söndag 29 juli 2007

Kultura e dialogut

Ndue Ukaj

Kriza shqiptare, të cilën e përjetojmë, edhe sot e gjithë ditën, ka ndërlidhje të pashmangshme, mbase në disa aspekte esenciale, me dimensionet tona historike, qytetëruese, shpirtërore, dhe natyrshëm në këtë arene hynë mungesa e dialogut parimor e të brendshëm, që për pasoj ka sjellur humbjen e besimit në të ardhmen, dvarrjën e idealeve deri në shkallmim. Mungesa e ndjenjës së bashkëpunimit, është një ndër faktorët që është bërë pengesë e mëdha, që po e trondit edhe sot e gjithë ditën kombin tonë dhe po e pengon të ec në rrugën e proseprimit, krahas kombeve tjera të qytetëruara, për të përmbyllur kapitullin e vajtimit të tipit që shkruante poeti Pashko Vasa, me vargun rrënqethës e me status të veçantë tragjiciteti: “O Moj shqypni, e mjera shqypni”.

Në të vërtetë, të “pesë anarkitë tona” të cilat i identifikonte me një dije- analizë të veçantë e lakonike nga Fan Noli, brenda një strumbullar të larmishëm, të përkufizume si: anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike, anarkia e idealeve, në fakt, janë identifikimi i te pesë pengesave që janë sforcuar deri në paradigma për të tashmen dhe të ardhmen. Këto plagë, apo anarki, si të këtilla, edhe pas shumë decenieve, janë diga të fuqishme që na pengojnë t’i flakim tutje cenet tona, paragjykimet dhe shpirtngushtësinë, karshi idealeve dhe të mirave të përbashkëta, për të sforcuar moralin e mirëbërësisë (Branko Merxhani), moral që duhet ndërlidhet me mendimin sistematik, veprimin sistematik. Këto anarki, të ndërlidhura edhe me sindormin e filozofisë së brohoritjeve dhe duartrokitjeve të pakontrolluara, na kanë sjellur para një gjendje anarkiste, edhe në fillimet e shekullit XXI, kur besohej se çështja shqiptare do të përmbyllej me jetësimin dhe sendërtimin në plotëni të projekteve nacionale të nisura me shekuj.

Dijetari i viteve të tridhjeta Lumo Skendo në shkrimin “Ç’na mungon? Ç’duhet të kemi?”, po ashtu sikur Noli, një ndër plagët tona sheh mungesën e idealit. Ky dijetar shkruan: “Një popull nuk rron dot pa ideale, pa një shtytje, pa një qëllim që e bën të ec, të përpiqet dhe të përparojë”.

Idealet duhet të ushqehen nga qëllime të mira dhe të përbashkëta. Një gjë e tillë, nuk ndodh tek ne. Në të kundërtën, shoqëria jonë formësohet në kontraste të fuqishme, mes dimensioneve civilizuese, të cilat konfrontohen mes perëndimoreve dhe lindorëve, mes gegëve dhe toskëve, mes qytetareve dhe katundarëve, mes të djathtëve dhe të majtëve, mes këtij dhe atij, etj. Rezultat i këtyre divergjencave, nuk kemi arritur të ndërtojmë kompromise për asnjë aspekt të rëndësishëm nacional: shqiptarët, varësisht nga vendi ku jetojnë, ndryshe e konceptojnë problemin tashmë ekzistues të gjuhës shqipe, shqiptarët ndryshe e konceptojnë dhe e vlerësojnë historinë e tyre, shqiptarët ndryshe e konceptojnë letërsinë e tyre, shqiptarët ndryshe e shohin të ardhmen e tyre, shqiptarët pikë e pesë, nuk kanë arritur sot e gjithë ditën të bëjnë një kompromis, madje as për të shkruar një histori të letërsisë, të historisë, etj. Në këtë konglomerat problemesh, nuk mund të mohohet se fajin kulmor e ka politika, por këtu nuk mund të justifikohen as elitat intelektuale, shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët, gazetarët, etj. të cilët nuk kanë ndërmarr asnjë përpjekje dashamirëse, qëllmirëse për të ardhur deri ten një kompromise unik, për ndonjë çështje të rëndësishme.

***

Në fakt, dialogu është thelbi i demokracisë, shpirti i cili i jep fizionomi një kombi si njësi e veçantë e një universi qytetërues më të lartë. Përmes këtij instrumenti, shoqëritë arrijnë të realizojnë paqen e qëndrueshme; përmes këtij instrumenti të komunikimit dhe të ndërtimit- sforcimit të marrëdhënieve ndernjerëzore, grupet, shoqëritë, kombet arrijnë të bashkojnë forcat, idetë, idealet dhe potencialet në drejtim të mirave të përbashkëta, në të cilat të mira të përbashkëta, të gjithë kontribuojnë dhe nga të cilat të mira çdonjëri përfiton. Në të vërtetë përbashkimi i kombeve, përveç për arsye etnike rreth të mirave të përbashkëta, hap shanse të mira për të përparuar shoqëria, vendi i caktuar. Njëherit ulë mundësitë për shpërthimin e diveristeve të rrezikshme, që mund te pasojnë me dhunë, shkatërrime, luftë etj. Empira na tregon shembuj të shumtë në këto drejtime të lartëshkruara; aty ku ekziston dialogu dhe ku problemet diskutohen në mënyrë parimore, humb gjasa për kërkimin e zgjidhjeve tjera me forma jodialoguese.

Në kulturën perëndimore dialogu është alfa dhe omega e çdo problemi, angazhimi e vizioni. Perëndimi mendon se ku përfundon dialogu, aty fillojnë të vijnë në shprehej instrumentet tjera që sjellin dhunë, shkatërrime, destruktivitet, pandehmet e së cilës sot i gjejmë ane e kënd botës lindore, në të cilat kemi probleme të thella, të cilat përveç mungesë e aspekteve tjera, janë rezultat i mungesës së dialogut thelbësor. Sot virtytet karakteristike që kanë ndihmuar perëndimin të krijoj mirëqenie të lakmueshme, janë produkt i etikës së përbashkimit dhe krijimit të vlerave të përbashkëta.

Në realitetin shqiptar, ky fenomen paraqitet mjaft kompleks dhe fenomen në përshkallëzim, për të keq. Disi ka humbur sensi i dialogut të mirëfilltë dhe të sinqertë. Shqiptarët ane e kënd hapësirave, dialog bëjnë për t’ia bërë qefin njëri tjetrit, apo për të kundërshtuar njëri tjetrin. Ndërsa më së paku, për të shtruar ide dhe për të zgjedhur probleme. Ndaj sot si komb vazhdojmë të vërtitemi mes një të kaluare të mjerë dhe një të ardhme të panjohur, pikërisht nga mungesa e vullnetit dhe besimit për të ardhmen dhe nga mosaftësia për të komunikuar, për t’u marrun vesh.

***

Kultura e dialogut është premisa e gjitha zgjedhjeve; është aspekti që shtreson elementet bazike të një sistemi të qëndrueshëm shtetëror dhe kombëtar. Në të kaluarën tonë, dialogu ka munguar. Për fat të keq, edhe sot po mungon. Madje, në momente më të rëndësishme për kombin, dhe ka indikacione se do mungon edhe në të ardhmen. Dhe atë, ”falë” pikërisht njerëzve të cilët janë të ngarkuar të promovojnë dialogun. Të cilët, për fat të keq promovojnë antidialogun, kulturën e bojkotit, mendësinë sterortipe të zgjedhjes së problemeve, ikjes dhe kamuflimit të problemeve.

Me këtë strukture të elitave, politikës dhe arsimit, as që duken shenja të nisen debate të mirëfillta, të cilat do shtronin probleme, do të analizonin probleme shkaqet dhe pasojat, dhe do të nxjerrin pastaj konstatime në bazë të premisave empirike për problemet, që gjithsesi do të rezultonin me përbashkimin rreth të mirave të përbashkëta, në të cilat të mira, gjithë shqiptaret kudo që janë, duhet të kontribuojnë, dhe nga të cilat gjithë duhet përfitojnë. Pa e ekzagjeruar këtë problem, analizat e çfarëdoshme që bëhen në realitetin shqiptar tregojnë se dialogu është për shqiptaret gjithçka tjetër përpos aftësi për tu marrun vesh, për të bashkëpunuar, për të bashkërenduar dhe për të ndërtuar kompromise të caktuara në drejtim të së mirës së përbashkët. Madje për shumëkënd dialogu ndërdijshëm konceptohet turp, frike, lëshim e çka jo tjetër. Duke mos e kuptuar te kundërtën, se pikërisht dialogu është vlere, është shanse dhe shprehje e vetëdijes së lartë emancipuese.

Në përditshmërinë shqiptare, duke u nisur nga politika e cila qëndron në majat e së këqijave, pastaj tek strukturat tjera shoqërore, akademitë dhe institutet e ndryshme, deri tek elitat e mediat, shohim se nuk eksiton, madje asnjë fushë ku në arrijmë të përbashkohemi rreth të mirave të përbashkëta, duke i harruar cenet e caktuara dhe të metat e ndryshme, që mund të na diktohen nga çfarëdo faktorësh.

Në debatet e shumta që bëhen ane e kënd botës shqiptare, sheh gjithfarë tezash e gjithfarë trajtimesh, por më së paku gjen analiza që merren me realitetin e problemit, atë që konceptohet shkak dhe pasojë.

