söndag 29 juli 2007



njohja (Tregim)
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj
Unë gjithmonë kërkoj, sepse vetëm kështu jetoj. Nëse vetëm një ditë nuk do të kërkoja, sigurisht do vdisja. Kërkimi për mua është sikur ajri, pra të jetoj. Por, ja që njeriu shpeshherë gjatë kërkimit gjenë gjera që s’duhet, apo të them më troç, takohet me gjëra që e tundojnë, pastaj e zhgënjejnë. Unë jam nga ato gra që kam kërkuar shumë për dashurinë, por asnjëherë nuk e kam gjetur. Prandaj, jam lëshuar në krahët e kërkimit duke nuhatur në botë dashurinë, me të cilën nuk ngopem dot dhe për të cilën jam në gjendje të kërkoj pa lodhje ditë e netë, madje edhe nëse nuk do ta gjejë deri në frymën e fundit…
Askush s’mund të besonte se në fund të katrahurës së vetmisë, ashtu sikurse në fund të territ përbindësh, vetëm një xixë mund të triumfojë. Ishte kjo shkëndija që pushtoi errësirën, apo fshehtësia e thellësive të lumturisë, mrekullia e të gjitha mrekullive të kësaj bote që godet kur më së paku e pret…

(Tregim)

Përgjërimi im kishte marr fund.
Sa çelë e mbyll sytë humba toruan dhe rashë në tundim të syve të përgjumur të gruas që ecte trotuareve të qytetit me shikimin e humbur, pamje kjo që krijonte pandehmën e parë. Ajo ishte një grua e vetmuar e cila kërkonte vazhdimisht diçka, që zakonisht nuk gjendet. Këtë pandehmë timen e sforconte dukja e saj, shikimi i thellë dhe lëvizjet e kokës në mënyrë tejet elegante. Thashë mëvete, do jetë një nga ato gratë që gjithmonë në jetë vetëm kërkojnë, e kurrë s’gjejnë gjë nga çfarë kërkojnë, dhe një ditë, vetëm kur të mplakën, marrin uratat dhe nënshtrojnë gjunjët para Virgjrës Mari, duke u përgjëruar për falje mëkatesh.
Ilustrimi: Jon Sayer - CopyrightQysh sot, ca minuta para së dielës në Kishë, i dhashë fund edhe lidhjes me Anitën. Njëherë isha përbetuar, madje këtë përbetim e kisha bërë edhe në mesin e miqve të mi piktorë, se e fundit dashnore me të cilën do lakuriqësoj trupin pa fije turpi, do jetë italianja flokëshprishur, me të cilën u ndava pa asnjë ndjenjë dashurie. Për çudi, ajo më vonë mbeti diç më shumë se dashuriçkat e panumërta në mendjen time.
Frederik - më pat thënë atëherë me italishten e bukur, duke e përthyer me një shqipe përplot muzikalitet - të dua.
Unë, as për mendjemadhësi, as për jomirësjellje, madje as për mungesë dashurie, nuk ia ktheva, por vetëm i thashë - do të duash edhe të tjerë ashtu si mua tash.
Asaj i rreku një çurg lotësh për faqe. Nguli shikimin në dhe, dënesi thellë, nga ato dënesje që në trajtën më të bukur i dëgjoja në shtrat, apo vende tjera ku bënim dashuri me orë të tëra, siç qeshnim shpesh, binim në gjumë të dashurisë. Unë ia putha faqet e përlotura por pa fije dhimbjeje.
Unë nuk do lakuriqësohem me askënd pas teje - më tha prapë me tinguj të vrarë e shikim që lejonte të lexohej një pikëllim i tmerrshëm tek përshkonte fytyrën e saj të bukur. Kësaj here italishtja e saj, çaloi shumë. I fundit që ke bërë piktura në trupin tim - m’u pat drejtuar, duke e ngritur tonin e zanoreve aq kumbuese - je ti - dhe tash që po më krijon një zgafelle në jetë, më duhet të pres fundin, atë fundin të cilin e presim gjithë, duke të kujtuar ty.
Unë jam piktor, që rrugët e gjata deri tek lakuriqësia i shndërroj në eksperimente vizuale, prapa së cilave lundroj në botën e çudirave të grave, aty ku shtatë qiejt luftojnë ashpër me prapështuesit e përbaltësuesit e artit - iu përgjigja dhe kuptova se bëra një filozofizëm të tepruar. - Madje, edhe unë para se të dashurohem me ty, jam përbetuar për Zot e tokë se e fundit që do lakuriqësohem me një femër do jetë dashnorja që kisha para teje.
