fredag 27 juli 2007

Ideniteti civilizues dhe shqiparet

Identiteti civilizues dhe shqiptarët


-- nga Ndue Ukaj
( Bishtënim deri në skajshmëri ndaj fakteve historike )
"Lufta e ardhme asht lufte e djalerise shqiptare kundra anmikut ne zemer te vet, asht lufte mendsie krijuese kundra anmikut destruktiv, asht lufte botekuptimi drite kundra nje botekuptimi errsine, asht lufta e okcidentalizmes shqiptare kundra orientalizmes shqiptare" - shkruante dijetari i madh i viteve të 30-ta Krist Maloku në eseun "Oriental apo Okcidental", në periudhën kur ishte bërë Shqipëria, por duheshin bërë shqiptarët. Ky pasues i cituar, i kontekstualizuar në debatin Qosja - Kadare kap konotacione reale, ngase prek deri në palcë esencën e polemikave. Ky shkrim i dijetarit Maloku është reflektim ndaj debateve të shumta që bëheshin në shtypin e kohës rreth problematikës shqiptare, veçanërisht të aspekteve orientuese civilizuese, në të cilin debat kontribuan shumë autorë (Konica, Koliqi, Merxhani, Noli, Koca, Maloku etj.). Rezultat i këtyre autorëve... kemi trashëguar një mendim të emancipuar për përkatësinë kulturore e civilizuese shqiptare.
* * *
Së fundmi, opinioni shqiptar është përfshirë nga polemika Kadare-Qosja. Ky i fundit me një shkrim, të botuar edhe si libër: "Realitet i shpërfillur - Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar", hapi debatin e ashpër për identitetin shqiptar dhe përkatësinë civilizuese shqiptare. Pas kësaj pat sa e sa shkrime dhe opinioni u nda në dyshë: oriental e oksidental. Përderisa Ismail Kadare, figurë kjo ndërkombëtare, përmes sprovës "Identiteti europian i shqiptarëve" mbron me konsekuencë mendimin se shqiptarët në gjitha aspektet kanë identitet europian, Qosja me një diskurs retorik, në esencë, pa ndonjë shqyrtim të argumentuar synon të barazpeshojë veten me Kadarenë, duke synuar një anë tjetër të identitetit shqiptar, që na qenka aq sa perëndimor, po aq edhe lindor, aq sa oksidental, po aq edhe oriental. Domethënë sipas Qosjes, identiteti shqiptar qenka ambiguist, jounik, e çka jo tjetër. Në këtë vorbull diskutimesh, çudi është mospërmendja, nga ana e Qosjes e identitetit serbo-sllav te shqiptarët, mbase edhe të ndonjë identiteti tjetër, që do të na dilte rezultat i hapjes së shqiptarëve nga bota, sidomos kur kihet parasysh fakti se në Kosovë sot punojnë më shumë se njëzetmijë perëndimorë, të cilët mund të lënë ndonjë gjurmë identiteti. Ajo çka nuk përligjet as nga historia, as nga kultura shqiptare, as nga letërsia, synon të merr përligjje nga Qosja. Duke tentuar të krijojë një "mozaik" në identitetin shqiptar, ky autor hap rrugë që nesër në kulturën shqiptare të kanë të drejtë të njëjtë, gjithë ata që kanë preferenca për defilues që lënë ndonjë gjurmë nëpër hapësirat shqiptare, të kërkojnë të njëjtën pjesë të identitetit. Pse jo edhe proserbët! Kjo është ironia më e thellë që mund t'i bëhet trajtimit të identitetit shqiptar.
* * *
Në thelb të polemikës qëndron pikërisht pyetja nëse janë apo jo shqiptarët europianë? Duke kundërshtuar idetë e Kadaresë, jo me kundraide, siç do të duhej të polemizohej, autori zgjedh një rrugë tjetër, atë të apologjetit të muslimanizmit, jo vetëm në planin kombëtar, por edhe me gjerë, kur sulmon Presidentin Amerikan Xhorxh Bush etj.