“Shqipëria lindi nga zoti( nga idealizmi), shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët” shkruante dijetari i madh Faik Konica. Sot vrasësit e shqiptarëve nuk janë armiqtë e jashtëm, ata nuk janë as vetëm politikanët, ata janë brenda, duke tharmuar shpirtin shqiptar. Kundër këtij fenomeni, duhet të dilet në betejë të hapur dhe të pakompromis.



njohja (Tregim)
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj
Unë gjithmonë kërkoj, sepse vetëm kështu jetoj. Nëse vetëm një ditë nuk do të kërkoja, sigurisht do vdisja. Kërkimi për mua është sikur ajri, pra të jetoj. Por, ja që njeriu shpeshherë gjatë kërkimit gjenë gjera që s’duhet, apo të them më troç, takohet me gjëra që e tundojnë, pastaj e zhgënjejnë. Unë jam nga ato gra që kam kërkuar shumë për dashurinë, por asnjëherë nuk e kam gjetur. Prandaj, jam lëshuar në krahët e kërkimit duke nuhatur në botë dashurinë, me të cilën nuk ngopem dot dhe për të cilën jam në gjendje të kërkoj pa lodhje ditë e netë, madje edhe nëse nuk do ta gjejë deri në frymën e fundit…
Askush s’mund të besonte se në fund të katrahurës së vetmisë, ashtu sikurse në fund të territ përbindësh, vetëm një xixë mund të triumfojë. Ishte kjo shkëndija që pushtoi errësirën, apo fshehtësia e thellësive të lumturisë, mrekullia e të gjitha mrekullive të kësaj bote që godet kur më së paku e pret…

(Tregim)

Përgjërimi im kishte marr fund.
Sa çelë e mbyll sytë humba toruan dhe rashë në tundim të syve të përgjumur të gruas që ecte trotuareve të qytetit me shikimin e humbur, pamje kjo që krijonte pandehmën e parë. Ajo ishte një grua e vetmuar e cila kërkonte vazhdimisht diçka, që zakonisht nuk gjendet. Këtë pandehmë timen e sforconte dukja e saj, shikimi i thellë dhe lëvizjet e kokës në mënyrë tejet elegante. Thashë mëvete, do jetë një nga ato gratë që gjithmonë në jetë vetëm kërkojnë, e kurrë s’gjejnë gjë nga çfarë kërkojnë, dhe një ditë, vetëm kur të mplakën, marrin uratat dhe nënshtrojnë gjunjët para Virgjrës Mari, duke u përgjëruar për falje mëkatesh.
Ilustrimi: Jon Sayer - CopyrightQysh sot, ca minuta para së dielës në Kishë, i dhashë fund edhe lidhjes me Anitën. Njëherë isha përbetuar, madje këtë përbetim e kisha bërë edhe në mesin e miqve të mi piktorë, se e fundit dashnore me të cilën do lakuriqësoj trupin pa fije turpi, do jetë italianja flokëshprishur, me të cilën u ndava pa asnjë ndjenjë dashurie. Për çudi, ajo më vonë mbeti diç më shumë se dashuriçkat e panumërta në mendjen time.
Frederik - më pat thënë atëherë me italishten e bukur, duke e përthyer me një shqipe përplot muzikalitet - të dua.
Unë, as për mendjemadhësi, as për jomirësjellje, madje as për mungesë dashurie, nuk ia ktheva, por vetëm i thashë - do të duash edhe të tjerë ashtu si mua tash.
Asaj i rreku një çurg lotësh për faqe. Nguli shikimin në dhe, dënesi thellë, nga ato dënesje që në trajtën më të bukur i dëgjoja në shtrat, apo vende tjera ku bënim dashuri me orë të tëra, siç qeshnim shpesh, binim në gjumë të dashurisë. Unë ia putha faqet e përlotura por pa fije dhimbjeje.
Unë nuk do lakuriqësohem me askënd pas teje - më tha prapë me tinguj të vrarë e shikim që lejonte të lexohej një pikëllim i tmerrshëm tek përshkonte fytyrën e saj të bukur. Kësaj here italishtja e saj, çaloi shumë. I fundit që ke bërë piktura në trupin tim - m’u pat drejtuar, duke e ngritur tonin e zanoreve aq kumbuese - je ti - dhe tash që po më krijon një zgafelle në jetë, më duhet të pres fundin, atë fundin të cilin e presim gjithë, duke të kujtuar ty.
Unë jam piktor, që rrugët e gjata deri tek lakuriqësia i shndërroj në eksperimente vizuale, prapa së cilave lundroj në botën e çudirave të grave, aty ku shtatë qiejt luftojnë ashpër me prapështuesit e përbaltësuesit e artit - iu përgjigja dhe kuptova se bëra një filozofizëm të tepruar. - Madje, edhe unë para se të dashurohem me ty, jam përbetuar për Zot e tokë se e fundit që do lakuriqësohem me një femër do jetë dashnorja që kisha para teje.
Pa e zgjatur më shumë, e putha në faqe dhe i dhashë një dhuratë të çmuar si kujtim të fundit. Ajo e hapi ngadalë: një pikturë nudo! U step dhe si e trishtuar u përplas në mua.

Piktura i ngjante një vullkani, nga i cili dilte një zjarr krejt flakë ari, i cili e kishte të mbërthyer gruan prej pjesëve më intime e poshtë. Vithet e saj i si grykë vullkani, mbi të cilin rrinin qëndrueshëm gjinjtë, si dy maja malesh magjepse, aq të pamundura për t’i shijuar në tërësi. Ato kishin marr trajtën e dy yjeve ndriçues. Ajo e vështroi gjatë dhe me sy të ënjtur nga lotët, iku nga unë, pa më thënë asnjë fjalë.
Italianja flokëshprishur edhe disa herë erdhi në atelienë time, derisa një ditë u zhduk përgjithmonë.
Nejse, s’di përse mu përplas ky kujtim bash në këtë moment. Gruaja e cila ecte para meje, edhe pas disa minutash, u përbirua rrugëve duke luajtur trupin e saj elastik, ashtu siç ishin rrugët e përdredhura tek ne. Unë e përcillja pa vetëdije. Ajo dukej se ecte po me ato ritëm me të cilin mu përplas në sy, sikur tek kërkonte diç çmueshme, por të humbur.
Pasi i dhashë fund lidhjes me Anitën, thashë mëvete, do e shkeli edhe njëherë përbetimin dhe do i ofrohem. Kishte të veshur fund të kaltër, me një bluzë të tejdukshme në të bardhë të shndritshëm, që e bënin të dukej vërtetë zonjë e rëndë, nga ato që përshëndetjet me meshkuj i bëjnë me zgjatje për puthje dorësh. Pjesët e dukshme të trupit i shkëlqenin fortë dhe e bënin tejmase sfiduese. Ajo lente përshtypjen e atyre grave të epshme për dashuri.

Më fal zonjë, mos ju ka humbur diçka, më dukeni se ecni e dalldisur, sikur diç e çmueshme të ketë rrëshqitur nga dora e juaj. Vërtetë më falni që ju drejtohem kështu, por më keni krijuar këtë përshtypje, prandaj dëshiroj të dëgjojë nga goja juaj e ëmbël, nëse nuk është e vërtetë, nëse sytë e mi gënjehen lehtë dhe unë torollasem pas grave të bukura. Dhe pastaj do shporrem nga ju shpejtë, më besoni, do të zhdukem si era.
Ajo vetëm më shikoi me një buzëqeshje enigmatike. Sytë m’i nguli thellë, aq sa më ngjalli frikë e lemeri përnjëherë. Por, përnjëherë ata sy të kaltër u zbutën, shkëlqyen nga disa rreze të brendshme, dhe shpejt u shpërndanë nëpër trupin tim. Ajo më shikonte, sikur atë që kisha përshtypjen se e kishte humbur, tash e kërkonte në mua, në trupin tim, të cilin sa herë u pata përberë se nuk do ta lakuriqësoj me asnjë femër më.
Unë gjithmonë kërkoj, sepse vetëm kështu jetoj. Nëse vetëm një ditë nuk do të kërkoja, sigurisht do vdisja. Kërkimi për mua është sikur ajri, pra të jetoj. Por, ja që njeriu shpeshherë gjatë kërkimit gjenë gjera që s’duhet, apo të them më troç, takohet me gjëra që e tundojnë, pastaj e zhgënjejnë. Unë jam nga ato gra që kam kërkuar shumë për dashurinë, por asnjëherë nuk e kam gjetur. Prandaj jam lëshuar në krahët e kërkimit duke nuhatur në botë dashurinë me të cilën nuk ngopem dot, dhe për të cilën jam në gjendje të kërkoj pa lodhje ditë e netë, madje edhe nëse nuk do ta gjejë deri në frymën e fundit.
Është rrugë e gjatë për të ardhur deri tek lumturia, mbase kjo nuk arrihet lehtë - më tha me një mprehtësi, e cila shprehte një përvojë për atë që fliste, ndërsa shikimin si shigjeta se ndalte aspak nëpër trupin tim.
Unë mbeta i shtangur para saj e syve magjeps.
Gruaja sa vinte ngulte sytë thellë e më thellë në mua, sikur lexonte gjitha të fshehtat e mia, i shikonte ato nga thellësia, ngopte sytë me pjesët e mia intime, madje me seksin tim, i cili tash ishte trazuar dhe nuk zinte vend para trupit ta saj epshor.
Ke trup të bukur - i thashë, më shumë me dëshirën që të lë temën e kërkimit, se sa për t’i dhënë një kompliment, të cilin edhe ashtu e meritonte, por nga i cili të them të drejtën frikoja. Doja që ky fillim ngacmues të merrte kahje tjetër. - Më fal, nuk të thash emrin, unë quhem Frederik - ndërhyra me një ton krejt të pamatur.
Sa i këndshëm – m’u përgjigj. Kam njohur një djalë, isha atëherë e re, quhej Fredi, atëherë unë studioja, në duart e tija u zhvirgjërova.
Gruaja shkëputi sytë nga trupi im dhe u zhyt në krahët e mallëngjimit.
O zot, çfarë komunikimi i pazakonshëm, thashë me vete. Ishte hera e parë që takoja një grua në trotuare dhe flisja për seksin, për zhvirgjërimin, për pasionet e dashurisë, ende pa u njohur, madje pa ditur as emrin e saj.
Një puhizë e lehtë e aromës pranverore më përshkoi trupin tejpërtej, ndërsa gruas ia luajti nga trupi veshjet. Nga brenda vërejta dy gjinj të bukur, të cilët qëllimshëm ishin lënë pak jashtë.
Si t’ia bëjë - thash mëvete.
Mendime të çuditshme më vërsuleshin në kokë por asnjë nuk arrija ta artikuloja për t’ia shprehur gruas që kishte mbetur e stepur para meje, tash në heshtje përvëluese.
Mund të më shoqërosh në atelienë time, e cila gjendet jo larg nga këtu - i thashë me një zë që mu duk se erdh jo nga unë. Ishte tamam nga ata zëra që ndodh të duken, edhe pse dalin nga vetja, të huaj.
Ajo, pa asnjë hezitim u nis krah meje.
Ecnim pa bërë ndonjë komunikim, përveç ndonjë prekje të herëpashershme, si të rastësishme në krah; prekje që mua me cytëte edhe më tutje drejtë aromës së gruas që ende nuk ia dinja emrin.
Pa u ofruar tek atelieu u humba, tamam ashtu sikur të ishte hera e parë që hyja brenda me një femër.
Hapa derën me qetësi elegante. Ajo vetëm nuhaste, e nganjëherë çante buzët e trasha duke krijuar një pamje të mrekullueshme në fytyrën e saj delikate, që sa vinte për mua bëhej më engjëllore.
Shkëndija dashurie - më tha një zë nga brendësia, por duke mos dashur të jetë aspak e vërtetë një tronditje e tillë, sapo i dhashë fundit lidhjes me Anitën.
Nuk munda t’i bëjë ballë kureshtjes që të mësoj se çfarë në të vërtetë kërkon - i thash derisa zhurma e hapjes së derës i bëri fjalët e fundit vështirë të kuptueshme për gruan, e cila në vend të një përgjigjeje, sëpari rrudhi krahët.
Pas pak sekondash, ashtu në heshtje përvëluese për mua, m’u drejtua: S’të duket pak e çuditshme t’i kuptosh gjithë të fshehtat e një gruaje të cilën sapo e ke takuar. - Timbri i zërit të saj mori ca nuanca kritike, por dosido ruanin një ëmbëlsi.
Nuk jam kurvë - u shpreh beftë me zë të thekshëm, aq sa mua m’u duk sa britma e saj depërtoi në lokalin përbri nesh, ku ishte një gazetë e madhe e vendit dhe ku gumëzhijnë silueta të gjithfarshme. Në të vërtetë më kapi një panik.
Ç’dreqin m’u desh që hyra në këtë aventurë pa nevojë - mendoja mëvete dhe u kredha për pak në krahët e mendimeve, nga të cilat shpejt kuptova se s’mund të nxjerrja asnjë përfundim. Si të organizoj këtë vizitë - i thash vetës, do vazhdoj me ato tema të zjarrta për seksin apo reagimi i gruas, ishte parashenjë se nuk duhej futur lojërave intime, nga fakti i thjeshtë, sepse ajo nuk ishte kurvë dhe nuk dëshironte të trajtohej e tillë nga unë.
Çfarë domethënë kur një femër të thotë nuk jam kurvë - e kishte pyetur një mik poet, i njohur për zjarr seksi në poezitë e tij, vetëm disa vite më parë. Ndërsa unë, i cili asnjëherë në jetën time nuk i kam besuar dashurisë, nuk dija të bëja shumë dallime mes kategorive të femrave. Në fakt, të gjitha për mua lidheshin me një pasion, edhepse në të vërtetë kisha mëdyshje për këtë mendim.
Ç’kërkon tek unë, përpak sa nuk i bërtita gruas, për t’ia dhënë një të goditur në gjoksin e saj të fryrë, që sa shkonte më çmendte. Ajo sikur nuhati nervozen time me këtë situatë të papritur dhe m’u drejtua: Të thash se kërkoj, kërkoj vazhdimisht, por nuk jam e përdalë. Lumturia kërkohet çdokund, në çdo cep rruge, në çdo vendimtar, madje pse jo edhe në çdo kalimtar, andaj edhe në ty kërkova diçka por mos me pandeh për të përdalë, edhe nëse unë pranë këtyre pikturave tua nudo mund të zhvishesha, të hidhesha si një përbindëshe mbi trupin tënd, të thithsha çdo cep të trupit tënd. Assesi mos më pandeh për të përdalë, sepse kurvat janë vetëm shpikje pabesish të burrave të cilët s’kuptojnë gjë nga thesaret e lumturisë së femrës.
Duhma e pikturave s’kishte sesi mos ta ngashënjente edhe më pasionin tim, i cili sa vinte përndizej. Por, as gruaja aspak nuk arriti t’i ikte ngashënjimit.
Askush s’mund të besonte se në fund të katrahurës së vetmisë, ashtu sikurse në fund të territ përbindësh, vetëm një xixë mund të triumfojë. Ishte kjo shkëndija që pushtoi errësirën, apo fshehtësia e thellësive të lumturisë, mrekullia e të gjitha mrekullive të kësaj bote që godet kur më së paku e pret.
Në këtë moment, sikur nga qielli iu kujtua një frazë romani, “Unë s’po jetoj as në të kaluarën as në të ardhmen time. Kam vetëm të tashmen, e unë këtë e dua”.
Pasi përshpërita diç të pakuptimtë mëvete, rashë në krahët e mejtimeve. Pas viteve të shumta që nuk besova në dashuri, papritur fillova të mos shoh asgjë tjetër përpos gruas që qëndronte përballë meje, së cilës as emrin nuk ia dinja. Çuditesha me këtë skenë, madje çudirat e mia shkonin deri tek një ankth. Por ja që më tërhiqte si magnet, doja vetëm fytyrën e saj ta shikoja, ta ndieja, ta përjetoja, ta puthsha fortë, të flija në gjoksin e saj e pastaj në të të thithë lëngun për penën time të ndryshkur, për të bërë një pikturë me zjarrin e dashurisë.
Në të vërtetë thellësia e fshehtësisë së dashurisë është në përtejshmërinë e gjërave të kota; shtrihesh sikur nën rrezet e diellit veror dhe lejon depërtimin e tyre në gjithë trupin, ashtu unë dëshiroja të kredhesha në mrekullitë e trupit të gruas dhe në çdo cep të ndiej frymëmarrjen e aromës së saj.

