fredag 27 juli 2007

Árti poetik rumun flet shqip

Arti poetik rumun flet shqip
Antologjia e poezisë së sotme rumune, " Mosha e Artë e Dashurisë " (Rozafa, 2007) e ardhur në shqip me përkthimin të bukur, me një gjuhë poetike të këndshme e tingëllimore, nga ana e poetit dhe veprimtarit të dalluar Baki Ymeri, shënon një moment me rëndësi për sforcimin e lidhjeve mes kulturës letrare shqiptare dhe asaj rumune. Kjo antologji e projektuar nga prizmi i një kërkimi letrar që ec nëpër dekadat e fundit të zhvillimit të poezisë rumune, përfshin njëzetenjë poetë eminentë rumunë që vijnë në shqip me një përgatitje profesionale, me nivel te kënaqshëm estetik
Nga Ndue Ukaj
1.
Poezia e sotme rumune e influencuar nga poeti brilant Mihail Eminescu, ka inovacionin e duhur brenda një moderne që e ruan dhe e kultivon klasiken; ka qartësinë lirike brenda një tendence për të kultivuar hermetizmin, ka mendimin e thellë e filozofik brenda një poetike të prekshme e konkrete. Përmes lirikës së kodeve të mëdha të fjalës poetike, kjo poezi universalen e përkthen me përjetime e situata narrative personale, metafizikën me fizikën, të bukurën dhe humanen me estetikën e tekstit të veshur me metafora e figura të gjetura poetike. Poezia rumune, në mënyrë të veçantë ruan në shtatin e saj dy konceptet e Horacit për artin, për të dobishme dhe të këndshmen në art e letërsi (Dulce et Utule).
Gjuha e kësaj poezi është e ëmbël, ndërsa sistemi poetik fjalëformues harmonike, ku ritmi dhe rima janë në funksion të plotë të vargjeve dhe poezive, në funksion të ideve e mesazheve poetike. Kjo poezi e ndërtuar në kontraste të fuqishme, lëvron paradoksin si element të fuqishëm lirik. Gjitha këto elemente konstituive poetike, e bëjnë këtë korpus letrar krejt të veçantë, sui generis në kontekstin e gjerë letrar ballkanik e europian. Madje, edhe për fakti tjetër që e thotë Alexandru Condeescu: "sado dramatike do të ishte vuajtja e poetit, ai e siguron lexuesin e vet për mundësinë, qoftë kjo e largët, e gjetjes së qartësive ekzistenciale, duke ndjekur në masë të madhe një logjikë të natyrshme, nganjëherë ndoshta e tejkaluar, por gjithsesi e kuptuar si një pajtim i përbashkët, por jo edhe si një gjendje e çuditshme, dhembje abstrakte, mundime të trurit, qartësi të ndryshme nga ato që i janë të njohura ndjenjës së mirë të shpirtit të pajtuar me botën".
Këto trajta dhe këtë diskurs poetik e hasim rrallë në poezinë e sotme të mbytur nga pesimizmi, tragjikja e jetës dhe pakuptimësia e njeriut që sorollatet në absurdet e shumta të kohës, në universin e pafundmë të krizash. Në të vërtetë, pas leximit të antologjisë së poezisë së sotme rumune "Mosha e artë e dashurisë", kuptojmë se fjala poetike rumune, e dalur nga penat më të ndritura të saj, është kondensuar dhe e brumosur me trajta stilistike të bukura; është e ndërtuar përmes ritme të brendshëm të tingullit dhe mendimit të thellë e filozofik, ku spikaten trajtat e një lirike impulsive me perceptime universale, të ndërtuara me një figuracion të thjeshtë, por që shtresojnë në vete kuptime të shumta. Si e tillë kjo poezi hynë në panteonin e vlerave të mëdha të letërsisë europiane. Dijetari i madh i letërsisë Northrep Frajo shkruan se "lirika është mimezis i brendshëm i tingullit dhe imazhit, kështu lirika mëton të jetë një modues tematik". Andaj procesi orakullor (predikues) koncentrohet nga predominanca e tingullit dhe dykuptimësisë së kuptimit. Kjo ndjehet kudo në këtë përmbledhje poezish.