"Nuk mund te mos mendohet se tani kur, si pasoje e fundamentalizmit islamik, te tejshkallezuar mbas pushtimit amerikan te Irakut, eshte rritur disponimi kundermysliman ne disa vende perëndimore; kur kryetari Xhorxh Bush ben mobilizimin politik te krishterimit; kur emri i profetit Muhamed dhe fjalët islam, mysliman, xhami, shkaktojnë sendisje ne mjedise te ndryshme perëndimore; kur, si thonë studiues, po kthehet epoka e konflikteve midis krishterimit dhe islamit dhe e kryqëzatave; kur disa politikane shqiptare ne Kosove e quajnë politikisht te leverdishme per karrierën e vet te ndërrojnë fenë; kur, si pasoje e sjelljeve shpërfillëse te disa politikaneve shqiptare ndaj dinjitetit te fesë myslimane, gjithnjë e me shume shqiptare myslimane ne Kosove dhe ne Shqiperi ndihen te diskriminuar, ja, tani, Ismail Kadare pandeh se i ka ardhur çasti i dëshiruar qe te dëgjohet për disa oktava me lart zëri i tij, me pare i pëshpëritur, kundër identitetit mysliman, ne te vërtetë kundër perberesve myslimane ne identitetin e përbashkët, te përgjithshëm, historik, te shqiptareve!" ("Realiteti i shpërfillur" i Rexhep Qoses, gazeta "Shqip", Tiranë). Po të lexohet vetëm ky pasues, do shihet mllefi allaqosjan, që shpërthen me një mëri të papërmbajtur ndaj çdo gjëje që frymon perëndimore. Kështu niset turr në sulm ndaj Kadaresë, me fjalëformime, që s'shërbehet në asnjë segment, me të dhënat që dalin nga historia dhe kultura jonë për identitetin shqiptar, por me stil gazetaresk, me terma që synojnë të jenë bombastikë, përpiqet të sulmojë idetë europiane, jo vetëm të Kadaresë, por edhe të gjithë shqiptarëve. Çështja e identitetit të shqiptarëve dhe përkatësisë civilizuese, në shkrimin e Qosjes, bëhet pre e një dëshire të autorit, duke iu bishtnuar deri në skajshmëri fakteve dhe të dhënave. Autori në asnjë aspekt nuk ndërton relacione mes kulturës e identitetit, për të nxjerrë pastaj qëndrime të caktuara, por, në emër të komunitetit shqiptar musliman, turfullon mllef ndaj oponentëve të tij, që tash i personifikon me Kadarenë.
Në fakt, keqkuptimi e Qosjes për identitetin shqiptar (Piro Misha) ka një histori. Ai është rezultat i shumë tendencave të tij të vazhdueshme, për të krijuar në opinion hapësirë manovruese politike, që nisën me një shkrim të publikuar më parë, ku sulmon Institucionet e Kosovës për vendosjen e portretit të Humanistes më të madhe të njerëzimit, Nënës Terezë dhe të Papa Gjon Palit II në zyrat e Institucioneve të Kosovës. Në këtë shkrim, Qosja akuzon edhe qeveri perëndimore, sidomos atë Italiane me mllef ta papërmbajtur, aspak intelektual dhe shumë kundërthënës, prapavijat e së cilës të bëjnë të dyshosh për çfarëdolloj tendencash, prej atyre që kanë parashenjën në problemet e sotme ndërkombëtare. Në të vërtetë, ata që njohin sadopak realitetin shqiptar, e kanë të qartë se kjo polemikë, ose më mirë të thuhet ky mllef i autorit të kësaj polemike, ka në vete edhe një histori dhe parahistori: buron nga mllefi i pashfrenuar e tij ndaj Presidentit Ibrahim Rugova dhe dështimeve të tij të herëpashershme në jetën politike karshi Rugovës.
Kjo fushatë mediatike e Qosjes ka një parashenjë edhe në studimet e tij, tashmë të demoduara, që për kulturën shqipe, por edhe për kritikën letrare; në përgjithësi për studimet letrare, paraqesin minimumin e vlerave të mundshme. Ngase, ky autor, asnjëherë nuk ka përdorur një qasje integrale, ka tentuar të fragmentojë kulturën letrare shqipe, ka mbetur jashtë studimeve perëndimore për letërsinë dhe ka aplikuar teori kryesisht pozitiviste e soc-realiste, të cilat s'përkojnë aspak me qenësinë e letërsisë. Kështu që ka mbetur jashtë zhvillimeve të hovshme të mendimit kritik letrar. Nuk do ia falin studimet shqiptare asnjëherë, për anashkalimin që ky autor i ka bërë letërsisë së vjetër shqiptare, korpus letrar ky që shtreson bazat e vetë kombit shqiptar, pa të cilën, ndoshta edhe vetë autori do kishte, në të vërtetë një identitet tjetër: pse mos të themi turk, pa komb, të llojit fetar, pasojat e së cilës, natyrisht që do ishin tragjike për ne. Në këtë sens edhe mund të "justifikohen" tendencat dhe mllefi i tij ndaj Ismail Kadaresë, që realizohet përmes një diskursi demagogjik dhe me idenë e të qenit mbrojtës i të "diskriminuarve muslimanë", ai bëhet predikues, së cilit duhet t'i bindet një audiencë e gjerë të cilën ai e presupozon si islame, duke iu vënë emrat, ashtu siç bënë me emrin e Ismail, në mënyrën më naive e më primitive. Kjo fushatë e Qosjes, përveç tjerash, nuk ka se si mos të thuhet që nuk është edhe tendenca e ripeshimit të tij politikisht, pas serive të njëpasnjëshme të dështimeve në politikë, kur populli "akademikun e madh" në zgjedhje e vlerësoi me zero përqindje të votave në nivel kombëtar. Tashti i ka mbetur religjioni si adut me të cilin mund të abuzojë, për të rikthyer vetën politikisht, pas shumë cirkuseve politike në Kosovë që lidhen me emrin e tij. Ajo që mund të shihet qartë nga leximet e teksteve të tij, pa ndonjë përpjekje të lodhshme, kuptohet thjeshtë se idetë që shtron ky autor, nuk shërbehen as në minimumin intelektual, me të vërtetat që formësojnë identitetin civilizues të një kombi dhe përkatësinë në rrafshet e civilizimeve botërore. Madje, autori shpeshherë vën në kundërshtim edhe vetë idetë e tij që ka shtruar në librat e tij të mëhershëm. Ajo çka mund të bëjë autori përmes këtij lloj diskursi publik, është prodhimi dhe fabrikimi i shumë të pavërtetave, në njërën anë, dhe në anën tjetër, përpjekje për të krijuar lobinge kundër asaj që është bërë deri më tash në rrugën e rikthimit të shqiptarëve përfundimisht dhe denjësisht në familjen Perëndimore. Nga fakti se nuk ndjehet aktor në këtë proces, barikadohet në taborin tjetër.