Kishin kaluar ca minuta të përhumbjes sime. Gruaja ishte ulur në cepin e pasmë të atelies dhe shikonte e hutuar një mori pikturash të varura gjithkah nëpër mur. Iu ofrova ngadalë. Pa menduar gjë, dora ime u përhumb në flokët e saj të përdredhura supit të saj të butë dhe sa çelë e mshelë sytë ndjeva një të nxehtë në gojën time. Gruaja së cilës akoma nuk ia kisha mësuar emrin dhe pas së cilës u dashurova sikur një adoleshent, m’u hodh në një përqafim të fortë. Duart e saja lëviznin nëpër trupin tim me mjeshtëri, ndërsa unë sikur në ëndërr ndieja aromën e magjishme të saj. Në gjoksin tim ndieja të rrahurat si çekan që vinin nga trupi i saj i zhveshur tërësisht. Kisha harruar fare se dera e atelies ishte hapur!
Roman për kauzën artistike dhe edukimin estetik
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj

Romani “Portreti i artistit në rini” është proza e parë e Xhems Xhojsit botuar më 1917. Romani që në titull sugjeron një sugjestion, mënyrë të leximit; ky roman nuk është histori e revolucionit, por prozë e gjatë e ndërtuar nga prirja dhe rebelim i djalit të ri, heroit të romanit, portreti i artistit të afishuar, në tundimet e brendshme drejtë sforcimit të diskursit letrar që mbron Kauzën Artistike, kundrejt “ofrimeve” tjera që sillen vërdallë jetës së tij. Është kjo intenca estetike e narracionit në roman dhe rrugë e kërkimeve të thella artistike, realizuar përmes kryeheroit letrar, personazhit emblematik Stiven Dadalusit. Mbase edhe alteregos së autorit. Duke trajtuar një nga temat më specifike të artit, vetë qenësinë e artit, apo “qenien letrare”- siç do të thoshte studiuesi i madh francez i letërsisë, Zherar Zhenet, Xhems Xhojsi e ngrit këtë roman në piedestalin e perlave më të mira të artit dhe për artin, në rrafsh universal letrar, duke u marr si tekst bazë edhe për shumë interpretime të fenomenit të artit.


Prej faqes së parë të romanit, lexuesi ndesh një thyerje të zakonshmërisë narrative. Domethënë, teksti nuk ndërtohet sipas një traditë narrative të njohur, por autori bashkdyzon stile dhe krijon mozaikun narrativ specifik, që ecën në shtratin e logjikës së personazhit, motivohet prej tij dhe shkon në intencë të platformës së tij. Ky model i prozës narrative në kritikën letrare është cilësuar si Letërsi e Përroit të Ndërgjegjes. Në të vërtetë, ky kualifikim, përkon me esencat letrare të romanit. Gjithçka që thuhet, rrëfehet- ndodh brenda psikes së personazhit, ndërlidhet me të, dhe ec në drejtim të përplotësimit të intencës që shpërfaq heroi (personazhi) letrar, herë në formë të heshtur, herë në formë kryengritëse.


Romani “Portreti i Artistit në rini”, karakterizohet nga stil metaforik i rrëfimit, në të cilin reflekset dhe imagjinacioni autorial, ecin paralelisht, për të përplotësuar intencën e afishuar në titull; portretizimin e artisti në rini, përmes nuancave të larmishme poetike.


Xhems Xhojsi përmes këtij roman ngrit në piedestalin e lartë Kauzën e Artit Letrar. Madje sekuenca të tëra narrative që zhvillohen në tekst, ecin në përmbushje të kësaj logjike letrare. Janë këto efektet e kauzës që bëjnë personazhin Stiven Dadalusit të pathyeshëm përballë jetës dhe stuhinave të saj. Ngase, në botën e tij është ndrydhur pasioni për të bukurën dhe lirinë e pakufishme dhe artikulohet nëpërmjet interelacioneve dhe diskurseve, që konstruktojnë tipin e prozës, që ne, e cilësojmë si roman të edukimit estetik. Këtë dimension karakteristik letrar, por edhe narratologjik e përplotëson kuadri i rrëfimit që e zhvillon Xhojsi përmes mekanizmave funksional në procedimin letrar. Ndaj protagonistin e romanit, Dedalusin e përshkon një dimension i natyrës protestuese: ai nuk ndjen respekt për askënd, dhe në ndërdije të tij kultivohet fuqishëm kauza artistike, e cila bije ndesh me ambientin që e rrethon dhe dëshirat e familjes së tij dhe rrethit shoqëror të tij. Në këtë konfrontim letrar, Stefani vetëm kthehet në respektin e performansës së tij, që rrjedh nga rebelimi personal dhe i pavarur, që kërkon liri të pakufishme- thotë studiuesi i veprës së Xhojsit, Ben Foley. Dhe këtë e gjenë vetëm në botën e artit, ku noton shpirti i tij i pasionuar. Për të sforcuar këtë diskurs, autori edhe personazhit i jep mbiemër mitologjik, që ndërlidhet me figurën e Dedalusit mitologjik, i cili i jep të birit Ikarit një parë flatra për të fluturuar në qiell, derisa krahët e tij i shkrin flaka e diellit. Kjo shenjë letrare, koincidon me dëshirën e pakufishme për liri të mendjes, pa kufizime deri në vetësakrifikim.


Kritika letrare këtë roman, përpos cilësimit si pozë e rrjedhës së ndërdijes, ose letërsi e përroit të ndërgjegjes, e ka cilësuar edhe si prozë autobiografike, në të cilën shfaqen shenjat e autorit empirik, në rrugët e tij jetësore, sidomos në rrugët e formimit artistik.
Më tej, Xhems Xhojsi, sëbashku me autorët Franc Kafka, Albert Kamy e Marsel Prust, vlerësohet nga kritika letrare autori më fundamental i prozës moderne në letërsinë perëndimore, që ka një stil specifik letrar dhe një tekstualitet dinamik dhe kështu realizon në shkallë të lartë, një prozë të veçantë letrare, substanca e së cilës formësohet përmes një laryshie stilistike, narratologjike dhe estetike. Nga kjo pikëpamje autori bëri thyerje estetike në shkrimin e romanit. Që këndej ky roman është vlerësuar i veçantë për shumë arsye, në kulturën letrare perëndimore.


