söndag 29 juli 2007

Kënga e dritës (पोएजी)

Kënga e dritës
Ndue Ukaj


Asnjëherë s'i kam besuar errësirës, kjo nuk është lojë fjalësh as simbol surealist
arti i tyre është dekor si pudër kurvash...
dhe çdo ditë e më pak art, brohoritet furishëm Zoti nuk ekziston
nga turma të humbura në epshin e kohës,
brohoritet e dashur: Zoti është i yni, ta vrasim Zotin e të tjerëve - sa trishtim e dashur
fëmijë të përdhunuar, vrasje të gjithfarshme: motive të mbytura në shikimin e verdhë
e apokalipsia nuk është gati - megjithatë duhet ta sfidojmë
do të triumfojmë e dashur, tash mbylli sytë, bota po pushon në atë shikim...


Ç'është lumturia e të shkruarit shpirti im?
Më thuaj me plotë gojën, lëre heshtjen mënjanë,
Nëse jo zgjatim i kujtesës, sipas Hose Luis Borgesit,
Apo prehje me vetën dhe për vetën në terrin e zi të vetmisë së thellë,
ku nuhaten të fshehtat e universumit me gjuhën e të pathënave,
me të pazakonshmet e ruajtura nëpër magje të gatuara me makth
O Zoti im, arti i shkrimit imagjinata e përtej lumit të heshtjes
Kohët i vret me shikimin e Judës
E dashur, koha e lumit të heshtjes është trazuar,
Murmurinë në mua zhurma, furtuna
Tani po përgatis nisjen time drejtë majës, së kodrës së dashurisë,
është e lartë për hapat e vegjël
aty përthyet arti i të shkruarit me lakuriqësinë e natës,
me gratë e picëlluara ofshamat mbytëse
Me metaforat e gjalla që gjëmojnë rrufeshëm rreth kodrës.
Nuk mund të fshehët asgjëkundi,
Qyteti i ngritur në maje mali,
Si dishepull bindur në fjalë e në dritë, ec drejtë dritës,
I bindur se në fillim ishte fjala e fjala ishe në njeriun,
Prej saj u bë çdo gjë e pa të nuk u bë asgjë.

Shpirti im, s'më bën dot punë qyteti i zhurmës,
E sheh në maje qytetin me ngjyra,
Të rrethuar me strofulla ujqish që uturijnë lemeritshëm,
Gjarpërinj e krimba të mëdhenj,
Erë e qelbur që kundërmon vdekshëm.
Shpirti im, kjo është rrugë e shoqëruar me kujtime të shkruara e të pashkruara,
me këngë të zorshme për zërin e çjerrën
Më duhet të nxitohem: ta përqafoj fortë kohën që s'e njoha,
Të mësoj për ato që s'i përjetova
Qiriun e errësirës mbaj me duart e mia të rënda
Në ballin e djegur ku sfiliten - bëjnë betejë fjalët
Hahen metaforat me ironitë e dehura përgjakën, bien përtokë
Luftojnë njëra-tjetrën s'e durojnë dot
As nuk e kam idenë të iki nga dritat, e dashur,
Edhe pse është larg, me kilometra, me orë, muaj, me vite.
ndoshta shekuj ka: çfarë domethënë kjo për një varg
që ec me krahët e vetëtimës, me fuqinë e tërmeteve,
Pas shtatë fushave e pas shtatë maleve, duhet të ec
Qyteti i dritës është i rrethuar me gjemba që t'mbijnë në misht',
Me gjarpërinj e perandorë të ruajtjes së krimit,
Aty pranë e dashur kanë strofullat e tyre të pabesët, tradhëtarët,
Diktatorët që çirren tërë ditën e lume për demokraci,
Kontrastet e botës shihen si në pasqyrë të thyer
Kurvat dhe kurvarët, aty janë dhe shtëpitë e panumërta publike... s'ka libra, art,
bordele me ngjyra të gjithfarshme ku derdhen epshe të pagdhendurish.
Ka mes tyre mite, të trasha sikur pluhuri nën këmbët e mia,
Ka legjenda, të shumëzuara si sperma e kurvarëve,
Ka pudër laviresh që kremosen përvuajtshëm
pas çdo dehje seksi e mashtrimi, për të përhumbur gjurmët
Është rrugë e gjatë, e lodhshme e duhet ecur nëpër të.
Ngritjet ramjet kanë emra të gjithfarshëm, interpretime të përçudnuara.
S'ka rëndësi, ecja ka qëllimin e vet.