Letërsia rumune e zhvilluar në shtratin e Ballkanit, ku ndërkomunikimet kulturore dhe mitologjike kanë qenë të hershme e funksionale, bart në vete shenja specifike të lidhjeve ndërletrare e ndërkulturore. Andaj më të drejtë shkruan Rexhep Ismajli se letërsia e sotme rumune hyn në radhën e letërsive interesante dhe të rëndësishme të Europës. Prandaj, kontekstualizimi dhe përkthimi i saj në ambientin letrar shqiptar, duhet kuptuar si ndihmesë e madhe për artin poetik shqiptar, jo vetëm në hapje e universalizëm, por edhe në gjetjen e formave të reja të këndimit poetik.
2.
Antologjia e poezisë së sotme rumune, "Mosha e Artë e Dashurisë " e ardhur në shqip me përkthimin të bukur, me një gjuhe poetike të këndshme e tingëllimore, nga ana e poetit dhe veprimtarit të dalluar Baki Ymeri, shënon një moment me rëndësi për sforcimin e lidhjeve mes kulturës letrare shqiptare dhe asaj rumune. Kjo antologji e projektuar nga prizmi i një kërkimi letrar që ec nëpër dekadat e fundit të zhvillimit të poezisë rumune, përfshin njëzetenjë poetë eminentë rumunë, që vijnë në shqip me një përgatitje profesionale të kënaqshme estetike. Në këtë kontekst, ky projekt duhet vlerësuar si përpjekje tejet serioze që ndihmon afrimin e dy kulturave, për të cilën gjë një kontribute të çmueshëm jep Baki Ymeri, punëtor i devotshëm në afirmimin e letërsisë shqipe ne Rumani, respektivisht kësaj të fundit tek ne.
Antologjia hapet me një poezi me përplot drithërima vibruese të poetit të madh, Emilia Dabu, titulluar "Shqiponjat", dedikuar Kosovës në vitin 1999 dhe tragjikes që ka përjetuar ajo. Në këtë poezi, poeti përshkon tragjiken nën qiellin kosovar me nota trishutese, ku bota përballet me luftën e së drejtës. Vargjet janë të sofistikuara me kode poetike universale, ato mbartin ne vete tërë dramatiken e një gjendje, ndërsa semantikë e tyre del e shumëfishtë: "Kosova e trishtë si vullkan shpërthente/Zemra shakmisej nga shkrepjet e djeshme/Amerika rizgjohet të bëjë drejtësi/Të djeshmen për ta gjetur në vërtetësi /I love you - të thuhet se je i zënë/Përrallat qenje mbitokësore t'u bënë/Mrekullia e jetës reket të jetë anuluar/Qenje hyjnore me të shenjtën jetë/ për atdhe flijuar /Në botë ekzistojnë luftëtarë të së vërtetë/Krenaria e tyre pret vendimet tona jo lutje/Të plagosur nëse jeni nga ngjyrat e vjeshtës"
3.
Në komunitetin e kritikës letrare ekzistojnë pikëpamje për letërsinë, sipas së cilave, forma e letërsisë që definohet si poezi, është përfaqësim i letërsisë që ka vlera estetike (kritika e re anglo-amerikane) dhe se vlerat e saj lidhen me realizimin prej saj të funksionit emotiv të gjuhës. Pra, gjuha, përveç se është esencë për letërsinë, për poezinë, veçanërisht është vetidentifikim e objekt, përfaqësimi dhe sintetizimi i të gjitha niveleve të tjera që përcaktojnë dhe definojnë poezinë si formë e shkrimit artistik. Duke përjashtuar rrëfimin, poezia, përmes gjuhës evokon situata, ide a ndjenja poetike, që e bëjnë këtë formë shkrimi, art të madh letrar, mbretëreshën e arteve apo edhe artin më universal.