* * *
Kultura e shkrimit shqip si tërësi, elementet që kanë ndikuar në konstituimin e identitetin shqiptar, pastaj zhvillimet tona civilizuese, së këndejmi edhe ato religjioze, natyrshëm duhet kundruar në trekëndëshin e paevitueshëm: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Për faktin se ky trekëndësh është premisa nga mund të analizohen zhvillimet tona kulturore, civilizuese, laboratori nga i cili mund të nxjerrim një fizionomi të qartë të identitetit shqiptar. Çdo debat për zhvillimet tona civilizuese; përkatësinë tonë kulturore-civilizuese, bazuar në komponentët që formësojnë identitet shqiptar dhe rrafshin e identifikimit të tij civilizues, duhet të kërkojnë pikat apo shenjat identifikuese nacionale që përcjellen nga memoriet historike, e që si të këtilla përbëjnë tërësinë e universalitetit të identitetit civilizues shqiptar. Në një analizë, sado sipërfaqësore që përcjell zhvillimet tona kombëtare e kulturore, në planin historik, shenjat identifikuese që kanë formësuar konturat reale të identitetit civilizues shqiptar, i gjejmë, pa ndonjë vështirësi e hamendje, në relacione të fuqishme, të përhershme me civilizimin perëndimor. Nëse lexojmë, sado sipërfaqësisht kontekstin e formësimit të identiteti shqiptar ndër shekuj, pa ndonjë hamendje shohim se shenjat themelore të shtresimit te bazamentet e këtij identiteti janë tërësisht perëndimore. Në vijim do synojmë të shkoqisim disa shenja themelore që kanë influencuar dhe formësuar rrjedhat tona kulturore, nacionale e civilizuese që kanë ndikuar në relacionet e lidhjet e veçanta me civilizimet në rrafshin botëror.
* * *
Është me rëndësi të përmendet fakti se shqiptarët për më se dy shekuj (që nga periudha e njohur si Rilindje Kombëtare), në përpjekje për të konsoliduar radhët e vetëdijen kombëtare, të shkallmuar nga pushtimi i egër turk, në rrugëtimet për çlirim kombëtar dhe identitet civilizues (Rilindësit e mëdhenj) proklamuan një formulë të unitetit, në formë poetike, e cila qe bërë paradigmë, model për besimet ndër shqiptarë: "Feja e shqiptarëve është shqiptaria" (Pashko Vasa). Kjo formulë nëse shihet në kontekstin më të gjerë të historiografisë së identitetit shqiptar, ka parashenjën e fuqishme nga kultura e shkrimit, përkatësisht letërsia e saj, që është bërë në kohë tipar përcaktues i ekzistencës së kombit dhe njëherit paradigmë që ka influencuar gjitha rrjedhat kombëtare. Si e këtillë, kjo formulë ka ndikuar në sforcimin e substancës së identitetit shqiptar, brenda përkatësisë perëndimore, dhe në të njëjtën kohë ka ndihmuar në largimin apo edhe zbutjen e diferencave qoftë religjioze, qoftë kulturore të kohës. Në të vërtetë, kjo formulë një kohë qe shndërruar në udhërrëfyese. Në sensin e këtij mendimi është formësuar edhe një kulturë e tërë tek ne. Kësisoj janë mënjanuar mundësitë për të "shpërthyer" diversitetet fetare, kur kihen parasysh shumë faktorë, si: përbërja e besimeve, konstulacioni gjeografik i Shqipërisë (lexo shqiptarëve), tradita religjioze, qëndrimet ndaj së kaluarës, mënyra e ardhjes së religjionit më të ri, dhe dominanca me metoda jo të pranueshme qytetare; elemente këto që mund t'i jepnin një trajtim të veçantë çështjes në fjalë.
Nëpër zhvillimet tona historike çështja "delikate" e përkatësisë civilizuese është diskutuar, por jo aq esencalisht. Disi, kjo çështje, rëndom ka mbetur në margjina, jo për ndonjë arsye, se nuk përbënte dimension me rëndësi në mendësinë shqiptare, por për faktin se me këtë synohej të ruhej "toleranca" aq shumë e dëshirueshme, përballë vështirësive të shumta; nevojës për çlirim dhe konsolidim kombëtar. Kjo "heshtje" u promovua, edhe për të mos hapur "plagë", nga fakti se nëpërmjet pushtimit turk ndodhi konvertimi i dhunshëm i një pjese të shqiptarëve nga besimi i krishterë në atë muhamedanë, element ky që linte mundësi për një konfrontim me përmasa të rrezikshme, mes atyre që mund të konsideroheshin kalaboracionistë dhe atyre që ruanin deri në vetësakrifikim shenjat identifikuese nacionale. Ç'është e vërteta religjioni i "ardhur" asnjëherë nuk influencoi dimensionet kulturore, ngase kujtesa dhe vetëdija nacionale, në tërësi mbetën të përkushtuara denjësisht ndaj kulturës dhe vlerave civilizuese perëndimore. Andaj thirrja e rilindasëve ishte përceptim krejtësisht perëndimor. Ngase ishte e mirënjohur se kultura dhe identiteti ynë u zhvillua, u rrit si kulturë e rezistencës ndaj kulturës së huaj, të ardhur, të dhunshmes. Ashtu siç i ardhur, ky besim kurrë nuk kishte ngulur rrënjë në mendësinë kulturore. Andaj edhe nuk ka krijuar status kulturor të rëndësishëm në identitetin shqiptar. Në fakt, ky besim, nëse na lejohet ta paraqesim përmes një metafore i ngjasonte pemës së mbjellun në shkëmbinj, frytat e së cilës nuk shihen ndonjë herë.
