin e kërkimit të thesarit. Është kjo filozofia që buron nga Historia Vetjake e çdo njeriu, në rrugën e lumturisë, përmes identifikimit të rrugës deri te caku; historia vetjake, ecja pas asaj që thotë zemra, guximi dhe njohja e thellë e metafizikës, mbase edhe aspektet religjioze, janë ato tipare që personazhin e hedhin nëpër furtuna të ndryshme, me një zhvillim përplot dramaticitet, që përjeton ngritje e rënie, por që në fund arrin cakun, edhepse i rrahur keq në fund. Fundi i romanit kthen lexuesin paradoksalisht në fillim. Dhe ky mbetet një ndër misteret e këtij romani. A ka nevojë të kërkohet Thesari i Çmuar në dhera të largëta, ndërsa atë e ke aty ku gjendesh? - duket se pyet autori.


Rrjeti intertekstual i tekstit

Linda Hacion, një ndër përfaqësuesit e kritikes postmoderne, shkruan se: "Vepra letrare nuk mund të konsiderohet origjinale; pra edhe nëse është origjinale, ajo megjithatë nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi për lexuesin e vet. Çdo tekst, kuptimin dhe sinjifikativitetin e merr vetëm si pjesë e diskurseve të mëparshme...”


Romani “Alkimisti” konstruktohet përmes referencave letrare, filozofike e religjioze si paramodel letrar e kulturor, të traditës kristiane dhe hebraike të shkrimit letrar.


Personazhi letrar, Santiago, bari delesh. Kjo implikon dy figura me prejardhje biblike: Jezusin si kryetipin e bariut të mirë (Northrep Fraji) dhe delet që personifikojnë një grigjën e tij.Përkundrazi: Barinjtë kanë qenë të parët që e njohin një mbret për të cilin pjesa tjetër e njerëzimit s’deshi të dijë”. Po ashtu, futja e këtij pasuesi implikon barinjtë, figurë që ndërlidhet edhe me aktin e mirënjohur kur barinjtë shkojnë te Shpella pas lindjes së Jezu Krishtit, shpëtimtarit të botës. Më tej, për të sforcuar këtë soj diskursi letrar autori në roman, një segment me rëndësi narrative ia mvesh figurës së bariut dhe deleve, që në kontekstin letrar sikur implikon (na imponon të parafytyrojmë) Krishtin dhe grigjën e tij. Është kjo teoria e formësuar nga dijetari i letërsisë Northrep Fraji, i cili analizon simbolet, përfytyrimet e arketipeve në rrafshin e lidhjes zhanrore, që ruan teksti në qenësinë e tij me modelet e mëparshme letrare.

Futja e citatit nga shkrimi biblik në fillim të romanit, si trajtë intertekstuale e fillimit të narracionit, ndërlidhet fuqishëm me esencën e tekstit letrar, me atë që konceptohet intencë letrare e statusit të romanit. Dialogu i famshëm i Jezu Krishtit me dy motrat, Martën dhe Marinë në shtëpinë e tyre ku Krishti qëndronte si mysafir, në të cilën Marta ngarend pas punëve, ndërsa Maria ulet te këmbët e Jezusit dhe dëgjon, në mënyrë implicite na zgjedh dilemën e personazhit, që mes jetës baritore dhe ëndrrës (si simbolikë e përtej asaj që i ofron jeta) zgjedh ëndrrën dhe shpërblehet, ngase kësisoj ajo ka zgjedhur pjesën më të çmueshme të jetës, duke ecur pas arsyes së zemrës. Është kjo arsye që nuk “njeh” arsyen. Është kjo një simbolikë konceptuale që inkuadron edhe diskursin biblik si shenjëzues tipologjik të esencës së romanit. Rrjeti intertekstual i tekstit niset qysh në fillim të romanit përmes Ungjillit të Llukës: takimit të Jezu Krishtit me dy motrat, në të cilën Maria zgjedh pjesën më të rëndësishme që nuk do t’i “merret”. Ajo gjeti thesaret magjike të fjalës, duke lënë anash punët e botës konkrete, të cilat i mveshën Martës, e zënë me punë konkrete