Xhojsi në procesin e krijimit letrar, synoi një filozofi të të shkruarit me shumëllojshmëri stilesh, duke vënë theksin mbi teknikën semantike të paraqitjes, që shkon drejtë një gjuhe të figurshme, me përshkrime dhe krahasime të gjetura letrare, që kurdoherë korrespondojnë thellë me dimensionin psikologjik të personazhit hero, dhe korrelacionet intertekstuale që ruan teksti me krijimet e mëparshme letrare si pjesë e reminishencës letrare. Në fakt, sajesat intertekstuale përbëjnë një segment me rëndësi në konstruktimin e romanit në fjalë, nga fakti se autori ishte dijetar i pasionuar i letërsisë së përbotshme. Në të vërtetë, të dhënat biografike të tij tregojnë se Xhojsi për të lexuar autorin e dashur të tij norvegjez, Henrik Ibsenin, mësoj norvegjishten.

Thamë se romani ''Portreti i një artisti të ri'' është vlerësuar si prozë autobiografike, ku kryepersonazhi Stefan Dedali, djalosh që mbart një vetëdije një zhvillim, paratregon artistin potencial të së ardhmes, që ndërtohet nëpër peripeci të shumta. Është kjo simbolika e thellë që ndërlidhet edhe me mbiemrin e kryeheroit të romanit, që na rikujton mitin grek, në rrugët për thellësitë e pakufishme të lirisë, në të cilat flijohet. Autorit i pëlqen depërtimi në psikologjinë e personazhit, prej ku zhvillohet narracioni. Kësofare, formëson personazhin letrar edhe si hero të narracionit, i cili ndërlidh marrëdhëniet mes narratorit dhe narracionit.

Stili dhe simbolika xhojsiane

Xhems Xhojsi pa dyshim mbetet një ndër autorët më të mëdhenj narrativ të shekullit të 20-të. I karakterizuar si shpirt antikonformist, me romanin “Portreti i artistit në rini” ndërtoi portretin e heroit letrar, në rrugët e sfilitjes së brendshme, drejtë kërkimit të sublimes së bashkëdyzuar me të bukurën dhe të vërtetën, koncepcione këto që bëhen pjesë e narracionit letrar dhe formësojnë trajtat e stilit xhojsian. Është ky një roman që implikon shenjat autobiografike të rrugëtimeve autoriale, drejtë synimeve të gjetjeve sa më të thella të mistereve të artit, realizuar përmes koloritit të pasur poetik, me narracion dinamik e semantikë ambiguele, ku dramaciteti i gjuhës letrare përplotëson koncepcionet ideomatike.


Romani “Portreti i artsitit në rini i Xhems Xhojsit, endet midis realizmit dhe simbolizmit letrar. Xhojsi funksionalizon figura kryetipre, të cilat sublimojnë në shkallë të lakmueshme parakonceptimet estetike të imazheve letrare, përmes sekuencave narrative që ndërlidhën me krijime të njohura letrare, antike e biblike. Mbase edhe krijime të ndryshme poetike, me të cilat interkomunikon teksti letrar në gjitha nivelet e organizmit.


Në letërsinë botërore, romani “Portreti i artistit në rini” mbetet afreska më e arrirë në interpretimin e artit, përmes artit, zhanrit të prozës së gjatë narrative, romanit. E thamë më lartë, se nga kritika letrare ky roman më plotë të drejtë është karakterizuar si roman i përroit të ndërgjegjes, apo rrjedhës së ndërdijës. Alteregoja e autorit, Stiven Dedalus kryerpersonazhi e romanit, djalosh i ri dhe artist briliant, përshkojnë narracionin e romanit fund e krye, në shtratin narrativ të së cilit rrjedh ndërdija e tij, karshi gjitha episodeve dhe sekuencave narrative të prozës, në të cilin edhe pse ka shumë ngjarje të nivelit dytësor, gjithçka shkon drejtë një qëllimi: edukimit estetik të personazhit. Nisur nga ky mëndim, me të drejtë ky tekst letrar mund të cilësohet roman i edukimit estetik, sepse gjithçka ndodh, ngjarjet dhe situatat narrative si elemente funksionalizohen, dhe ecin në funksion të kësaj intence letrare, për të triumfuar fuqia e artit, efektet e së cilit reflektohen edhe brenda personazhit. Në roman gjithçka shkrihet, në përroin e narracionit dhe në përroin e ndërgjegjes së portretit të artistit, për të funksionalizuar rrëmbimet pasiononte të heroit letrar, Stiven Dadalusit, karshi ambientit, në të cilin ai është i thirrur për gjëra religjioze. Në fakt ndeshja e këtyre dy taborreve, krijon konfliktin letrar, që në fakt do e predominojë ngjarjen që rrëfen narratori dhe njëherit përbën boshtin e fabulës letrare.

Romanin e me ligjërim dramatik konfrontim i dy dimensioneve: brenda heroit letrar dhe jashtë tij. Në këtë konflikt, duhet të triumfojë fuqia e artit, njëherë brendapërbrenda botës së tij delikate, pastaj kundruall asaj që e rrethon. Dhe në këto përplasje me përplot peripeci për heroin, aspak nuk venitet pasioni i thellë në shpirtin e tij, që ka burimin në prirjen për ritmet e muzikës, për teoritë e së bukurës dhe estetikës. Gjitha këto të kultivuara nëpërmjet leximit të poetëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj, ekuivalencën e së cilës e ka referencë te tekstet e autorëve të mëdhej: Aristotelit, Platonit, Toma Akuinit e Shën Augustinit, me idetë e të cilëve personazhi interkomunikon me kompetencë dhe njohje të thellë, për të rikonfirmuar shpeshherë edhe shumë dilema letrare, që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë preokupim i teoricienëve të ndryshëm të artit dhe estetikës. Në këtë dimension, romani “Portreti i artistit në rini” mbetet prozë gjeniale, ashtu sikur “Artit poetik” i Horacit, tekst ku teoritizohen shumë çështje që lidhen me artin, shtrohen mendime të rëndësishme për marrëdhëniet mes artit dhe gjenden përsiatje lidhur me fenomenin e qenies letrare, dimensionit estetik të shkrimit. Janë këto vlera tejëkohore që ngadhnjejnë kundrejt qëndrimit të tij në Kolegj, ku i sugjerohet të bëhet prift, ku ndjen ankthshëm përsiatjet për jetën tokësore, vdekshmërinë dhe jetën përtej tokësore. Autori këto sekuenca i konstrukton me një narracion dinamik, ku mbërthehet në dilema dramatike. Për të sforcuar diskursin letrar, autori i jep romanit dimensione polisemantike, shpërfaqja e së cilit zhvillohet përmes relacioneve që ndërton teksti me tekstet pararendëse, që shfaqën në roman në formë të ndikimeve intertekstuale (Umberto Eco), ndikime këto që përplotësojnë domethënien e intencën letrare, çdo tekst është intertekst (Ronand Barti). Këtë teori letrare e sforcon autori edhe kur interkomunikon lidhur me perceptimet metafiksionale. Inkuadrimi i diskursit antik dhe religjioz e biblik në roman, bëhet me pikësynimin ideor; në drejtim të pikasjes së gjithanshme të karakterit të portretit të artistit në rini, në dramat shpirtërore, kur kërkon rrugëdalje. Në këtë kontekst, autori arrin të realizojë me mjeshtëri narrative, plasaritjet e njëpasnjëshme në qenien e personazhit letrar. Sidomos dalin të fuqishme plasaritjet mes religjionit dhe letërsisë. Këto plasaritje ndodhin në rrugëtimet e heroit letrar qysh në fillimet e tij në Kolegj dhe ecin drejtë qëllimit final: që kur vendosët në Kolegj, i thyhen syzat dhe ndëshkohet nga mësuesi në mësimin e latinishtes, për të vazhduar me mëkatin e dashurisë, që e sfilit rëndë, edhe pasi që rrëfehet dhe pendohet në Kapelën e errësuar, në të cilën i lutet Jezu Krishtit, Shën Mërisë për t’i falur mëkatin, sipas sugjerimeve të bariut shpirtëror. Në gjitha këto trazime dramatike, ndodh e kundërta e narracionit të jashtëm të romanit, ec ndërdija dhe edukon botën e heroit letrar, në shpirtin e së cilit kultivohet pasioni dhe dashuria për të bukurën dhe artin, për të vërtetën dhe estetikën, për emocionet dhe ritmin poetik, për teoritë letrare e estetike. Xhojsi këto situata tekstuale i realizon përmes narratorit të gjithëdijshëm, që flet nga distanca, por që shpeshherë i len të flet edhe vetë personazhin dhe personazhet tjerë, duke sforcuar një diskurs dramatik dhe dinamik të ligjërimit letrar. Në këtë aks letrar, autori harmonizon dy elemente determinante të poetikës së tekstit: përshkrimet e jashtme dhe ndjesimet që ndodhin brenda heroit letrar dhe peripecitë e tij për të gjetur shteg në vorbullën e plasaritjeve në egon e tij. Duke ecur narracioni ndërdijshëm, e sforcon tekstualitetin e romanit drejtë statusit final që ka teksti, me mjeshtri artistike, shkathtësi gjeniale e imagjinatë të bujshme dhe përmes një gjuhë metaforike dhe poetike. Përmes një rrëfimi dramatik që ndodh në unin e personazhit, plotësohet kuadri i përgjithshëm i romanit, edhe në familjen e Stefanit, edhe në rrethin e tij më shok, në të cilin ai gjendet në epiqendër, edhe në kolegj, edhe në kapelë kur shkon për ushtrime shpirtërore, edhe kur Ati shpirtëror në kolegj interpreton për religjionin, për Krishtin dhe mëkatin, për ferrin dhe parajsën, për Shën Marinë dhe Adamin e Evën, për Luciferrin e Katërdhjetë ditët dhe netët e përmbysjeve. Janë këto sekuenca narrative që implikojnë rrjetin interteksutal të romanit, ku ndërfutën citate, asimilohen dhe shkrihen përsiatje biblike, trajtat stilistike dhe retorikë të njohura letrare, si model letrar dhe filozofik krijues. Për të sforcuar instancën letrare të edukimit estetik, autori fut citate të shumta, madje edhe sekuenca biblike. Me një narracion dramatik, autori inkorporon në roman pjesë të predikimit për mëkatin, ndëshkimin dhe ferrin; situatat e tundimit që sfilitin personazhin, sidomos pas predikimit për ferrin, ku ai ndjen fajin e dashurisë, pas ndjenjës që ushqente për Elenën, vajzën që nuk e puthi në tren, por që zemra ia donte, pastaj sharrimi në mëkat me Gruan e panjohur, nën gjirin e së cilës u gjend pa vetëdije, personazhe këto episodike të romanit, të cilët funksionalizohen me synim letrar të plotësimit të kuadrit estetik të romanit. Pas këtyre “mëkateve” pason ankthi që ia shkakton interpretimi i ferrit, tamam ferrit Aligerian, ku shpirtrat mëkatar vuajnë dënimet nga më të ndryshmet. Në këtë gjendje psikologjike të trazuar, personazhi e ndenë se devotshmëria e tij ka marr fund. Dhe kërkon rrugëdaljen. Predikimi thellon mjegullën e shpirtit të tij. Vendos të rrëfehet, dhe atë pas shumë dilemave dramatike. Por trazimet e tij nuk i qetëson as falja e mëkateve dhe predikimi i gjatë nga ana e priftit.