Pa e zgjatur më shumë, e putha në faqe dhe i dhashë një dhuratë të çmuar si kujtim të fundit. Ajo e hapi ngadalë: një pikturë nudo! U step dhe si e trishtuar u përplas në mua.

Piktura i ngjante një vullkani, nga i cili dilte një zjarr krejt flakë ari, i cili e kishte të mbërthyer gruan prej pjesëve më intime e poshtë. Vithet e saj i si grykë vullkani, mbi të cilin rrinin qëndrueshëm gjinjtë, si dy maja malesh magjepse, aq të pamundura për t’i shijuar në tërësi. Ato kishin marr trajtën e dy yjeve ndriçues. Ajo e vështroi gjatë dhe me sy të ënjtur nga lotët, iku nga unë, pa më thënë asnjë fjalë.
Italianja flokëshprishur edhe disa herë erdhi në atelienë time, derisa një ditë u zhduk përgjithmonë.
Nejse, s’di përse mu përplas ky kujtim bash në këtë moment. Gruaja e cila ecte para meje, edhe pas disa minutash, u përbirua rrugëve duke luajtur trupin e saj elastik, ashtu siç ishin rrugët e përdredhura tek ne. Unë e përcillja pa vetëdije. Ajo dukej se ecte po me ato ritëm me të cilin mu përplas në sy, sikur tek kërkonte diç çmueshme, por të humbur.
Pasi i dhashë fund lidhjes me Anitën, thashë mëvete, do e shkeli edhe njëherë përbetimin dhe do i ofrohem. Kishte të veshur fund të kaltër, me një bluzë të tejdukshme në të bardhë të shndritshëm, që e bënin të dukej vërtetë zonjë e rëndë, nga ato që përshëndetjet me meshkuj i bëjnë me zgjatje për puthje dorësh. Pjesët e dukshme të trupit i shkëlqenin fortë dhe e bënin tejmase sfiduese. Ajo lente përshtypjen e atyre grave të epshme për dashuri.

Më fal zonjë, mos ju ka humbur diçka, më dukeni se ecni e dalldisur, sikur diç e çmueshme të ketë rrëshqitur nga dora e juaj. Vërtetë më falni që ju drejtohem kështu, por më keni krijuar këtë përshtypje, prandaj dëshiroj të dëgjojë nga goja juaj e ëmbël, nëse nuk është e vërtetë, nëse sytë e mi gënjehen lehtë dhe unë torollasem pas grave të bukura. Dhe pastaj do shporrem nga ju shpejtë, më besoni, do të zhdukem si era.
Ajo vetëm më shikoi me një buzëqeshje enigmatike. Sytë m’i nguli thellë, aq sa më ngjalli frikë e lemeri përnjëherë. Por, përnjëherë ata sy të kaltër u zbutën, shkëlqyen nga disa rreze të brendshme, dhe shpejt u shpërndanë nëpër trupin tim. Ajo më shikonte, sikur atë që kisha përshtypjen se e kishte humbur, tash e kërkonte në mua, në trupin tim, të cilin sa herë u pata përberë se nuk do ta lakuriqësoj me asnjë femër më.
Unë gjithmonë kërkoj, sepse vetëm kështu jetoj. Nëse vetëm një ditë nuk do të kërkoja, sigurisht do vdisja. Kërkimi për mua është sikur ajri, pra të jetoj. Por, ja që njeriu shpeshherë gjatë kërkimit gjenë gjera që s’duhet, apo të them më troç, takohet me gjëra që e tundojnë, pastaj e zhgënjejnë. Unë jam nga ato gra që kam kërkuar shumë për dashurinë, por asnjëherë nuk e kam gjetur. Prandaj jam lëshuar në krahët e kërkimit duke nuhatur në botë dashurinë me të cilën nuk ngopem dot, dhe për të cilën jam në gjendje të kërkoj pa lodhje ditë e netë, madje edhe nëse nuk do ta gjejë deri në frymën e fundit.
Është rrugë e gjatë për të ardhur deri tek lumturia, mbase kjo nuk arrihet lehtë - më tha me një mprehtësi, e cila shprehte një përvojë për atë që fliste, ndërsa shikimin si shigjeta se ndalte aspak nëpër trupin tim.