Duke qenë "arti sfera e lirisë" (Jurij Lutman), ekuivalenti i kësaj poezi rumune që e lexojmë tash është sfera më sublime e përjetësisë së fjalës me gjuhën e orakujve, që nuk është gjuhë e zakonshmërisë, ajo është gjuhë e shpirti dhe e mendjes së fisme, e tingullit dhe ritmit si jehonë kuptimeve të mendjes e arsyes. Duke u realizuar përmes asociacionit të fjalëve të figurshme që zhvendosen nga kuptimet e zakonshme, poezia me ornamente e vetëpërcaktuese zbukuruese, mendimeve ju jep ngjyrë emocionale, ideve drithërima e copëza shpirtërore, gjykimeve ndjenja sentimentale.
Këto trajta të diskursit poetik i hasim në përgjithësi në antologjinë në fjalë, në të cilën pikasen perceptime specifike për njeriun, botën e tij për rreth, dashurinë, për arin dhe poezinë dhe gjitha segmentet që lidhen më te, përmes një gjuhe të veshur nga një sistem stilistik i përpunuar, ku simbolet dhe metaforat luajnë rolin dominues. Dhe ku idetë mishërohen me perceptimet emocionale me figura të shumta stilistike. Kështu tek poezia e poetit të njohur Nichita Stãnescu, vargjet ndërtohen përmes lojës specifike të fjalëve e imazhesh, gjithnjë në funksion të intencës poetike: I shtriu ndaj meje gjethin/Si një dorë me gishtërinj/Unë shtriva ndaj tij dorën/ Si një gjeth me dhëmbë (Jofjalët).
4.
Poezia rumune, e prezantuar në këtë antologji, karakterizohet nga shprehja lakonike e mendimi i thellë, gjuha simbolike dhe inspirimi i përhershëm. Gjithë poetët shkruajnë me ndjesi të holla poetike, kultivojnë vargjet moderne e posmoderne, brenda një sistemi vjershërmi thuajse klasikes. Në këtë aspekt, poezia e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të sotëm rumun, Mircea Cãrtãrescu, preokupimin e shtrin në sferat afektive, ku përthyen e bukura dhe e dobishmja në kontekstin e një estetike të dëshirueshme. Lirika e tij është i çliruar nga nostalgjitë dhe pëlcet nga drama e njeriut pa shtegdalje, me një sentimentalizëm të matur: Çfarë skllavërimi/Çfarë neverie,/Çfarë mërzie.../(Dokument Olograf). Këto pyetje retorike, që nxisin gradacionin poetik, shprehin kulmin e një dëshpërimi që pëlcet në mërzi, por të cilën e mposhtë poezia dhe bota e saj sublime.
Ky poet, poezinë e ndërton me kontraste të fuqishme dhe paradokse mendimesh, të cilat e bëjnë të admirueshme: "Kur duhet të dashurosh nuk dashurohesh/Kur je i vetmuar nuk mund të shpëtosh nga vetmia/Kur je i shqetsuar nuk ka kuptim të tregosh/Kur don të shtrëngosh në kraharor nuk ke kend/Kur don të telefonosh askush nuk është aty". (Kur ke nevojë për dashuri). Në fakt, kontrasti është një element specifik konstituiv e gjithë kësaj poezie, një element dominues i shoqëruar nga parodia dhe një sistem leksikor që del nga jeta e përditshme. Kjo poezi nuk prirët nga abstraksioni, ndërsa në vend të kësaj kultivon mendimin e brumosur me nuanca të lehta filozofik.