Stiven Dedalus, heroi i romanit “Portreti i artistit në rini” nuk është thjeshtë një personazh, por është gjithashtu një metaforë e madhe e artistit modern antikonformist e rebel. Autori kështu rrymon në ndërgjegjen letrare të heroit, përmes një analize psikologjike dhe gjen të zgjuar shkëndijën e fuqishme që do të shndrit, atë të potencës së krijuesit të madh. “Dukej se kishte ardhur koha që edhe ai të bënte hapat e parë në jetën e kësaj bote dhe në mënyre sekrete kishte filluar të përgatitej për këtë rol të rëndësishëm, për të cilin kishte hetuar se e priste, por natyrën e të cilit e dinte vetëm si mjegull”(fq. 67). Këto shkëndija nëpër mjegulla selitën e kalitën, për të triumfuar artisti i mirëfilltë që ruante zjarrin e fuqishëm artistik brenda heroit dhe triumfon sepse ai ndejn “kryengritje në unin e tij” (fq. 180).

Narracion i rrjedhës së ndërgjegjes-letërsi i përroit të ndërgjegjes

Romani “Portreti i artistit në rini” i Xhojsit u tha se i përket llojit të prozës së përroit të ndërgjegjes, apo ndërdijes. Ky formulim në esencë përkon me domethënien letrare të diskursit të tekstit letrar, përkon fuqishëm me shtratin e gjuhës (Logosit) që përdor autori për të konstruktuar narracionin e romanit. Dhe përkon me Lexuesin letrar, me mënyrën se si shtrihet narracioni në tekst.


Romani ka specifikë të rëndësishme funksionin që luan rrjedha e ndërdijes së heroit letrar, Stiven Dadalusit. Është kjo alteregoja e autori empirik. Këto perceptime që kanë burim në unin e tij dhe ndërlidhen me botën filozofike e psikologjike, trandin thellësitë e psikes së tij dhe ndezin dëshira të papërmbajtura për gjëra të larta, kundrejt atyre më të cilat “ushqehet” çdo ditë, që nga familja deri te qëndrimet nëpër vendet sakrale. Xhojsi din të rrymojë thellë ndërgjegjen e personazhit, në Universin në tij dhe të nxjerr ide brilante për magjinë e artit.


Me realizimin artistik dhe shkallën e literaritetit, romani ”Portreti i artistit në rini” mbetet një nga prelat me të lavdishme në fushën e letërsisë narrative. Është një rrymim i thellë i ndërgjegjes artistike universale në sublimimin e Kauzës së Artit, para së cilës fuqi dorëzohet çdo gjë. Xhojsi përmes këtij teksti letrar synon të sforcoj fuqinë e vlerave estetike, që shkallëzohet me atë Hyjnore. Edhe kryepersonazhi, në këtë bashkëdyzim, përcaktohet për atë që ndjen, në vend të asaj që i ofrohet nga mësimet religjioze, nga sugjerimet e familjes dhe priftërinjtë, edhe përkundër ankthit që i shkakton fakti i të qenurit mëkatar i kësaj bote dhe predikimet e shumta që shkojnë në këtë drejtim. Përcaktohet për artin, në mënyrë që përmes tij, të arrijë botës t’ia transmetojë bukurinë dhe magjinë e fjalës. Mbase edhe magjinë e religjionit, në të cilin ai edukohet si një irlandez katolik.

Narracioni dhe fabula

E thamë se ky roman është i ndërtuar sipas modelit psikologjik të rrjedhës së ndërdijës, që në fakt në tekst ka burimin qysh nga largimi i heroit prej familjes dhe vendosjes në Kolegj, ku sfidohet me rregulla rigoroze të Jezuitëve, deri te studimet e tij, kur përplasjet në qenien e tij, marrin trajta të tundimit. Ngase kjo është përplasje mes pasionit e dhuntisë, mes konkretes tokësore e dëshirave personale dhe interpretimeve që ndesh në mësimet teologjike.


Xhems Xhojsi, duke trajtuar portretin e një artisti të ri, djaloshit Stiven Dedalus inkuadron në narracionin e romanit situata dramatike të ecjeve të personazhit, ecje që zhvillohen në tehun e thepisur të dilemave që ndajnë pasionin dhe vullnetin, kushtimisht me të imponuarën nga rrethanat dhe personazhet që e rrethojnë. Edukimi estetik i të riut Stiven Dedalus, është e kundërta e asaj për të cilën rrugë ai nisët, në kolegj për t’u bërë shërbyes i Zotit. Në këtë aks romani është mbarështruar me vetë të dhëna interesante dhe të mahnitshme, qysh ky si fëmijë shkon së pari në kolegj dhe ndeshet me mjedisin e ri, me rregullat rigoroze që sfidojnë ndërgjegjen e djaloshit. Fillimi në këtë mes, lutjet e përditshme, në të cilat djaloshi merr pjesë pavetëdijshëm, frika nga të këqijat dhe nga mëkatet, përveq se e fusin në labirinte të pa këndshme, nxjerrin në pah shpirtin e vërtetë të tij. Sidomos këto shkallëzohen kur në qeniet e tij fillon t’i ndjen trokitjet e para erotike. Kot se koti lutet, ngase shpirti i tij mbetet shpirt pasionant për gjëra tjera. U përsërit, se ngjarja në roman zhvillohet rreth trazimeve në unin e djaloshit dhe rrethit të tij. Dhe rrethi i tij janë djemtë e njëjtë që shkojnë në rrugën e priftërisë. Po ashtu në këtë linjë personazhet e rëndësishëm dalin drejtuesit e kishës dhe të kolegjit. Jashta këtyre situatave romaneske, një vëmendje të posaçme, autori i kushton edhe familjes së Stivenit. Në këtë rreth letrar marrin pjesë aktive në roman babai dhe nëna, daja Carli dhe malli për jetën e Dublinit dhe ritet e shumta fetare. Një vëmendje me rëndësi në roman paraqet edhe momenti i thyerjes së syzave dhe ndëshkimi që përjeton Stiveni pa faj. Rrahja nga Atë Arnalli, personazh episodik. Rrahja dhe detyrimi të qëndrojë në gjunjë në orën e mësimit të latinishtes, mbetet kushtimisht, të themi, kthesa esenciale e djaloshit, për të ikur shablloneve dhe ndeshja me rregullat rigoroze. Në këtë pjesë, dialogjet zhvillohen me një stil të lartë letrar.

Dilema narratologjike dhe zgjedhja letrare

Ambicia që ndjente nganjëherë duke mos e lërë të qetë në terrin e shpirtit të tij, nuk gjente rrugëdalje”(fq. 69). Ambicia dhe jeta, dy gjëra që ndeshën ashpër, përplasën më tërë fuqinë e tyre. Dy gjëra që ecin në kahje të kundërta: njëra drejtë lirisë së pakufishme, drejtë thellësive të zemrës, tjetra drejtë ligjeve të ngurrta të jetës në objektet e Jezuitëve. I vendosur në Kolegj ku edukohej për prift, Stiveni ditët i kalon duke lexuar shkrimtarë të mëdhenj. Lexon Bajronin, Njumanin etj. Provon edhe vetë magjinë e të shkruarit. Me vargjet e tij magjeps bashkmoshatarët. Dhe rruga e tij në çerdhen jezuite komplikohet në mënyrë dramatike kur ky rrëshqet në mëkat, kur gjendet nën gjoksin e një femre dhe bën mëkatin e fëlliqësisë, siç e cilësonin. Ndjenja e të qenurit mëkatar, vetëm e përforcon kauzën e tij artistike, edhe pse me dilema të mëdha. Mëkati i tij bëhet pengesë e madhe në rrugën e padashjës që kishte nisur. Andaj, për atë s’ka kuptim fjala e stërpërfolur ushtrime shpirtërore në kolegj, ngase kishte bërë mëkatin e destinimit për në ferr. Dhe në këtë kontekst një vend me rëndësi paraqet edhe dimensioni biblik-religjioz që i jep autori zhvillimeve të personazhit, kur fillon ligjërata e priftit, në të cilën interpretohet shkrimi i shenjtë dhe përmasat e tij, duke filluar me Adamin e Evën dhe duke ardhur deri te Jezu Krishti. Ai rrëfehet, lutet dhe synon një jetë të re, por pa mundur të shuajë fuqinë e thellësisë së botës së tij, e cila gjakonte rrugën e artit.


Dhe pas kësaj vjen propozimi që Stiveni të bëhet prift. Pas këtij propozimi fillon aventurë e re në botën e tij të brendshme, një konflikt që le gjurmë të thella dhe përfundon me daljen e artistit të ri në skenë me gjykimet brilante që shfaq para miqve të tij. Nga refuzimi, fillon t’iu jep liri mendimeve të tij, në universin e pakufishëm të artit. Zgjedhja e dilemave për artin dhe estetikën, dialogu me shokun e tij Lincin, personazhin letrar nga shumë studiues të letërsisë, janë marr edhe si referenca apo tekst bazik, për të diskutuar zhanret letrare. Në të vërtetë, këtë referencë e përmend edhe Zheneti në hyrje të kapitullit të tij për zhanret letrare, në librin Figura. Madje këtë referencë e diskuton edhe teoricieni amerikan Northrep Fraji.