Unë mbeta i shtangur para saj e syve magjeps.
Gruaja sa vinte ngulte sytë thellë e më thellë në mua, sikur lexonte gjitha të fshehtat e mia, i shikonte ato nga thellësia, ngopte sytë me pjesët e mia intime, madje me seksin tim, i cili tash ishte trazuar dhe nuk zinte vend para trupit ta saj epshor.
Ke trup të bukur - i thashë, më shumë me dëshirën që të lë temën e kërkimit, se sa për t’i dhënë një kompliment, të cilin edhe ashtu e meritonte, por nga i cili të them të drejtën frikoja. Doja që ky fillim ngacmues të merrte kahje tjetër. - Më fal, nuk të thash emrin, unë quhem Frederik - ndërhyra me një ton krejt të pamatur.
Sa i këndshëm – m’u përgjigj. Kam njohur një djalë, isha atëherë e re, quhej Fredi, atëherë unë studioja, në duart e tija u zhvirgjërova.
Gruaja shkëputi sytë nga trupi im dhe u zhyt në krahët e mallëngjimit.
O zot, çfarë komunikimi i pazakonshëm, thashë me vete. Ishte hera e parë që takoja një grua në trotuare dhe flisja për seksin, për zhvirgjërimin, për pasionet e dashurisë, ende pa u njohur, madje pa ditur as emrin e saj.
Një puhizë e lehtë e aromës pranverore më përshkoi trupin tejpërtej, ndërsa gruas ia luajti nga trupi veshjet. Nga brenda vërejta dy gjinj të bukur, të cilët qëllimshëm ishin lënë pak jashtë.
Si t’ia bëjë - thash mëvete.
Mendime të çuditshme më vërsuleshin në kokë por asnjë nuk arrija ta artikuloja për t’ia shprehur gruas që kishte mbetur e stepur para meje, tash në heshtje përvëluese.
Mund të më shoqërosh në atelienë time, e cila gjendet jo larg nga këtu - i thashë me një zë që mu duk se erdh jo nga unë. Ishte tamam nga ata zëra që ndodh të duken, edhe pse dalin nga vetja, të huaj.
Ajo, pa asnjë hezitim u nis krah meje.
Ecnim pa bërë ndonjë komunikim, përveç ndonjë prekje të herëpashershme, si të rastësishme në krah; prekje që mua me cytëte edhe më tutje drejtë aromës së gruas që ende nuk ia dinja emrin.
Pa u ofruar tek atelieu u humba, tamam ashtu sikur të ishte hera e parë që hyja brenda me një femër.
Hapa derën me qetësi elegante. Ajo vetëm nuhaste, e nganjëherë çante buzët e trasha duke krijuar një pamje të mrekullueshme në fytyrën e saj delikate, që sa vinte për mua bëhej më engjëllore.
Shkëndija dashurie - më tha një zë nga brendësia, por duke mos dashur të jetë aspak e vërtetë një tronditje e tillë, sapo i dhashë fundit lidhjes me Anitën.
Nuk munda t’i bëjë ballë kureshtjes që të mësoj se çfarë në të vërtetë kërkon - i thash derisa zhurma e hapjes së derës i bëri fjalët e fundit vështirë të kuptueshme për gruan, e cila në vend të një përgjigjeje, sëpari rrudhi krahët.
Pas pak sekondash, ashtu në heshtje përvëluese për mua, m’u drejtua: S’të duket pak e çuditshme t’i kuptosh gjithë të fshehtat e një gruaje të cilën sapo e ke takuar. - Timbri i zërit të saj mori ca nuanca kritike, por dosido ruanin një ëmbëlsi.
Nuk jam kurvë - u shpreh beftë me zë të thekshëm, aq sa mua m’u duk sa britma e saj depërtoi në lokalin përbri nesh, ku ishte një gazetë e madhe e vendit dhe ku gumëzhijnë silueta të gjithfarshme. Në të vërtetë më kapi një panik.
Ç’dreqin m’u desh që hyra në këtë aventurë pa nevojë - mendoja mëvete dhe u kredha për pak në krahët e mendimeve, nga të cilat shpejt kuptova se s’mund të nxjerrja asnjë përfundim. Si të organizoj këtë vizitë - i thash vetës, do vazhdoj me ato tema të zjarrta për seksin apo reagimi i gruas, ishte parashenjë se nuk duhej futur lojërave intime, nga fakti i thjeshtë, sepse ajo nuk ishte kurvë dhe nuk dëshironte të trajtohej e tillë nga unë.
