torsdag 26 juli 2007

Pushteti i fjales

Pushteti i fjalës

Ndue Ukaj

Nëse do të implikonim në këtë shkrim një mendim të Josep Ramoneda, mendimtar i njohur spanjoll, se “të drejtat e njeriut duhet të jenë kushtetuta universale, duhet të ketë ndonjë pushtet që t’i imponojë dhe t’i mbrojë”, atëherë shumëçka nga konteksti politikë kosovar mund të shpjegohej me ketë sintetizim. Çështja e Kosovës para se të jetë një siu generis në vete, para se të ketë paradigmën e saj historike, duhet kundruar edhe në kontekstin e lirisë. Kosova dhe populli shqiptar nuk mund të kthehet në joliri, ku një pakicë shtyp në mënyrën më barbare kundruall shumicës, kundruall një populli autokton. Andaj, komplikimi i zgjedhjes së statusit të Kosovës nga Këshilli i Sigurimit, një organ që ashtu është në degradim, nuk duhet të reflektoj tek klasa politike kosovare asfare ndjenjash mërie ndaj perëndimit dhe botës së qytetëruar. Së këndejmi edhe pritja, bashkëveprimi dhe bashkëkoordinimi i veprimeve të mëtutjeshme është më se i domosdoshëm, jo vetëm për të tejkaluar këtë gjendje, por, më tepër për të rindërtuar ekonominë e ardhshme të Kosovës, për të ecur në trendin e integrimeve euro-atlantike. Prandaj në gjithë këtë avari politike duhet të kihet kujdes nga pushteti i fjalës.

Komplikimi i procesit të zgjedhjes së statusit politik të Kosovës konform një projekti të paraqitur nga ndërmjetësi Ahtisari, në skenën politike, mediatike dhe parapolitike brenda Kosovës ka shkaktuar konfuzione, paqartësi, nervozizëm e interpretime të gjithfarshme. Në këtë kontekst edhe keqpërdoret pushteti i fjalës. E gjithë kjo prodhon një diskurs të rrezikshëm, sepse politika, parapolitika, mediat në vend që të shtrojnë domosdonë e zgjedhjes së statusit, instrumentaizlojnë popullin si element tepër pasiv në gjithë këtë proces, për të ushtruar trysni tek bashkësia ndërkombëtare. Ky soj diskursi të përkujton modelin që e kemi tejkaluar për dekada në socializëm e diktaturë, kur në emër të popullit flitej më së shumit, ndërsa ai pyetej më së paku, apo nuk pyetej fare. Për diplomacinë e shëndoshë, asgjë s’bën punë më shumë se argumentimi racional, nga ajo që Ramoneda e quan “efikasitet i fjalës”. Në mungesë të sesnit themelor për të shpjeguar dhe argumentuar nevojën e jetësimit të pavarësisë së vendit sa më shpejt, shumë trumbetojnë në emër të popullit, të durimit apo mosdurimit të tij dhe ketë e shohin si argument për të përshpejtuar zgjedhjen. Madje, ka sosh që parapëlqejnë edhe metodat radikale, që s’janë gjë tjetër përpos rrugë për qorrsokak. Në të vërtetë, e gjithë kjo mund të prodhon vetëm kundërefekte dhe zvarrisë edhe më zgjedhjen e pritur. Për të komplikuar vizionin e pas statusit. Politika, mediat dhe gjitha segmentet me rëndësi duhet të ngarendin pas shpjegimit të vetë konceptit të lirisë që është esenciali për të kuptuar problemin e Kosovës. Populli shqiptar nuk mund të kthehet në joliri më, përkundër vullnetit për Rusisë, Serbisë e cila e ka shtypur për dekada të tëra. Ky duhet të jetë parimi primar, si argument themelor në serinë e argumenteve të shumta. Kategoria e lirisë dhe përmasa e saj e fuqishme për koncepcionin e demokracisë dhe botës së integruar, është argument mbi çdo argument dhe mbi çdo malverzim me hallet e panumërta të popullit të dremitur të Kosovës. Ky aspekt redukton gjitha aspektet tjera dhe vë në pah parimin universal të demokracisë, sepse në pikëpamje politike koncepti i lirisë, liria si vlerë dhe nevojë sublime, hynë në hierarkinë e vlerave të domosdoshme, duke përbërë në vete kriterin themelor për çdo paqe të qëndrueshme. Së këndejmi, gjithë e kuptojmë se çështja e Kosovës është çështje e lirisë, lirisë së munguar me shekuj nga regjime barbare, prej atyre anadoll që shprishën shpirtin shqiptar, deri teka to serbo që tentuan zhbërjen e tij.

Kosova dhe elita e saj gjenden para sprovave të rënda. Në një moment delikatë, ku qendrat e mëdha politike vlojnë me ide, mesazhe, rekomandime, rezoluta, takime, elita politike shqiptare, sidomos ajo në Kosovë duhet reflektoj mençurinë e duhur që të mos afektohet nga tendenca të çfarëdoshme. Prandaj edhe gjuha publike duhet të ruhet nga fjalët e panevojshme, duhet gjetur forma e ide adapte edhe për të bërë presionin e duhur tek bashkësia ndërkombëtare, por edhe për të ruajtur ritmin e brendshëm të bashkëveprimit të gjerë. Efikasiteti i pushtetit të fjalës është mbi çdo veprim. Orientime dhe qëndrime të thyera, siç ishte rasti me ”kundërshtitë” në konferencën e fundit të Ekipit të Unitetit për të afatizuar pritjen, janë ide me efekte afektive dhe jo racionale, sepse është e ditur se projekti i Kosovës që kur është nisur, është projekt i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit mes perëndimit dhe Kosovës, pa të cilën linjë Kosova vështirë të ishte kjo që është. Kuptohet se ato ndjenja dhe mesazhe, motivohet nga ndjenja nacionaliste të pastërta dhe nga dëshira të vetëkuptueshme, por nëse bien ndesh me agjendën e përbashkët të Prishtinës me Brukselin dhe Uashingtonin, janë si të këtilla të dëmshme për procesin. Madje, edhe më e rënd bëhet nëse ato ide bëhen për konsum të brendshëm politikë, për t’i thënë popullit se edhe në dimë të tregojmë kaçikun tonë karshi botës. Apo edhe më e keqja, për të fituar poena se ne e bëmë këtë, ata se bën atë. Ata që provokojnë nervozizmin e popullit, ata luajnë me pushtetin e fjalës dhe kështu me efektet e saj që mund të jenë të rënda.

Gjithë jemi dëshmitar se çështja e Kosovës është një problem i komplikuar dhe për këtë nevojitet bashkëpunim me miqtë e shumtë perëndimor. Përkundër përpjekjeve të disa liderëve të Kosovës për të vrapuar ane e kënd botës, madje edhe në Konferencën Islamike dhe vendet e largëta të Amerikës Latine, Kosova nuk bëhet dot e pavarur pa një përkrahje, bashkëpunim të fuqishëm me Uashingtonin, Londrën, Brukselin, Parisin, Romën dhe Berlinin. Këto janë portat e lirisë për Kosovën. Andaj duhet ruajtur miqësitë me këto qendra dhe me këta popuj që na sollën lirinë dhe tash na ndihmojnë për të ndërtuar demokracinë e shëndoshë dhe shtetin.