Funksionet intertekstuale-loja me diskursin biblik në sipërfaqen e romanit

Çdo tekst është intertekst”-shkruan teoricieni i madh Ronad Barti. Në fakt këtë mendim e mbështesin shumë dijetar të letërsisë. Edhe romani “Portreti i artistit në rini” i Xhojsit ka një rrjet tekstesh të inkorporuara në roman, të ripërpunuara e të rishpërndara. Në fakt diskursi biblik dhe ai religjioz i krishterë e determinojnë në shumë plane narracionin e romanit dhe shpjegojnë domethëniet e përsiatjeve filozofike të personazhit Stiven. Trajtat e diskursit biblik i gjejmë edhe në shumë emra-arketipa, mbase edhe si figura kryetipore letrare e kulturore të kulturës së shkrimit biblik. Përveq kësaj në sajimin e romanit, një rol me rëndësi paraqesin edhe figurat e njohura letrare e kulturore, nga Platoni te Shën Augustini dhe Bajroni e Njumani. Në këtë rrafsh, emocionet tragjike - formulim autorial për teoritë e estetikës, implikimet teorike metafiksionale janë ndër diskutimet më të arrira përmes artit, për fenomenin e artit. “Kur i lodhej mendja në kërkimin e esencës së bukurës në mesin e fjalive të ankthuara të Aristotelit e të Toma Akuinit, shpeshherë, në mënyrë që të pushonte, i kthehej vjershave të gëzueshme të kohës elizabetiane” fq. 198. Në të vërtetë, “ky është krijuesi antisocial, i strukturuar në vetvete” (fq. 199


Xhems Xhojsi me prozën e tij u bë një nga shkrimtarët më të studiuar në botë dhe sot është objekt i vështrimeve eseistike nga më të skajshmit, prej atyre letrare, deri te ato që marrin për bazë edhe meta-teoritë, mendimet-idetë që Xhojsi i zhvilloj nëpërmjet personazhit të romani për artin dhe fenomenet e ndryshme që ndërlidhen me artin. Përsiatjet e Stefan Dedalusit zënë një vend me rëndësi edhe në diskutimet që bëjnë dy teoricien të mëdhenj për letërsinë: në studimet e Zherar Zhenetit dhe në studimet e Northrep Frajit. Në fakt, për çështje të veprës letrare, të koherencës dhe zhanreve, rikonfirmon artistik që bën Xhojsi në njërën nga faqet e romanit, u së si paradigmë letrare e teorike në shumë diskutime letrare.


Stefani është irlandez, është katolik, i gjendur në universin e kondradiktave të mëdha, vendos të jetë vetvetja. Dhe në këtë rrugëtim, sfidë e rëndë mbetet empiria, kisha, nëna, kërkesat që të mos jetë vetvetja. Heroi bën luftë që dromit dhe ngadhënjen arti, përmes harmonisë shpirtërore dhe imagjinacionit djaloshar, kur fillon të thur vargje, me rima e figura brilante. Muzika e dhomës, është një shenjë letrare që e udhëheq në magjinë e shkrimit. Kështu Xhojsi deheroizon heronjtë të fushave tjera dhe shpërfaq heroin letrar.

Në të vërtetë, kjo prozë briliante është shtytëse e edukimit të mirëfilltë estetik. Në fund të fundit, ky mbetet edhe mision i kritikës letrare.
Simbolet si imazhe dhe arketipe në romanin “Alkimisti” të Coelhos
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj
Ndue Ukaj

Për të përplotësuar sa më efektshëm intencën letrare, autori zhvillon fabulën me narracionin linear dhe me një teknikë të sofistikuar poetike. Romani ka fabulë të rrjedhshme, e cila realizohet përmes procedimeve letrare mjaft të përpunuara dhe një sistemi artikulues prozaik modern, ku dallohen fuqishëm dialogjet lakonike dhe narracioni i gjallë, i rrjedhshëm dhe me shprehësi emocionale, elemente këto që bëjnë këtë prozë të lexohet me pasion. Elementet estetike konstituive të tekstit; narracioni dhe shtrirja kohore e narracionit, gjuha e gjetur figurative dhe shumëdomethënëse, bashkë me koherencën poetike, kodifikojnë karakteristikat e kësaj proze.



Jam aventurier në kërkim të thesarit tim - mendoi përpara se të humbiste në një gjumë të ëmbël”.

Paulo CoelhoPas leximit të romanit “Alkimsti” të shkrimtarit Paulo Coelho, nëse sintetizojmë dimensionet semantike dhe estetike, shohim se kjo referencë është paradigma dhe intenca e kryeheroit letrar të romanit “Alkimisti”, djaloshi nga Andaluzia e Spanjës, Santiago, i cili prish qetësinë e tij prej bariu, i tronditur nga ëndrra dhe niset drejt vendeve të panjohura, ku i është thënë se fshihet për të thesari. Por kjo është edhe intenca estetike-letrare e autorit. Në këtë rrugëtim ndesh njerëz të ndryshëm, përplaset me luftra, kalon shkretëtirën dhe sfidohet me shkëndijat e një dashurie. Me peripeci arrin tek vendi i paracaktuar dhe aty narracioni na kthen në fillim të romanit, sepse mësohet se të kërkosh thesarin nuk është e domosdoshme të ecësh shumë, por ai gjendet aty ku jeton. Pra, heroi i romanit ketë e gjen në kishën e Andaluzisë, në Spanjën e tij, aty ku më parë kishte qenë bari. Ky epilog është paradoks i romanit dhe esenca e dimensionit estetik dhe semantik të kësaj proze interesante, që është shndërruar në njërin ndër romanet më të lexuar të shekullit që lamë pas.


Paulo Coelho, narrator i madh, mjeshtër brilant i krijimit të fabulave interesante, ka një stil magjik të rrëfimit dhe një gjuhe atributive, me përplot simbole e figura retorike nga më të dendurat. Stili i tij i veçantë, lakonik dhe i zhdërvjelltë e vendos ndër autorët më të mëdhenj dhe me të admiruar të letërsisë së shek. XX dhe fillimeve të shek. XXI. Ky shkrimtar brazilian, nëpërmjet romanit “Alkimisti”, arriti të bëhej autor i dashur dhe me lexueshmëri rekorde në shekullin që lamë pas (sipas të dhënave të v. 2005 – mbi 32 mil. kopje të shit. – shën. i s.g.). Proza e Coelhos, përkatësisht romani “Alkimisti” ngërthen në vete aspekte specifike të ligjërimit letrar, aspekte këto që konfigurojnë një tekst shumështresor, me forma e realizime të shumëllojshme poetike. Këtë autori e ndërton përmes gjuhës së alkimisë, dhe trajtave të shumëllojshme stilistike. Aspekti tematik, i zgjeruar në aspektin e diskursit letrar, me futje empirike funksionale, janë karakteristika të prozës së Coelhos në shumë nivele letrare. Në dimensionin tematik, pra të përzgjedhjes dhe shtrirjes narrative të temës, autori referencë letrare, si parabolë dhe model ligjërimor, ka librin e madh biblik, nga i cili futen rrjete tekstesh, si diskurse e kode tematike, që shpërndahen në diskursin narrativ me një intencë semantike, por mbi të gjitha në funksion të ligjërimit dhe përmbushjes së plotnisë artistike të romanit “Alkimisti”. Në të vërtetë ligjërimi biblik mbetet element konstituiv i diskursit dhe i rrëfimit. Dhe, përmes këtij boshti, artikulohen tablo të gjëra e gjithëpërfshirëse të jetës së individit, të cilës autori i jep karakter universal. Kjo mënyrë e të shkruarit, bëhet dramatike dhe emocionale, sepse rrek së trajtuari dukuri komplekse, të cilat ndërlidhen me tema të mëdha për botën dhe njeriun si qenie e saj.

Paulo CoelhoPër të përplotësuar sa më efektshëm intencën letrare, autori zhvillon fabulën me narracionin linear dhe me një teknikë të sofistikuar poetike. Romani ka fabulë të rrjedhshme, e cila realizohet përmes procedimeve letrare mjaft të përpunuara dhe përmes një sistemi artikulues prozaik modern, ku dallohen fuqishëm dialogjet lakonike dhe narracioni i gjallë, i rrjedhshëm dhe me shprehësi emocionale, elemente këto që bëjnë këtë prozë të lexohet me pasion. Elementet estetike konstituive të tekstit: narracioni dhe shtrirja kohore e narracionit, gjuha e gjetur figurative dhe shumëdomethënëse, bashkë me koherencën poetike, kodifikojnë karakteristikat e kësaj proze. Këto elemente poetike-letrare, karakteristikë të theksuar kanë edhe një stil magjik narracioni, me diskurs të fuqishëm në përputhshmëri me gradacionin e romanit, që ecën në drejtim të intencës letrare, që lidhet me kompetentet e kërkimit dhe zbulimit. Kjo formë shkrimi ngërthen në vete një fuqi depërtuese të rrëfimit, ku pulson një potencë poetike e ndërtuar me mjeshtëri letrare, që ka për pikënisje heroin letrar, si bosht rreth së cilës rrëfehet që nga fillimi deri në fund. Përmes simboleve dhe arketipeve letrare, autori konstrukton një prozë me ngarkesa shprehëse e emocionale. Duke depërtuar në botën e brendshme të heroit, të psikologjisë së tij, autori përçon mesazhe e ide universale, ku vlojnë pasione e vrulle nga më të ndryshmet, ndjesime këto që kanë karakter universal ngase në ndjesitë e heroit ndeshim pasionet dhe vrullin më të thellë të qenies njerëzore, ku pikasen fate, dëshira e kërkime nga më të mistershmet, dukuri këto që marrin një ngjyrë të veçantë poetike në romanin “Alkimisti” dhe heroin e saj, djaloshin nga Andaluzia e Spanjës, Santiago.


Paradigma shumështresore narrative

Laboratori krijues i Coelhos ka diçka të veçantë, specifike, jo vetëm natyrën e shkrimit, botën e pasur imagjinatave dhe fiksionin e bujshëm, por edhe brumosjet e dendura estetike. Romani “Alkimsti” shquhet sidomos me gjetjet tematike dhe rrjetin e toposeve të gjerë, të larmishëm dhe universalë, si dhe artikulimit të tekstit përmes një gjuhe të brumosur e me zbukurime stilistike. Mbi të gjitha në këtë prozë, letërsia (dialogu, arti letrar) gjen pasqyrën e vetëidentifikimit. Nëpërmjet diskursit letrar mjeshtëror dhe një figuracioni letrar të zgjedhur, kurdoherë, prozatori me nam kërkon pa kompromis thellësitë e magjisë, aty ku vetëm alkimistët e pajisur me fuqi mbinatyrore depërtojnë, për të realizuar intencën letrare të simetrisë estetike e cila ndërlidhet me një intencë të proklamuar letrare nga autori, që del nga ky pasues: “Vepra quhet e përsosur vetëm atëherë kur qëllimi i saj është i arritur”.

Qëllim letrar, përsosmëria estetike, jo vetëm si intencë autoriale, kapin shtresime të ndryshme kuptimore e letrare në tekst. Me një stil të veçantë narracioni, autori arrin të ndërtojë paradigmën e letërsisë së simboleve, të përtejme, të tejkohëshme, që personifikohen në Alkimistin, i cili njeh magjitë e botes, misteret e paprekshme, pas së cilave ecin vetëm ata që kërkojnë thesarin e parapërcaktuar nga ëndërrimet.