Çfarë domethënë kur një femër të thotë nuk jam kurvë - e kishte pyetur një mik poet, i njohur për zjarr seksi në poezitë e tij, vetëm disa vite më parë. Ndërsa unë, i cili asnjëherë në jetën time nuk i kam besuar dashurisë, nuk dija të bëja shumë dallime mes kategorive të femrave. Në fakt, të gjitha për mua lidheshin me një pasion, edhepse në të vërtetë kisha mëdyshje për këtë mendim.
Ç’kërkon tek unë, përpak sa nuk i bërtita gruas, për t’ia dhënë një të goditur në gjoksin e saj të fryrë, që sa shkonte më çmendte. Ajo sikur nuhati nervozen time me këtë situatë të papritur dhe m’u drejtua: Të thash se kërkoj, kërkoj vazhdimisht, por nuk jam e përdalë. Lumturia kërkohet çdokund, në çdo cep rruge, në çdo vendimtar, madje pse jo edhe në çdo kalimtar, andaj edhe në ty kërkova diçka por mos me pandeh për të përdalë, edhe nëse unë pranë këtyre pikturave tua nudo mund të zhvishesha, të hidhesha si një përbindëshe mbi trupin tënd, të thithsha çdo cep të trupit tënd. Assesi mos më pandeh për të përdalë, sepse kurvat janë vetëm shpikje pabesish të burrave të cilët s’kuptojnë gjë nga thesaret e lumturisë së femrës.
Duhma e pikturave s’kishte sesi mos ta ngashënjente edhe më pasionin tim, i cili sa vinte përndizej. Por, as gruaja aspak nuk arriti t’i ikte ngashënjimit.
Askush s’mund të besonte se në fund të katrahurës së vetmisë, ashtu sikurse në fund të territ përbindësh, vetëm një xixë mund të triumfojë. Ishte kjo shkëndija që pushtoi errësirën, apo fshehtësia e thellësive të lumturisë, mrekullia e të gjitha mrekullive të kësaj bote që godet kur më së paku e pret.
Në këtë moment, sikur nga qielli iu kujtua një frazë romani, “Unë s’po jetoj as në të kaluarën as në të ardhmen time. Kam vetëm të tashmen, e unë këtë e dua”.
Pasi përshpërita diç të pakuptimtë mëvete, rashë në krahët e mejtimeve. Pas viteve të shumta që nuk besova në dashuri, papritur fillova të mos shoh asgjë tjetër përpos gruas që qëndronte përballë meje, së cilës as emrin nuk ia dinja. Çuditesha me këtë skenë, madje çudirat e mia shkonin deri tek një ankth. Por ja që më tërhiqte si magnet, doja vetëm fytyrën e saj ta shikoja, ta ndieja, ta përjetoja, ta puthsha fortë, të flija në gjoksin e saj e pastaj në të të thithë lëngun për penën time të ndryshkur, për të bërë një pikturë me zjarrin e dashurisë.
Në të vërtetë thellësia e fshehtësisë së dashurisë është në përtejshmërinë e gjërave të kota; shtrihesh sikur nën rrezet e diellit veror dhe lejon depërtimin e tyre në gjithë trupin, ashtu unë dëshiroja të kredhesha në mrekullitë e trupit të gruas dhe në çdo cep të ndiej frymëmarrjen e aromës së saj.

Kishin kaluar ca minuta të përhumbjes sime. Gruaja ishte ulur në cepin e pasmë të atelies dhe shikonte e hutuar një mori pikturash të varura gjithkah nëpër mur. Iu ofrova ngadalë. Pa menduar gjë, dora ime u përhumb në flokët e saj të përdredhura supit të saj të butë dhe sa çelë e mshelë sytë ndjeva një të nxehtë në gojën time. Gruaja së cilës akoma nuk ia kisha mësuar emrin dhe pas së cilës u dashurova sikur një adoleshent, m’u hodh në një përqafim të fortë. Duart e saja lëviznin nëpër trupin tim me mjeshtëri, ndërsa unë sikur në ëndërr ndieja aromën e magjishme të saj. Në gjoksin tim ndieja të rrahurat si çekan që vinin nga trupi i saj i zhveshur tërësisht. Kisha harruar fare se dera e atelies ishte hapur!