Tematika dhe motivet që e dominojnë poezinë e këtij libri janë të nduarndurëshme. Megjithatë, bota e njeriut rumun në katrahurat e kohës është temë në vete. Ajo ndërlidhet me gjitha segmentet tjera, me dashurinë, artin, metafizikën dhe kodet e mëdha religjioze, që kurdoherë enden në trajtat e diskursit biblik nëpër vargje, si tek poezia Marius Chelaru: "Krijimi", ku kodi dhe diskursi biblik endet në poezi me status të veçantë e ekuivok, vargjet evokojnë një situatë të njohur në kontekstin e një gjendje poetik të dhimbshme, aluzionet janë të vetëkuptueshme:"Bota është ngritur nga pyje lotësh/ qerpikëve"Të Zotit të zhuritur / nga secili lot kanë rrjedhur/Një nga një zemrat tona me kundërmim jete/Adami e kafshoi gjirin e Evës/Duke e thithur helmin e klithmës së parë/Nga faqet e buzëve të Evës".
Në këtë sens, me interes të veçantë paraqitet edhe poezia e Simona Popescu, të cilën e përshkojnë ndjenjat e dëshpërimit, vargjet kanë në vete një ritëm rebelues: "Unë erdha në botë/Që të mos kuptoj asgjë/Dhe t'i ngatërroj të tjerët/" (Helikë). Këto trajta të bukura lirike, tek poezia e Florentin Popescu, shkrihet nën dominancën e arsyeshme të simboleve si imazhe e arketipa letrare. Në vjershën "Këngë për t'i renduar kuajt në hënë" përmes simbolit të kalit dhe kullosës, figura këto të ngritura në arketipe letrare, ngrihet një klithmë e njeriut që përballet me këmbona të mëdha të errësirës, andaj vnerin e tij poetik e derdh për të sfiduar kosën e stuhisë, që e zhvendos në kontekst kohor, që mund të ndërlidhet me diktaturat e shumta që kanë vërshuar gjeografinë ë poetit:" Ikni, ngase heshtja barbare shtrin takëme kuajsh" Ka ngrirë dhe fryma në kullosë/Dhe trupi i tymtë i shelqeve rënkon/Ikni, ngase po ju kaplon kosa e stuhisë/Ikni, ngase rrugës së kaltërt/Nëpërka e derdh vrerin".
Përsiatjet për artin, për klithmat e tij dhe shqetësimet e tij, pikasen mrekullueshëm në poezinë "Nuk ekziston", të Cassian Maria Spiridon, ku poeti i kthyer në botën e poezisë, përballë shkrimit dhe artit, aty ku prehet lumtura e shkrimit si imagjinacion për jetën. Në kontraste të fuqishëm, shkrimtari pikëtakon dileriumin krijues, në qaste të veçanta ekzaltimi. Për të funksionalizuar intencën, poezia ka në vete paradoksin si goditje, statusi i vargjeve është paradoksal, aliteracioni është funksional: "Nuk ekziston qenje më gënjeshtare se sa poeti/Ai kur thot / të dua / mos i beso. Por gjitha këto i bën me një qëllim të fismë, universal:Nuk ka besë dhe shpresë/Në ëndërrat e veta/I masakron / I tradhton/I dëbon në poema/Për t'u bërë jeta e tij".
Në kuadër të antologjisë në fjalë, shkëlqen si një margaritar poetika e tejet specifike poeti Marin Sorescu, ky emri i madh i poezisë rumune. Poet më botë të pasur e imagjinatë të bujshme, kultivon vargje të gdhendura nga çdo shprehje e tepër, fjalët rrjedhin si margaritar, figurat iu vishen mendimeve në mënyrë brilante, ndërsa sistemin figurativ është krejt autentik. Me perceptimet poetike të holla, ai kultivon vargje kontrastesh të fuqishme, ku simbolet funksionalizojnë intencën poetike të hyrjes në universin e kënaqësisë së artit dhe poezisë. Poezia e tij ndërtohet përmes një humor dhe parodie të hidhur, ku gradacioni poetik dhe ritmi i brendshëm transfigurohen ne vargje të fuqishme: "Ua lidha sytë drurëve/Me një shami të blertë/Dhe u thashë të më gjejnë/Drurët më gjetën përnjëherë/Me një fërgëllimë gjethesh/Ua lidha sytë zogjve/Me një shami reshë/Dhe u thashë të më gjejnë/Edhe zogjtë më gjetën/Me një këngë/Ia lidha sytë trishtimit/Me një buzëqeshje/Dhe trishtimi më gjeti të nesërmen/Në një dashuri/Ia lidha sytë diellit/Me netët e mia/Dhe i thash të më gjejë/Je atje tha dielli/Dhe mos u fsheh më/Pas asaj kohe/Mos u fsheh/Më thanë krejt sendet/Dhe krejt ndjenjat/Të cilave u mundova t'ua lidh/Sytë(Ua lidha).