Romani “Alkimisti” ka një mënyrë të veçantë të shtjellimit të fabulës. Kjo formë në dukje të parë paraqitet e thjeshtë, por në esencë ngërthen filozofi të thellë. Në roman ka një konglomerat eksperiencash, të cilat rezultojnë nga aspekte të ndryshme, që njeh kultura letrare e përtej letrare: në narracionin e romanit bashkëdyzohen elemente arkaike e moderne të narrativitetit, mite e interpretime religjioze, për t’u derdhur të “gjitha” në shtratin e fuqishëm narrativ të romanit, që lidhet me kryeheroin e romanit, djalin Santiago.

Paulo CoelhoAutori Paulo Coelho është njohës i mirë i simboleve. Këtë e potencon edhe në parathënien e romanit. Për të sforcuar diskursin simbolik të romanit, me mjeshtri inkorporon simbolin për Mitin e Narcisit, për këtë mit të mirënjohur, pastaj për traditën letrare e filozofike biblike, por, edhe kulturat e ndryshme religjioze, siç është ajo biblike dhe islame. Përmendja e referencës letrare të Oskar Ëajldit për mitin e Narcisit, që ndërlidhet me historinë e djaloshit i cili shkonte përditë të sodiste bukurinë e fytyrës në ujërat e liqenit. Magjepsja pas vetës një ditë e hodhi në ujëra dhe ai vdiq. Por pas vdekjes liqeni thotë: “Unë qava se, sa herë që ai shtrihej buzë bregut arrija të shikoja në sytë e tij bukurinë e ujrave të mia”. Fati i pasqyrës së thyer, si metaforë për shumëkuptimësinë e artit, tingëllon si një signifikacion letrar, i sugjeruar nga autori.

Duke lexuar letërsinë, njerëzit dashurohen e përhumben në thellësitë e saj, por edhe letërsia në njerëzit e sheh fizionominë e vet, peshën e vet të pazëvendësueshme. Është kjo një marrëdhënie mes kuptimeve e ligjërimeve, që ka një ndërvarshmëri të përjetshme. Përveç këtij aspekti, futja e këtij citati, duke shtresuar një aspekt intertekstual të tekstit, implikon po ashtu edhe një esencë letrare: kërkimin e magjisë letrare dhe dashurimin pas artit të shkrimit, përmes një rrjeti të komunikimit universal të shkrimit-kërkimit letrar.


Romani “Alkimisti” është prozë fiksionale. U tha se teksti është ndërtuar përmes simbolesh. Në roman simbolet shenjëzojnë karakter polisemantik. Për të shtresuar konotime metafizike, filozofike dhe religjioze. Autori duke inkorporuar dy komponente letrare: fiksionin, përballë tij vë simbolet letrare, si imazhe e arketipe letrare (Northrep Fraji). Romani duke u konstruktuar përmes simbolesh, tipesh e ariketipesh letrare-kulturore, mbase edhe përmes figurave kryetipore, si pjesë e diskurseve të mëparshme të njohura në kulturën e shkrimit letrar (Northrep Fraji) përmbush kuadrin poetik të narracionit, për të realizuar signifikativitetin e origjinalitetit krijues.

Alkimia dhe shpirti i botës si përceptim për të gjetur metafizikën e identitetit


Alkimia dhe shpirti i botës, që i lëvizin gjërat, është mistikja që i udhëheq njerëzit drejt idealeve sublime, që simbolizohen në gjëra të përtejme, të fisme; mbetet rrjet toposesh që lidhen me boshtin qëndror të temës së alkimisë së kërkimit. Këtë kërkim e bën një djalosh që është bari, ka jetë të qetë në vend të tij, por papritur goditet nga një ëndërr e cila ia trazon botën e brendshme dhe e hedh në rrugët e aventurave. Dhe në këtë rrugë mëson se:“Alkimistët janë njerëz të çuditshëm, që mendojnë vetëm për vete dhe kurrë s’dinë të japin ndimë. Kushedi, mbase kishin zbuluar fshehtësinë e Veprës së Madhe, Gurin Filozofik - i thotë personazhi sporadik që e shoqëron djaloshin gjatë rrugës për te Piramidat”.


Çka është në të vërtetë Alkimia, kjo filozofi që të bën të gjesh magjitë e botës. Ky mister filozofik, ka një interpretim letrar: “Alkimia nuk është tjetër veçse të dish të depërtosh në Shpirtin e Botës dhe të gjesh thesarin që ajo ka caktuar për ty. Kjo referencë komenton, parathotë esencën e një kërkimi, i cili motivohet nga një ëndërr dhe që “arsyeton” në esencë aventurën letrare, që niset nga një bari delesh drejt rrugëve të panjohura, nëpër vende të panjohura, nëpër luftra me rreziqe të njëpasnjëshme, për të realizuar qëllimin që ia parapërcakton ëndrra pas së cilës ai ec, edhepse shpeshherë duket se ecja e tij është fare e kotë. Në dilemën e madhe narrative, autori ndërton një tërësi esencash letrare, që predominojnë rrugën e kërkimit: historia vetjake e sugjeruar mbetet paradigmë e narracionit dhe paradigmë e rrugëtimeve të personazhit, deri në cakun e fundit, ku është i fshehur thesari i cili i është thënë në ëndërr, si sygjerim.

Esencat e tjera letrare që përbëjnë “shenja letrare” mbeten Filozofia e Jetës, Shpirti i Tokës, Shpirti i Botës. Duke sygjeruar se: çdo njeri ka një histori vetjake të veçantë, personazhi hedhet në krahët e një aventure të çuditshme, që i zbulon fshehtësitë e botës, për të gjetur, kërkuar thesarin e lumturisë. Në këtë dimension semantik, Coelho me mjeshtëri e dije të thellë filozofike bredh nëpër shekuj për të ndërtuar heroin e kërkimit të thesarit. Është kjo filozofia që buron nga Historia Vetjake e çdo njeriu, në rrugën e lumturisë, përmes identifikimit të rrugës deri te caku; historia vetjake, ecja pas asaj që thotë zemra, guximi dhe njohja e thellë e metafizikës, mbase edhe aspektet religjioze, janë ato tipare që personazhin e hedhin nëpër furtuna të ndryshme, me një zhvillim përplot dramaticitet, që përjeton ngritje e rënie, por që në fund arrin cakun, edhepse i rrahur keq në fund. Fundi i romanit kthen lexuesin paradoksalisht në fillim. Dhe ky mbetet një ndër misteret e këtij romani. A ka nevojë të kërkohet Thesari i Çmuar në dhera të largëta, ndërsa atë e ke aty ku gjendesh? - duket se pyet autori.


Rrjeti intertekstual i tekstit

Linda Hacion, një ndër përfaqësuesit e kritikes postmoderne, shkruan se: "Vepra letrare nuk mund të konsiderohet origjinale; pra edhe nëse është origjinale, ajo megjithatë nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi për lexuesin e vet. Çdo tekst, kuptimin dhe sinjifikativitetin e merr vetëm si pjesë e diskurseve të mëparshme...”


Romani “Alkimisti” konstruktohet përmes referencave letrare, filozofike e religjioze si paramodel letrar e kulturor, të traditës kristiane dhe hebraike të shkrimit letrar.


Personazhi letrar, Santiago, bari delesh. Kjo implikon dy figura me prejardhje biblike: Jezusin si kryetipin e bariut të mirë (Northrep Fraji) dhe delet që personifikojnë një grigjën e tij.Përkundrazi: Barinjtë kanë qenë të parët që e njohin një mbret për të cilin pjesa tjetër e njerëzimit s’deshi të dijë”. Po ashtu, futja e këtij pasuesi implikon barinjtë, figurë që ndërlidhet edhe me aktin e mirënjohur kur barinjtë shkojnë te Shpella pas lindjes së Jezu Krishtit, shpëtimtarit të botës. Më tej, për të sforcuar këtë soj diskursi letrar autori në roman, një segment me rëndësi narrative ia mvesh figurës së bariut dhe deleve, që në kontekstin letrar sikur implikon (na imponon të parafytyrojmë) Krishtin dhe grigjën e tij. Është kjo teoria e formësuar nga dijetari i letërsisë Northrep Fraji, i cili analizon simbolet, përfytyrimet e arketipeve në rrafshin e lidhjes zhanrore, që ruan teksti në qenësinë e tij me modelet e mëparshme letrare.

Futja e citatit nga shkrimi biblik në fillim të romanit, si trajtë intertekstuale e fillimit të narracionit, ndërlidhet fuqishëm me esencën e tekstit letrar, me atë që konceptohet intencë letrare e statusit të romanit. Dialogu i famshëm i Jezu Krishtit me dy motrat, Martën dhe Marinë në shtëpinë e tyre ku Krishti qëndronte si mysafir, në të cilën Marta ngarend pas punëve, ndërsa Maria ulet te këmbët e Jezusit dhe dëgjon, në mënyrë implicite na zgjedh dilemën e personazhit, që mes jetës baritore dhe ëndrrës (si simbolikë e përtej asaj që i ofron jeta) zgjedh ëndrrën dhe shpërblehet, ngase kësisoj ajo ka zgjedhur pjesën më të çmueshme të jetës, duke ecur pas arsyes së zemrës. Është kjo arsye që nuk “njeh” arsyen. Është kjo një simbolikë konceptuale që inkuadron edhe diskursin biblik si shenjëzues tipologjik të esencës së romanit. Rrjeti intertekstual i tekstit niset qysh në fillim të romanit përmes Ungjillit të Llukës: takimit të Jezu Krishtit me dy motrat, në të cilën Maria zgjedh pjesën më të rëndësishme që nuk do t’i “merret”. Ajo gjeti thesaret magjike të fjalës, duke lënë anash punët e botës konkrete, të cilat i mveshën Martës, e zënë me punë konkrete

Ëndrra si lojë narrative

Paulo CoelhoPo ashtu ëndrra që çuditërisht e shpie në krahët e filozofisë së jetës, shtreson paratregimin për ëndrrën si sistem letrar të letërsisë: ëndrra i parathotë personazhit të udhëtojë nëpër botë, në kërkim të thesarit të botës, i cili fshihet në një vend të largët, në të cilin ky për të shkuar duhet të bëjë një përpjekje, të ec nëpër shkretëtirë. Pas shumë dilemave e trazimeve të brendshme, personazhi nis udhëtimin. Për të shkuar te caku në Egjipt, atij i duhet të kalojë shkretëtirën, të ndeshet me rreziqe te njëpasnjëshme. Futja e shkretëtirës në roman ka status të veçantë letrar, konotacioni i së cilës natyrshëm mund të marrë domethëniet e vështirësive për të shkuar deri tek realizimi i ëndrrës, çfarëdo qoftë ajo. Kështu në një udhëtim të mbushur me përplot sekuenca të veçanta letrare, personazhi ecën në drejtim të Piramidave të Egjiptit, aty ku i është parathënë të është thesari i paracaktuar për të. Gjatë rrugës autori ndeshet me një plak të çmendur, ëndrrën e së cilit vendos ta bëjë realitet. Pas peripecive të shumta, luftrave dhe një dashurie në Shkretëtirë, arrin qëllimin për të parë Piramidat dhe vendin ku ishte Thesari i shumëkërkuar i lumturisë. Por Santiago, vetëm në fund e kupton se të gjesh thesarin e jetës, nuk është e nevojshme të shkosh shumë larg. Ngase gjërat e bukura që formësojnë konceptin e thesarit të lumturisë gjenden në vendin tënd, aty ku jeton.
Dymijë vjet më parë, në një vend shumë të largët që këtej, vërvitet në një pus e pastaj dhe shitet si skllav një burrë që besonte shumë në ëndrra.