* * *
Dimensionit me rëndësi në përsiatjet për identitetin civilizues të shqiptarëve, duhet t'i paraprijë një analizë për rrjedhat e asaj që e njohim si kulturë tekstuale apo kulturë e shkrimit shqip, që në fakt përbën tërë universin e njohur si identitet shqiptar dhe përkatësisë civilizuese e vetëidentifikuese. Është fakt i pranueshëm se kultura shqiptare gjatë dhe pas pushtimit turk është kulturë e modelit të rezistencës ndaj barbarisë turke. Edhe ajo që zhvillohej te arbëreshët e Italisë, me prijës Jeronim de Radën, edhe ajo që zhvillohej në kolonitë e ndryshme shqiptare jashtë vendit. Por edhe ajo që zhvillohej në vetë Turqinë pushtuese. Kësisoj, natyrshëm kultura shqiptare krijon marrëdhënie të veçanta dhe specifike me substratin perëndimor, ngase gjithherë synonte rrënjët kombëtare dhe rikrijonte mitin për përkatësinë antike të shqiptarëve, pastaj për traditën e bujshme ilire e sidomos për historinë eklatante të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, në kontekstin e luftimit të kulturës orientale. Për më tej, nuk mund të kuptohet pjesa qenësore e kulturës shqipe, pa përmendur dhe analizuar portretin e Gjergj Kastriotit dhe bëmat e tij që i gjejmë në variante të ndryshme, që nga autorët arbëreshë, deri tek ata të rilindjes kombëtare; dhe më tej sforcuar deri në mit e model i pastër i kujtesës, deri më sot. Veprat themelore të kulturës shqipe, madje edhe të Rilindjes kombëtare, me të cilën fushë është marrë edhe Rexhep Qosja, janë shkruar duke rikujtuar lavdinë skenderbegiane, si lavdi që ka pikënisje mbrojtjen e vlerave oksidentale ndaj atyre orientale. Ndryshe nuk ka se si të kuptohet lufta e Gjergjit të madh. Mirëpo, nëse anashkalohet ky fakt, atëherë përmbyset gjithë vetëdija nacionale shqiptare.
Përveç këtij elementi konstituiv të identitetit shqiptar, datimet e para shqipe, fillimet e kulturës së shkrimit, janë premisat e pashmangshme në konceptimin e identitetit civilizues shqiptar. Fillimet e kulturës shqiptare janë produkt i pastër i derivimit biblik. Si rezultat i Biblës kemi autorët themelues të kulturës shqiptare, mbase edhe kombit shqiptar, në kuptimin të cilin e konceptojmë sot (Pal Engjulli, Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, Variboba, De Rada etj.) dhe shumë të tjerë.
Dihet tanimë botërisht se kultura e shkrimit shqip, që nga datimet e para, jo vetëm që ka proklamuar një civilizim perëndimor të palëkundur, por edhe është formësuar kryekreje mbi konceptet themelore të këtij civilizimi, me një lidhje specifike, mbase më specifikën me kulturën perëndimore. Këtë mendim, në funksion të intencës, na sforcon fakti se mendimtarë të Rilindjes, madje edhe ata të cilët jetonin e vepronin në Turqinë e atëhershme pushtuese, kërkonin që shqiptarët të orientohen nga Perëndimi, duke theksuar me ngulm se dielli i shqiptarëve lind në Perëndim. Ky orientim, edhe përkundër disa elementeve primitive, që s'rreshtin së trumbetuari kot, për ide të kundërta civilizuese dhe kulturore, tash në krye me Rexhep Qosjen, nuk është lëkundur dhe as që lëkundët, ngase shqiptarët ndjejnë si perëndimor, jetojnë si perëndimor, janë të vendosur në një mjedis gjeografik perëndimor, kanë kulturë perëndimore dhe mendësi perëndimore, kanë shkrim perëndimor dhe veshje perëndimore, identifikohen me shenjat dhe tiparet që e karakterizojnë këtë univers civilizues. Dhe assesi nuk mund ta konceptojnë vetën në kontekste tjera civilizuese, ngase janë të huaja, të ardhura, të dhunshme.