Ëndrra si lojë narrative

Paulo CoelhoPo ashtu ëndrra që çuditërisht e shpie në krahët e filozofisë së jetës, shtreson paratregimin për ëndrrën si sistem letrar të letërsisë: ëndrra i parathotë personazhit të udhëtojë nëpër botë, në kërkim të thesarit të botës, i cili fshihet në një vend të largët, në të cilin ky për të shkuar duhet të bëjë një përpjekje, të ec nëpër shkretëtirë. Pas shumë dilemave e trazimeve të brendshme, personazhi nis udhëtimin. Për të shkuar te caku në Egjipt, atij i duhet të kalojë shkretëtirën, të ndeshet me rreziqe te njëpasnjëshme. Futja e shkretëtirës në roman ka status të veçantë letrar, konotacioni i së cilës natyrshëm mund të marrë domethëniet e vështirësive për të shkuar deri tek realizimi i ëndrrës, çfarëdo qoftë ajo. Kështu në një udhëtim të mbushur me përplot sekuenca të veçanta letrare, personazhi ecën në drejtim të Piramidave të Egjiptit, aty ku i është parathënë të është thesari i paracaktuar për të. Gjatë rrugës autori ndeshet me një plak të çmendur, ëndrrën e së cilit vendos ta bëjë realitet. Pas peripecive të shumta, luftrave dhe një dashurie në Shkretëtirë, arrin qëllimin për të parë Piramidat dhe vendin ku ishte Thesari i shumëkërkuar i lumturisë. Por Santiago, vetëm në fund e kupton se të gjesh thesarin e jetës, nuk është e nevojshme të shkosh shumë larg. Ngase gjërat e bukura që formësojnë konceptin e thesarit të lumturisë gjenden në vendin tënd, aty ku jeton.
Dymijë vjet më parë, në një vend shumë të largët që këtej, vërvitet në një pus e pastaj dhe shitet si skllav një burrë që besonte shumë në ëndrra.

Autori me mjeshtri artistike, personazhin, bariun Santiago, e shndërron në hero të përmasave të mëdha letrare duke i dhënë status të alkimistit kërkues, hero aktual i gjitha kohërave. Hero letrar të admiruar dhe prototip i kërkuesit të paepur, identifikim i ecjes pas lumturisë; i njeriut që dëgjon zërin e zemrës, kundrejt zërave tjerë, i njeriut të pathyeshëm në kërkimet jetësore dhe në ideale.


Në procedimin letrar autori inkorporon ëndrrën si një element konstituiv të tekstit, përmes futjes së lojës intertekstuale dhe diskursit letrar përshkrues, që njeh statusin e arkitekstit biblik. Në fakt, futja e ëndrrës si element konstituiv të tekstit letrar dhe ndërlidhja e saj me gjeografinë e lashtë të Egjiptit, fut lojën intertekstuale të ëndrrës së Jozefit biblik të Testamentit të Vjetër, me nuanca të konvertimit të lojës narrative: analogjia duket të jetë e presupozuar. Dhe simbolika e autorit thellohet kur ndërlidh simbolikën e thesarit të çmueshëm, që sjell lumturinë njerëzore. Në këtë lojë letrare, simbolet formësohen përmes një diskursi letrar që njeh paramodelin: interpretimi i ëndrrës nga një plakë, pastaj dy gurët e fatit, takimi me mbretin, rënia në varfëri dhe mbetja në shkretëtirë, janë të gjitha pjesë simbolike të romanit.


Ëndrra, shpjegimi i tyre, rrugëtimi, shkretia, alkimisti: këto në esencë përbëjnë fusha të rëndësishme të proveniencës biblike, ëndrra ndërlidh me ëndrrën e Jozefit, rrugëtimi me rrugëtimin e popullit të Izraelit (popullit të zgjedhur), shkretia simbolizon mëkatet dhe alkimisti, shpëtimtarin që arrin të bëjë triumfin e historisë vetjake.

Elementi i dytë e i rëndësishëm, që endet deri në fund në zhvillimin e romanit, paraqet ëndrra dy herë radhazi për një thesar të fshehur në Egjipt te Piramidat. Ëndërr kjo që pasohet me takimet e djalit me ciganen, e cila i sygjeron të niset në rrugën e kërkimit, me plakun, me mbretin.


Nga ëndrra djali kalon në shoqërinë e lindjes, në të cilën futen ndërlikimet e ”misionit të tij” në rrugën e kërkimit të thesarit të lumturisë.


Kjo lumturi kurdoherë ka qenë objekt veprash letrare. Por autori i madh i shekullit XX dhe XXI depërton në skuta të errëta të psikikës njerëzore, duke i kundruar këto në këndvështrim të një raporti që ndërton relacione: aksi i parë i këtyre relacioneve mbetet empiria e njeriut (në këtë rast e personazhit me shenjëzimin djalosh, por që vetëm në fund të romanit arrijmë ta kuptojmë se ai është Santiago), me kërkesat e fshehura në skutat e çdo krijese për të arritur në gjëra më të larta, më sublime.