Tash më duhet të marr frymë thellë,
të heq të vjellurat nga barku im i stërmbushur me pluhur, sepse:
Rrugës e dashur ndodhet edhe Kopshti i Edenit, gjarpri i kuq, Kulla e Babelit,
Eva e lakuriqësuar si asnjëherë më parë, e dëlirë,
e bukur, shtathollë, sybuzëgazë, e epshme për kafshim
Pema e Thatë shpirti im dhe romani im me këtë motiv s'duhet të jetë rrugës me ne.
O, ku ishe ti, shpirti im i dëlirë, të m'i kujtosh mrekullitë e shkrimit,
Narracionin e pandalshëm në lumin e artit, lumi rrjedh dhe ka qëllimin e tij.
Se ndal dot rrjedhën, s'ndalet as nga barrikadat e mendjes së cunguar,
as nga rrezet e diellit që të pjekin,
as nga toka e djegur, shkrumb e djegur për ujë ku pjekën mendimet tona.
Oh, e dashura ime, të kam lodhur në qetësinë e lumit të dashurisë
Me prologun e lodhshëm të metaforës së keqe,
Megjithatë të lutem, ke kurajo të më dëgjosh:
Rrugës që kanë për të kaluar këto vargje,
Mund të jetë strehuar në ndonjërin kënd të vetmisë,
edhe një pjesë e ndryshkur e historisë së qenies sonë,
Më duhet ta prek, edhe pse kundërmon qelbësirë
Mos u merakos, birit tonë Luisit asgjë s'do i ndodh
Është imunë ndaj të palarave, pluhurit e pabesive
Ndaj urisë e miteve të gjithfarshme,
Është imun shpirti im
Edhe ndaj diktatorëve e strofullave të panumërta me ujq.

Oh e dashur, dëgjoji dhembjet e mia të vjetra e të reja,
Dëgjoje klithmën e lemeritshme të artistit mistik, OH!
Dëgjoje lahutën e artistit që rri si qiell hijerëndë mbi ne
Dëgjoji të rrahurat e damarëve të tokës nga eshtrat e artistit
Me të cilët u ushqyen qenë... qenë të çmendur e perandor të vrasjes.
Arti i tyre është dekor si pudër kurvash
Dëgjo e dashur, një rrebesh i pafundmë po na sillet rreth kokës,
Më duhet edhe njëherë të ndalem, të marr frymë thellë,
Të lë mënjanë biografitë e trasha me gjak
Sepse zgjohen zogjtë nga foleja e qetësisë e na bëjnë zhurmë,
Të kthehemi tash te pylli ynë i fshehtësive,
Aty i kemi armët: vargjet, bukën, metaforat e trasha me ironi,
E pra, tash gjërat do marrin kahje më të perfeksionuar,
Më duhet të flas shumë, të këndoj më duhet,
Është koha jonë, në universin tonë ka aq shumë vrasje,
prishje të klimës globale, ka e dashur përçudnim të moralit,
Dhe çdo ditë e më pak art, brohoritet furishëm Zoti nuk ekziston
nga turma të humbura në epshin e kohës,
brohoritet e dashur: Zoti është i yni, ta vrasim Zotin e të tjerëve - sa trishtim e dashur.
Fëmijë të përdhunuar, vrasje të gjithfarshme: motive të mbytura në shikimin e verdhë
E apokalipsia nuk është gati - megjithatë duhet ta sfidojmë.

Andaj e dashur duhet të lëviz busullën e metaforës së përmbysur
drejtë majës së qytetit mbi kodrën e dashurisë. Dhe ki mendjen e përcill vargjet;
Kjo poezi, nuk ka sy, por i duhet të shohë vëmendshëm
Kjo poezi nuk ka gojë, por i duhet të flasë shumë
Kjo poezi nuk ka veshë, por i duhet të dëgjojë edhe ato që nuk thuhen,
dëshirat e heshtura e të panjohura,
Kësaj poezie nuk i shkon zëri, melodi përcjellëse nuk ka,
I duhet të këndojë, përtej shtatë palë kodrave e maleve duhet të dëgjohet,
E dashur, ditët po përplasën njëra për tjetrën,
Unë bëjë udhëtimin tim me libra, art e dashuri,
Luisi, ynë bir le të flejë në ëndrrat e lojës së ujërave të pafundme, s'ka asnjë arsye të brengoset,
E pra, e sheh, ditët kalbën, kundërmojnë qelbësirë,
Hidhërimin e Akilit më duhet ta mposhtë,
Ka kohë për të pabëra të shkruhet,
Kam shumë rrugë për të bërë,
Ende jam në hapin e parë, do të ec me këmbët e të shpejtit Akil
Me vete kam ndjenja të përgjakura,
Mendime të kafshuara nga egërsitë e kohës,
Kujtime që prodhojnë ten vdekjeje, frikë, ikje,
Kjo është bibla e pashkruar në trajtat e Ferrit,
Asgjë s'më bën të kuptoj si kalohet në Purgator,
Madje asgjë s'më bën të kuptoj ku është dera e Parajsës e dashur,
Me terrin hahem, hahem sa fortë përleshëm shpirti im.