Tendencat e fundit të Rexhep Qosjes përveç tjerash synojnë të vënë në diskutim kulturën shqiptare në tërësi, e cila fund e kryekreje është perëndimore, oksidentale? Rrjedhimisht, nuk mund të mos shtrojnë çështjen, në formë të pyetjes-dilemë, se mos pas këtyre tendencave, fshehën kërkesa, që nesër edhe Formula e Pagëzimit e Pal Engjullit, edhe Meshari i Buzukut, edhe veprat e Budit, Bogdanit dhe Varibobës, Mjedës, Nolit e Fishtës, Konicës e Malokut, Nënë Terezës e Ismail Kadaresë, e shumë të tjerëve, të kërkohet, nga të njëjtit, të hiqen nga literatura shqipe, nga historia shqiptare, me idenë se po na edukoka keq rininë, ngase ky korpus kulturor dhe letrar është zhvilluar mbi orientime tjera civilizuese-kulturore, në emër të një provinence falëse orientale, që synoka të identifikohet me bejtexhinjtë, që për letërsinë shqipe, paraqet minimumin e vlerave kulturore e letrare. Për të mos hyrë në aspektin edukues të kësaj letërsie, për të cilin Kadare ka plotësisht të drejtë. Përmasa e kësaj çoroditje mund të zgjerohet, kur të shtrohet pyetja-dilema, çdo të kërkohet të bëhet me heroin kombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, i cili na paska luftuar kundër turqve, me të cilët dikush dëshiron të identifikohet përmes fesë (Qosja e të tjerë), çdo të kërkohet të bëhet me Nënën Terezë, personalitetin më të kompletuar të botës shqiptare në dymijëvjecarin tonë, përmasat e së cilës janë globale; çdo të bëhet me veprën e madhe të Kadaresë, e cila me pezëm rrëfen për karvanin e zhbërjes së identiteti shqiptar, të ardhur nga kultura turke-otomane, çdo të bëhet në fund të fundit me vetëdijen dhe botëkuptimin perëndimor të konsoliduar në jetën shqiptare?
Përgjatë pesë shekujve të ekzistimit të evidencuar, të asaj që konceptohet si kulturë shqiptare, po të bëhet një sintezë simbolike, shohim qartë, pa kurrfarë hamendje, ajo çka konceptohet identitet shqiptar, si sistem kulturor civilizues, si vetëdije për vlera civilizuese, në universalitet dhe interkominikim, ka ardhur nëpër shekuj, si produkt i kulluar perëndimor, si komunikim interaktiv i natyrshëm me oksidentin. Vlerësime të cilat kanë një korpus të gjerë në kulturën e shkrimit shqip, si nga autorë klasik e bashkëkohor: (Faik Konica, Eqrem Çabej, Gjergj Fishta, Fan Noli, Branko Merxhani, Mehdi Frashëri, Kristë Maloku, Ismail Kadare, Engjëll Sedaj, Aurel Plasari, Piro Misha, Stefan Çapaliku, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, etj.)
* * *
Shtresimet e identitetit kulturor të popujve (kombeve), rezultojnë nga datime të lashta. Ndërsa historia shqiptare, shtresimet e identitetit kulturor, si vetëdije për tipare shënjuese, dalluese nacionale, i trashëgon si pjesë e vetëdijes nacionale, rezultat i zhvillimit etno-kulturor, që ndodhën në dymijëvjeçarin civilizues. Gjitha këto zhvillime, janë të ndërlidhura me atë që konceptohet civilizimi dhe kultura Perëndimore. Rrjedhimisht, rezultat i kësaj dalin disa pika elementare të cilat përbëjnë tërësinë e konceptit themelor për njohjen, pranimin e Identitetit shqiptar, në rrugën e ngritjes dhe sforcimit së substancës kombëtare, unike. Kjo reflekton të tashmen e padiskutuar: shqiptarët kanë një identitet unik, pa marrë parasysh ku jetojnë (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malë të Zi, Kosovë Lindore); pa marrë parasysh sferën religjioze, janë të besimit islam, katolik, ortodoks, protestant, ateistë, e të tjerë. Së këndejmi kanë edhe një orientim civilizues: Perëndimor. Çështja e parë e çdo analize teorike rreth zhvillimit të identitetit nacional shqiptar, kap në vete segmente, të cilat, si të tilla kanë ndikuar në konsolidimin e vetëdijes kombëtare shqiptare, si vetëdije civilizuese perëndimore, produkt i së cilës është kombi shqiptar në fillim të shek. XXI. Në fakt, pikat themelore që do të shtrojmë, kanë formësuar konceptin themelor për identitetin civilizues shqiptar, ndërtuar e formësuar si identitet nacional, zhvilluar brenda shtratit dhe kulturës perëndimore. Duke bashkëndjerë idenë se në rrënjët e këtij civilizimi jemi bashkëthemelues. Tendenca shpërfillëse, të orkestruara e fuzionuar