Djaloshi është bari. Është i lumtur me jetën me delet e tij. Fillon të dashurohet në njërën nga vajzat e tregtarit. Por papritur sulmohet nga ëndrra, e cila e shporrë tutje botës së tij prej bariut, për të kërkuar diçka më të thellë, që është e ndërlidhur me esencat jetësore, që vijnë nga thellësitë e shekujve, që shpie në aventura të paparashikuara. Kjo formë e narrativitetit si esencë zhvillohet përmes një rruge të gjatë që realizohet në kohë dhe hapësirë.


Pas kësaj, elementi tjetër që paraqet rëndësi në konstruktimin e fabulës së romanit është pengesa në Saharë, inkorporomi i anglezit dhe ballafaqimi me luftrat e fiseve në shkretëtirë, në të cilat ai ndesh pengesat e rrezikshme. Po këtu lind edhe magjia: Alkimisti e vë përpara djaloshin drejt qëllimit final. Ai edhepse dashurohet në Fatimen, nuk arrit të ndal vrullin e zemrës së tij që kërkon thesaret, pa marrë parasysh vështirësitë, sakrificat. Në shkretëtirë, djaloshi kupton shumçka nga bota e njeriut: përjeton trandjet e para të zemrës për të kuptuar dashurinë, këtë dhunti njerëzore, të komunikojë me shpirtin e botës, që identifikohet me dashurinë në rrugën e çudibërjeve të shumta. Është magjike fuqia e dashurisë, ashtu siç është magjike edhe rruga e personazhit për të qenë vetvetja, në vetëidentifikim përmes shenjës letrare të konceptuar me mjeshtri si Histori vetjake. Çdokush ka këtë histori, por ja që çdo kush nuk e arrin.

Kërkimi si semantikë letrare dhe qerthulli i lumturisë estetike drejt identitetit


Romanin “Alkimisti” e karakterizon elementi i kërkimit, i kërkimit përtej konkretes, që ndërlidhet me përsiatje metafizike, kur e kurë etike, filozofike (duke i hibridizuar) edhe religjioze, rrafshe këto që ndërtojnë estetiken e tekstit. Kjo formë e narracionit ec në kërkim të qerthullit të lumturisë, Gurit Filozofik Çudibërës, identitetit e identifikimit, shenja këto që bëhen përmes shenjave dhe sistemit figurativ estetik.


Gjithçka në roman, çdo lëvizje është e përpunuar me mjeshtëri dhe zhvillohet si e këtillë me dramticitet letrar drejtë intencës së fabulës dhe idesë qëndrore: arritjes së qëllimit jetësor dhe kthimit prapë në identitetit. Autori sikur thërret për kërkime, kërkime të pakufishme, por në fund sugjeron tiparin shenjëzues, që djali e gjenë në kujtimet e jetës baritore dhe në kishëzën e vogël ku i ruante delet, para se të shihte ëndrrën dhe të niste aventurën e kërkimit për Qypin e Artë. Në roman, përveç idesë së kërkimit, autori në rrafshin tematik ndërton idenë e mosdorëzimit të njeriut deri në jetësim të qëllimit, pa marrë parasysh sfidat, provokimet në këtë rrugë.

Narracioni i romanit zhvillohet përmes të ashtuquajturit narrator të gjithëdijshëm. Gjithashtu, dialogjet lakonike dhe përshkrimet, realizohen në kuadër të asaj që vepron dhe ndjen personazhi si hero i narrativitetit. Këtë autori e bënë përmes një diskursi në shprehje dhe me një origjinalitet e rrëfimi.


Në dialogun me personazhin Plaku, Santiagos ai i thotë se: Gjëja më e rëndësishme për ty është se ti ke dalë të përmbushësh Historinë Vetjake. Ky luftëtar i dritës ka përmbushur intencën e kërkimit të thesarit dhe ka zbuluar identitetin e tij. Autori kështu sintetizon intencën e tij letrare dhe përmbush fiksionalitetin simbolik të prozës së tij.


Po e përfundojmë këtë tekst me një mendim sintetizues të përkthyesit Nonda Varfi:Letërsia që shkruan Coelho është letërsi fluide dhe vetë Coelho është një autor fluid, i cili frymëzimin e merr nga një vepër madhore, që është Bibla, si parabolë dhe të gjithë romanet kanë në fillim citime nga Bibla. Pra, stili i tij është në dukje një stil biblik, por që mundohet të përcjellë një mesazh parabolik”.