Në vazhdimësi, poeti manifeston trajta të fuqishme klithëm për dashurinë, apo edhe pezmin e saj: "Jo e dashur mos u mundo të më dashurosh/Një kafe të zezë megjithatë do ta seroj/Nga dora jote/Më pëlqeu ngase ti di ta bësh/Të hidhur" (E kundrova dritën). Ndërsa në poezinë "Tekë" përsiatjet poetike janë ankthe për brengën e artit dhe poezisë, e cila nuk kuptohet nga injorant, që simbolizohet me kërrigat e zbrazëta: "Mbrëmje për mbrëmje/I mbledh/Krejt kërrigat e fqinjëve/Dhe u lexoj vargje/Karriget janë shumë të ndjeshme/Ndaj poezisë/Nuk dimë t'ua prekim telin". Në shkalle të lartë poetike qëndron edhe poezia "Shah". Duke zhvilluar edhe në këtë rast kontrastin poetik, diskursi i kësaj poezie parodizon lojën dhe sfidat e një beteje për të mposhtur fitoren kundruall një dite të zezë. Bota subjektive e poetit ndeshet me një ditë të zezë, edhe pse ai manifeston ditën e bardhë: "Unë përparoj me një ëndërr/Ai ma merr me luftë".
Përsiatjet poetike për tema të metafizikës ndeshen edhe tek poezia e Marin Codreanu, poezia "Luaneshë e kaltërt". Ndërkaq tema e dashurisë, me gjitha nuancat e saja komplekse, është pjesë e rëndësishme e krejt këtij korpusi poetik, ku del më e theksuar, e ku përhumbet nën toposet tjera. Kështu tek poezia "Dashuria" Angela Marinescut, ritmet e dashurisë i përkund në krahët e një dëshire zhuritëse: "Dashuroj kur era ma përkund trupin e papjekur/Kur jeta ime shkon në drejtim të qiejve/ Digjem Mbi turrë përpëlitem e gjallë zëri më ulërin". Trajtat e bukura të lirikës së dashurisë spikaten edhe tek poezia e Gabriela Melinescu, sidomos tek poezia "Këngë". Ndërsa për përsiatje metafizike poetike, dallohen Varujan Vosganian, Graþiela Popescu etj. Kjo e fundit madje ka një poezi brilante "Konvikti kafka", ku tablotë e imazhet janë të trishta, të ankthshme. Më tutje, Clara Mãrgineanu rikthehet tek arti dhe magjia e tij dhe tek poezia "Kushtrimi i fundit", klithma e brendshme është intencë e një poeme të pashkruar, për kohën e shkulur nënë këmbë. Me një impuls poetik të kondensuar poezia e Dan Mircea Cipariu, endet në mes të bukurës dhe tragjikes së jetës, vargjet e së cilit enden në tehun e thepisur të ekuivokëve. "Do të doja të të shoh në televizor/Me shapinin supeve /Duke paralajmëruar një paqë për njëmijë vjet (Biografi subjektive).
Pra, shikuar përgjithësisht, poezia rumune, e përfaqësuar nga një numër e konsideruar poetësh dhe poeteshash, disa të njohur edhe në rrafshin europian e më gjerë, reflekton të bukurën me metafora të qëlluara, të këndshmen me simbole të përpunuara, idetë me nuanca kontrastesh të fuqishme. Janë këto elemente që e bëjnë këtë poezi të rëndësishme, për kontekstin tonë letrar.