kryekreje nga elemente jashtëkombëtare, të cilat po trokasin kohëve të fundit në kokat e tkurrura, për dilema civilizuese, duhet ndalur hovin si të dëmshme, në këtë fazë të tranzicionit politik e shoqëror, kur shqiptarët po arrijnë të realizojnë idealin e kahmotshëm për rikthim në familjen perëndimore. Janë disa pika shenjëzuese që kanë formësuar identitetin dhe civilizimin shqiptar brenda përkatësisë perëndimore. Pika e parë orientuese, në të gjitha debatet racionale lidhur me identitetin civilizues, shtresuar si kulturë e lashtë, mbetet përkatësia Ilire, e cila përkatësi është konfirmuar historikisht dhe pranuar shkencërisht. Nga këto datime, kemi dëshminë relevante, që reflekton edhe për të tashmen. Këtë dëshmi na jep Shën Pali Biblik në Letrat e tij, kur dëshmon përhapjen e krishterimit në botën e atëhershme Ilire. Ngjarje kjo që mbetet tejet monumentale në historiografinë shqiptare dhe kulturën kombëtare. Si e tillë ka ndikuar në formimin vetëdijes shqiptare. Për t'u bërë referencë orientuese, e cila si e këtillë do të pasohet me ngjarje e momente tjera, po të kësaj periudhe, që përbëjnë kapitull të veçantë brenda shtratit tonë, përkatësisë së kulturës sonë Perëndimore, me veprat fundamentale, të autorëve të hershëm iliro shqiptar, siç është Himni i parë kishtar, i shkruar nga Niketë Dardani (Te Deum), përkthimi i Biblës ne latinisht nga Shën Jeronimi ilir, e njohur si Vulgata, pastaj martirizimi i Florit dhe Laurit, për të mbrojtur besimin e parë monoteist nga persekutimet e shumta të kohës. Rrjedhimisht, kjo kulturë vetëm sa u sforcua në kohë, përmes lidhjeve të fuqishme me Humanistët shqiptarë, të njohur në kulturën e shkrimit shqiptar si periudhë e latinitetit, nëpërmjet emrave të mëdhenj sikurse Mikel Maruli, Marin Becikemi, Gjin Gazulli, Marin Barleti etj, pa të cilët kultura shqiptare, jo vetëm që nuk mund të shkruhet, por do të mbetej tejet e mangët. Gjitha këto hallka janë përbërëse me rëndësi në ndërtimin e kombit shqiptar, të natyrës civilizuese, përkatësisë kulturore.
* * *
Momenti tjetër me rëndësi në përsiatjet e shumta, rreth debateve për identitetin shqiptar, mbetet, pa asnjë dilemë historia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, e cila histori më bëmat e saj është e njohur edhe në dimensionet botërore. Histori kjo e cila me strategji të jashtëzakonshme, u bë mburojë e kulturës dhe civilizimit perëndimor kundër vërshimeve që paraqiste bota orientale. Për të ndërtuar në kulturën shqiptare prototipin e heroit nacional, që do bëhet kult në mbarë hapësirat shqiptare, që gjashtë shekuj, qëkur shqiptarët ranë në prangat e barbarisë turko-otomane. Portreti dhe figura eklatante e historisë shqiptare, do të shpallet me të drejtë nga Vatikani si "Atlet i Krishtit", mbrojtësi i kulturës dhe civilizimit perëndimor nga vërshimet e hordhive aziatike. Përgjatë shekujve të pushtimit turk Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, do të mbetet model i papërsëritshëm gjithherë; portreti i tij do të influencojë ndjenjat dhe idetë liridashëse, do të ndikojë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare për vetëdije kombëtare, poashtu edhe për orientimet kulturore e civilizuese, do të ndikojë në letërsinë dhe artet shqiptare gjatë të gjitha fazave të zhvillimit. Rrjedhimisht, gjithë kultura shqipe e shkruar, që do të pasohet pas kësaj periudhe, është formësuar si prototip që i referohet ngjarjeve që lidhen me bëmat e heroit kombëtar Skënderbeut: filozofi kjo e ngulitur thellë në identitetin shqiptar, përmasat e së cilës janë evidente në çdo segment të jetës shqiptare, sikurse në histori, diplomaci, kulturë, letërsi, arte tjera, pikturë, skulpturë etj. Njëherit për t'u bërë paradigmë e gjitha angazhimeve shqiptare nëpër shekuj, edhe pas gjashtë shekujve. Në këtë rast duhet të rikujtojmë, fillimet e para të institucionalizimit të idesë nacionale në shekullin XIX, rilindin pikërisht duke rikujtuar bëmat e Skënderbeut, nëpërmjet autorëve të shumtë, veçanërisht të atyre arbëreshë që rikthyen dinjitetin dhe dashurinë e madhe për liri dhe për identitet shqiptar karshi "natës së errët otomane".