Kuptoje betejën time, të lutem e dashur kuptoje
Më duhet të mësoj rrugën e Dantes, ai bëri rrugën më të madhe në botë.
Tash dëgjo vëmendshëm e dashur: në portën e Parajsës s'ka roje.
Marr frymë thellë dhe përleshëm me terrin hahem sërish, s'e dua asnjëherë.
Kemi luftuar e dashur me shekuj me terrin e padrejtë.
Ti s'pajtohesh me mua, terri është qetësim i shpirtit,
Shtrat i epsheve tona, më thua e dashur, s'ka metafora,
s'ka narracion as fabula për artin e dashurisë
Unë të puth butësisht... qetësisht dhe më duhet të them,
Më le mua të ec në dritë e dashur, dua ta kaloj këtë udhëtim nëpër dritë.
Asnjëherë s'i kam besuar errësirës, kjo nuk është lojë fjalësh as simbol surealist
E dashur, para se të nisemi me hapat e parë,
Gjarprin tek pragu i shtëpisë mos e shkel,
Ec si një balerinë mbi lëkurën e tij, ai s'do të të kafshojë,
kështu i përvijohesh tradhëtisë, pemës së vdekjes
Pas disa hapash e gjenë pemën e jetës
Gjithsesi nisja jonë duhet të kalojë nëpër kronika të shumta,
Na duhet të mësojmë shumë gjëra,
misteret e panumërta që ruan "bibla jonë e heshtjes",
Gjithsesi mua më duhet të kuptoj të pakuptuarat e të pathënat,
të pashkruarat dhe enigmën që më cytë drejtë malit të shenjtë
Si ndodh që për besim ndaj Zotit, Abrahami të provojë vrasjen e të birit...
Oh e dashur, sërish më duhet të ndalem,
Një çikë pauzë më duhet, është rrugë e gjatë, frymëmarrja ime është paksa e lodhur,
më duhet të përshkoj shtatë palë kodra, male,
pyje përplot bishash të shumta, rrugë të boshatisura nënash të devijuara,
T'i përgjigjem pyetjes: ku e gjeti Abrahami besimin
për të vrarë djalin (vetëm për besim ndaj Zotit)?
Kohët puqen, herë puthen e herë urrehen
Në kohën e paemër baballarë vrasin e armë gjëmojnë,
O Zot ç'përfytyrim i trishtueshëm.
Më ngjall makth e dashur, ç'oqean i madh gjendet para meje e dashur.
Më duhet ta kaloj në këmbë.
Si mos të trembem nga stuhitë e detit, tërbimet e përbindëshave të tij,
nga valët që puthen natën me qiellin.

Koha ec me shpejtësi e dashur, koncepti i kohës më ka përbirë
në ujëvarën e metaforave, të armatosem duhet nga pabesitë e kohës,
dvarrësi e ideale, rrënuesit e poezisë.
Prandaj e dashur të jam përberë të mos ecim nëpër terr, nuk ka besë.
Ora po puthitet, këmbanat e kishës rrahin,
ta ndezim një qiri për të shpëtuar dashurinë e dashur,
E sheh si rrënohet çdo ditë, në të katër anët sulmohet
Të kurorëzojmë vetën dhe bashkë me të: dashurinë dhe udhëtimin tonë.
O Zot, sa pak Don Kishotë ka bota e sa shumë që ka nevojë për ta,
për diell të zi nuk kemi nevojë, s'kemi syze për t'mbrojtur sytë - do thoshte miku im poet.
E dashur, kryeprifti na thërret për kremtet e lumturisë, duhet të gjunjëzohemi e dashur.
Të rrëfehemi para vetës dhe identitetit tonë.
O shpirti im, e sheh ka mjegull duhet të shtrihemi në lumin e gjumit tonë,
Të mos e trazojmë për asnjë sekondë të nesërmen,
Dielli sapo të lind do të nisim pelegrinazhin tonë,
Rruga është e gjatë ne jemi bashkudhëtar të erës,
Do të triumfojmë e dashur, tash mbylli sytë, bota po pushon në atë shikim,
Unë përleshëm me metafora hahem me terrin e zi,
Nesër sapo të hiqet mjegulla, të bjerë rrezja e parë mbi dhe
Nisemi që të dy në përqafim, si pelegrinë...
Qyteti në maje të malit na pret me padurim,
Është qytet imun ndaj akullit, sëmundjeve, të ikim tash.