Mëtutje, moment me rëndësi jetike, për të analizuar çështjen e identitetit shqiptar, për të analizuar rrugën e konsolidimit të kombit shqiptar, përfundimisht do të inkuadrohen përmes letërsisë shqiptare; letërsi që është zhvilluar me një lidhje të fuqishme analoge me kulturën perëndimore, përgjatë pesë shekujve të qetësimit, edhe në diskurs, por edhe si estetikë letrare. Letërsia shqipe, si bartësja me e mirë e psikologjisë, mentalitetit të popullit është ekskluzivisht Perëndimore. Madje edhe atëherë kur krijohej në vende të lindjes (shumë rilindës që jetuan nëpër vende të lindjes, jo vetëm që thonin me konsekuencë se dielli i shqiptarëve lind në perëndim, por edhe krijonin literaturë perëndimore). Për të sforcuar idenë tonë, duhet të rikujtojmë dokumentin e parë të njohur të shqipes, një simbolikë kuptimplote, që qysh në embrionin e kulturës së shkruar shqipe, pagëzon kulturën shqiptare, letërsinë shqiptare, gjuhën shqiptare, shkrimin shqip. Pra, çdo gjë që ne sot e njohim që frymon si shqiptare. Në fakt, po ta analizonim në kontekst të temës sonë, kjo formulë pagëzon edhe identitetin shqiptar. Bëhet premisë për vetëdijen Perëndimore. Është kjo "rastësia" kuptimplote, shumë signifikative, Formula e Pagëzimit (1468), dokumenti i parë i shqipes së shkruar, që përgjatë gjashtë shekujve mbeti e ngulitur në vetëdijen kombëtare, si dokument i parë i shqip. Vështruar në një kontekst më të gjerë, letërsia shqiptare është derivuar si produkt i pastër i shkrimit biblik. Një korpus i tërë veprash letrare, që njeh kultura shqipe, janë shkruar në lidhje interletrare e interkulturore me traditën e shkrimit biblik, të ndërlidhura e të fuqizuara përmes transformimit të diskursit biblik, edhe si filozofi e qenësimit të kombit, edhe si vetëdije estetike e letrare. Sidomos atëherë kur substancë kombëtare rrezikohej; kujtojmë autorët fundamentalë të kulturës shqiptare: (Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba, Mjedja, Naimi, Fishta, Harapi, Noli, Kuteli, Pashku, Kadare, etj.). Më tej, për të sforcuar këtë substancë, mbetet me rëndësi fundamentale, lidhja e kulturës së shkrimit shqip me traditën e alfabetit latin, përmes një beteje që u kurorëzua në Kongresin e Drejtshkrimit më 1908, me të cilin akt, tërësia shpirtërore e shqiptarëve identifikohet përhershmërisht me civilizimin oksidental edhe përmes shkrimit.
Nëse shkojmë më tutje, për të sforcuar këtë substancë, duhet përmendur orientimet politike e kulturore, pas shembjes së ideologjisë komuniste në Shqipëri, si dhe fazës së dekompozimit të kreaturës së ashtuquajtur Jugosllavi. Në tërësi, politika shqiptare është përcaktuar qartë për integrime perëndimore. Kjo vetëdije emancipuese gjithnjë e më tepër synon të manifestohet në të gjitha segmentet e organizmit politik e shoqëror, si domosdoshmëri e kërkesave të vazhdueshme që shtrohen për riparim të asaj që në të kaluarën është bërë keq. Pas gjithë atyre sajesave të bëra me dhunë, në fund të shekullit XX dhe fillim-mileniumin e ri, kërkesat për rikthim të fuqishëm në rrënjët tona, e bashkartikuluar kudo dhe në çdo segment me rëndësi nacionale, çdo ditë e më shumë po merr fizionominë e vetë.
* * *
Në fundshekullin XX shoqëria shqiptare me të gjitha kapacitetet, është drejtuar në rrugë të rikthimit në Familjen e Madhe Perëndimore. Të vetëdijshëm se identiteti civilizues, nënkupton dhe do të thotë një kujtesë historike, një të tashme racionale, një identifikim shpirtëror me shenja, momente, figura që përfshijnë sistemin vlerave të përbashkëta nacionale; veçanti e tipare dalluese që duhet të shfaqen në të gjithë rrafshet e qenësimit të kombit, shoqëria shqiptare po realizon atë që shtron studiuesi e kritiku francez, Saint Beuvit, kur diskuton problemin e së kaluarës në raport më të ardhmen: "Kur mendojmë sinqerisht të kaluarën, kur e kuptojmë mirë atë, do të thotë se e kemi vështruar saktë të ardhmen".
* * *
Edhe përkundër shumë zhvillimeve jo aq të dëshirueshme të brendshme, megjithatë, është kënaqësi të shihet, se dekada e fundit e shek. XX, për shqiptarët mbetet me ngjarje tejet të rëndësishme dhe shumë pozitive. Ngjarje që kanë rezultuar me ndryshime pozitive brenda gjithë hapësirave shqiptare. Shoqëria shqiptare, tashëm si tërësi nacionale ka hyrë në një proces të përgjithshëm dhe të gjithanshëm politik, kulturor, ekonomik, në synimet për rikonsolidim, integrim, prosperitet, në të cilin proces po synohet të aplikohet një modalitet i ri, me ndryshime esenciale nga i mëhershmi, një transformim esencial në mënyrë që të hapen debatet racionale për integrime të fuqishme perëndimore.
Çështja e ndeshjes së civilizimeve, kjo temë e "nxehtë" dhe delikate, qysh në vitet e 30-ta, kur u kërkua domosdoshmëria e konsolidimit të gjithanshëm nacional, ka qenë një ndër temat imediate për mendimtarët e mëdhenj shqiptar të kohës, të tubuar atëherë rreth formulës së shqiptarizmës e neoshqiptarizmës (Konica, K. Maloki, V. Koca, Fishta, M. Frashëri, B. Merxhani, Noli, Çabej, etj). Këta mendimtarë njëherit vunë bazat e mendimit politiko-kulturologjik të emancipuar shqiptar, të argumentuar shkencërisht, se shqiptarët kulturalisht i takojnë universit të civilizimit oksidental, janë gjeografikisht europian, së këndejmi edhe shpirtërisht perëndimor. Dhe në të njëjtën kohë janë analizuar të gjitha sfidat, sfida që janë rezultat i shumë faktorëve, sidomos i atyre kulturorë-shpirtërorë, si pasojë e pushtimeve shekullore. Por çdoherë është mohuar ambiguiteti në identitetin shqiptar.
Nëse sot ne, mund të diskutojmë për një komb shqiptar, për një kulturë shqiptare, për një qytetërim shqiptar, për një civilizim shqiptar, për një të ardhme shqiptare, shenjat e identifikimit në të gjitha komponentët përbërëse nacionale, historikisht mund t'i diskutojmë dhe t'i evidencojmë vetëm në suaza e në prizëm të lidhjeve me kulturën perëndimore. Sepse si tërësi identiteti ynë është formësuar kryekëput në principe e koncepte oksidentale. Të gjitha momentet e shenjat identifikuese shqiptare në përgjithësi janë ekskluzivisht perëndimore, pa të cilat kombi ynë do të asimilohej. Kjo shpërfaq tendencat e qarqeve të ndryshme, që tentojnë të paraqesin shqiptarët me prirje tjera orientuese e civilizuese, të ndërtojnë identitet oriental mbi atë oksidental. Në kulturën shqiptare, nuk mund të diskutohet për ndonjë kulturë tjetër, përveç asaj perëndimore në ndeshje dhe rezistim ndaj asaj që është rishfaqur dhunshëm si lindore, e ardhur bashkë me pushtuesit otoman. Këtë argumentim e mbështesin shumë mendimtar të kohës, ndër ta studiuesi Sabri Hamiti, i cili kur diskuton identitetin shqiptar, në theksim të tij, si vetëdije për tipare dalluese, në zhvillimet dymijëvjeçare, thotë: "Edhe pse i rrudhur në kohë e në hapësirë të ndeshjes dhe komunikimeve Perëndim - Lindje, që e kanë bërë ta marrë një karakteristikë të veçantë evrojuglindore, populli shqiptar ka në esencë një kulturë historike perëndimore, që mbështet në gjuhën, shkrimin, idetë themelore, fenë. Përfundimit të Tmas Eliotit se letërsia dhe kultura perëndimore është ndërtuar mbi trashëgiminë e mitologjisë greke dhe krishterimit, për kulturën shqipe mund t'i shtohet edhe mbi mitologjinë vendëse, që është e moçme sa ajo greke". Këtë vlerësim studiuesi Hamiti e vazhdon duke shkuar më larg, kur mbron kulturën perëndimore shqiptare: "Kultura shqiptare nuk mund trajtohet më parë si vend i ndeshjes së kulturës perëndimore me kulturën lindore, por më së pari si kulturë e kundërvënies, rezisntencë e kulturës autentike ndaj asaj të huajës, të ardhurës, të mëvonshmes".
E shohim të rëndësishëm të potencohet fakti se edhe lideri i shqiptarëve të Kosovës, gjatë lëvizjes për liri, çlirim, demokraci e rikthim në familjen Perëndimore, Ibrahim Rugova, qysh në fillim të artikulimit të kërkesës nacionale për Demokraci dhe për Pavarësi, thotë. "Duke qenë gjithmonë popull i proveniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar me një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit me Evropën, me të drejtë për vendvendosje" (Ibrahim Rugova, "Pavarësia dhe demokracia").
Shqiptarët në fundshekullin XX, hynë me përplot ndryshime pozitive, të cilat mund të vërehen në të gjitha segmentet. Si rrjedhim, tashmë shqiptarët po mëkëmben si një faktor relevant, jo vetëm rajonal, por edhe më gjerë, drejtë sforcimit të substancës nacionale, por edhe përfaqësimit në kulturën perëndimore. Pyetja kush janë shqiptarët në tërësi, në rrafshin e identitetit civilizues, mund të rezultojë me përgjigje divergjente në çështje joesenciale, por para një të huaji kureshtar, përgjigja është unike, që nuk dallon nga shqiptarët e Shqipërisë, te ata të Kosovës, e pastaj të Maqedonisë prej vendeve tjera ku jetojnë, si Mal të Zi, Serbi. Ata janë shqiptarë dhe e thonë këtë identitet. Ata në tërësi proklamohen dhe praktikojnë një mendësi perëndimore, identifikohen me të njëjtën gjuhë, me të njëjtën letërsi, me të njëjtin sport, film, muzikë, etj.
* * *
Proceset politike nëpër hapësirat shqiptare, na rikujtojnë edhe një herë se të qenurit popull unik është diçka e çmueshme, diçka që të mundëson jo vetëm ndihmën dhe përkrahjen ndërkombëtare, por edhe të krijon fuqinë, në raport me relacionet ndërkombëtare. Ne mbrojmë mendimin se shqiptarët kanë identitetin perëndimor, në të gjitha rrafshet civilizuese. Ky identitet ka qenë e kaluara dhe e tashmja e kombit tonë. Dhe ky civilizim, do të jetë, pa asnjë alternativë e ardhmja e kombit, edhe përkundër tendencave shpërfillëse të grupeve të caktuara qosjane.