Autori me mjeshtri artistike, personazhin, bariun Santiago, e shndërron në hero të përmasave të mëdha letrare duke i dhënë status të alkimistit kërkues, hero aktual i gjitha kohërave. Hero letrar të admiruar dhe prototip i kërkuesit të paepur, identifikim i ecjes pas lumturisë; i njeriut që dëgjon zërin e zemrës, kundrejt zërave tjerë, i njeriut të pathyeshëm në kërkimet jetësore dhe në ideale.


Në procedimin letrar autori inkorporon ëndrrën si një element konstituiv të tekstit, përmes futjes së lojës intertekstuale dhe diskursit letrar përshkrues, që njeh statusin e arkitekstit biblik. Në fakt, futja e ëndrrës si element konstituiv të tekstit letrar dhe ndërlidhja e saj me gjeografinë e lashtë të Egjiptit, fut lojën intertekstuale të ëndrrës së Jozefit biblik të Testamentit të Vjetër, me nuanca të konvertimit të lojës narrative: analogjia duket të jetë e presupozuar. Dhe simbolika e autorit thellohet kur ndërlidh simbolikën e thesarit të çmueshëm, që sjell lumturinë njerëzore. Në këtë lojë letrare, simbolet formësohen përmes një diskursi letrar që njeh paramodelin: interpretimi i ëndrrës nga një plakë, pastaj dy gurët e fatit, takimi me mbretin, rënia në varfëri dhe mbetja në shkretëtirë, janë të gjitha pjesë simbolike të romanit.


Ëndrra, shpjegimi i tyre, rrugëtimi, shkretia, alkimisti: këto në esencë përbëjnë fusha të rëndësishme të proveniencës biblike, ëndrra ndërlidh me ëndrrën e Jozefit, rrugëtimi me rrugëtimin e popullit të Izraelit (popullit të zgjedhur), shkretia simbolizon mëkatet dhe alkimisti, shpëtimtarin që arrin të bëjë triumfin e historisë vetjake.

Elementi i dytë e i rëndësishëm, që endet deri në fund në zhvillimin e romanit, paraqet ëndrra dy herë radhazi për një thesar të fshehur në Egjipt te Piramidat. Ëndërr kjo që pasohet me takimet e djalit me ciganen, e cila i sygjeron të niset në rrugën e kërkimit, me plakun, me mbretin.


Nga ëndrra djali kalon në shoqërinë e lindjes, në të cilën futen ndërlikimet e ”misionit të tij” në rrugën e kërkimit të thesarit të lumturisë.


Kjo lumturi kurdoherë ka qenë objekt veprash letrare. Por autori i madh i shekullit XX dhe XXI depërton në skuta të errëta të psikikës njerëzore, duke i kundruar këto në këndvështrim të një raporti që ndërton relacione: aksi i parë i këtyre relacioneve mbetet empiria e njeriut (në këtë rast e personazhit me shenjëzimin djalosh, por që vetëm në fund të romanit arrijmë ta kuptojmë se ai është Santiago), me kërkesat e fshehura në skutat e çdo krijese për të arritur në gjëra më të larta, më sublime.


Djaloshi është bari. Është i lumtur me jetën me delet e tij. Fillon të dashurohet në njërën nga vajzat e tregtarit. Por papritur sulmohet nga ëndrra, e cila e shporrë tutje botës së tij prej bariut, për të kërkuar diçka më të thellë, që është e ndërlidhur me esencat jetësore, që vijnë nga thellësitë e shekujve, që shpie në aventura të paparashikuara. Kjo formë e narrativitetit si esencë zhvillohet përmes një rruge të gjatë që realizohet në kohë dhe hapësirë.


Pas kësaj, elementi tjetër që paraqet rëndësi në konstruktimin e fabulës së romanit është pengesa në Saharë, inkorporomi i anglezit dhe ballafaqimi me luftrat e fiseve në shkretëtirë, në të cilat ai ndesh pengesat e rrezikshme. Po këtu lind edhe magjia: Alkimisti e vë përpara djaloshin drejt qëllimit final. Ai edhepse dashurohet në Fatimen, nuk arrit të ndal vrullin e zemrës së tij që kërkon thesaret, pa marrë parasysh vështirësitë, sakrificat. Në shkretëtirë, djaloshi kupton shumçka nga bota e njeriut: përjeton trandjet e para të zemrës për të kuptuar dashurinë, këtë dhunti njerëzore, të komunikojë me shpirtin e botës, që identifikohet me dashurinë në rrugën e çudibërjeve të shumta. Është magjike fuqia e dashurisë, ashtu siç është magjike edhe rruga e personazhit për të qenë vetvetja, në vetëidentifikim përmes shenjës letrare të konceptuar me mjeshtri si Histori vetjake. Çdokush ka këtë histori, por ja që çdo kush nuk e arrin.

Kërkimi si semantikë letrare dhe qerthulli i lumturisë estetike drejt identitetit


Romanin “Alkimisti” e karakterizon elementi i kërkimit, i kërkimit përtej konkretes, që ndërlidhet me përsiatje metafizike, kur e kurë etike, filozofike (duke i hibridizuar) edhe religjioze, rrafshe këto që ndërtojnë estetiken e tekstit. Kjo formë e narracionit ec në kërkim të qerthullit të lumturisë, Gurit Filozofik Çudibërës, identitetit e identifikimit, shenja këto që bëhen përmes shenjave dhe sistemit figurativ estetik.


Gjithçka në roman, çdo lëvizje është e përpunuar me mjeshtëri dhe zhvillohet si e këtillë me dramticitet letrar drejtë intencës së fabulës dhe idesë qëndrore: arritjes së qëllimit jetësor dhe kthimit prapë në identitetit. Autori sikur thërret për kërkime, kërkime të pakufishme, por në fund sugjeron tiparin shenjëzues, që djali e gjenë në kujtimet e jetës baritore dhe në kishëzën e vogël ku i ruante delet, para se të shihte ëndrrën dhe të niste aventurën e kërkimit për Qypin e Artë. Në roman, përveç idesë së kërkimit, autori në rrafshin tematik ndërton idenë e mosdorëzimit të njeriut deri në jetësim të qëllimit, pa marrë parasysh sfidat, provokimet në këtë rrugë.

Narracioni i romanit zhvillohet përmes të ashtuquajturit narrator të gjithëdijshëm. Gjithashtu, dialogjet lakonike dhe përshkrimet, realizohen në kuadër të asaj që vepron dhe ndjen personazhi si hero i narrativitetit. Këtë autori e bënë përmes një diskursi në shprehje dhe me një origjinalitet e rrëfimi.


Në dialogun me personazhin Plaku, Santiagos ai i thotë se: Gjëja më e rëndësishme për ty është se ti ke dalë të përmbushësh Historinë Vetjake. Ky luftëtar i dritës ka përmbushur intencën e kërkimit të thesarit dhe ka zbuluar identitetin e tij. Autori kështu sintetizon intencën e tij letrare dhe përmbush fiksionalitetin simbolik të prozës së tij.


Po e përfundojmë këtë tekst me një mendim sintetizues të përkthyesit Nonda Varfi:Letërsia që shkruan Coelho është letërsi fluide dhe vetë Coelho është një autor fluid, i cili frymëzimin e merr nga një vepër madhore, që është Bibla, si parabolë dhe të gjithë romanet kanë në fillim citime nga Bibla. Pra, stili i tij është në dukje një stil biblik, por që mundohet të përcjellë një mesazh parabolik”.

E dua heshtjen
Ndue Ukaj



E dashur... më pyete më shikimin e vrarë në pikën e panjohur: ku derdhet heshtja jonë?
...dhe unë rashë në krahët e heshtjes, si një fëmijë u përkunda derisa sytë e mi panë zjarrin nën duart e ëmbla të heshtjes...
...dhe shikova pikën e paparë nga ti: Atje, e dashur është metafora e poetit ku s'do ta shohësh dot...

Sa lehtë pëshpërite: heshtja është e ëmbël.
Prapë heshtje dhe ti më pëshpërite rishtas,
e dua vetëm heshtjen.
Ajo u plandos dhe unë rashë në krahët e heshtjes,
si një fëmijë u përkunda, derisa sytë e mi
panë zjarrin nën duart e ëmbla të heshtjes.
Si gjithmonë vetëm heshtje. Qielli i vizatuar.
Hënë e shndritshme. Vetëm heshtje dhe ca dënesje
të herëpashershme, lehtësisht...
luhatet si në teh shpate koka ime, mes heshtjes e zhurmës,
kah t'ia mbajë, shpirti im. E sheh si digjet mjekrra ime
në heshtje, e sheh ti, mos ta trazoj heshtjen në adresën e panjohur,
dhe po, në heshtje bredhë në mënyrë rraskapitëse
me gjymtyrët e mia të rënda.
Është kohë e vështirë e dashur, koha
e kujtimeve të pashkruara, asnjëherë të shkruara
shpirti im. Përtej heshtjes,
e dashur shoh një ëmbëlsi, pikërisht
në pikën që ndanë heshtjen dhe zhurmën,
e paprekshme, është e shenjtë dhe delikate.
Sa larg që gjendet! E, para se të përcaktohem për njërën,
më duhet të të pyes, të lutem, sërish në heshtje:
Ta vrasë apo mos ta vrasë heshtjen, e dashur... më thuaj!
Mbi gjakun si lumë të heshtjes, të ecë bashkë me qiellin,
me zhurmën e tingujve të padëgjuar më parë,
me trajtat e poezisë së pashkruar më parë,
me refrenet e këngëve të pakënduara më parë,
me portretet e pikturave të papikturuara më parë.
Më thuaj e dashur, cila ia vlenë!? Ta vras apo mos ta vras heshtjen,
ma thuaj sa më parë.
E, ti e bukur si asnjëherë më parë, më the: Lum' ata
që besojnë në dashurinë,
sepse atyre iu përkasin thesaret e panumërt të tokës;
lum' ata që besojnë në dashurinë,
sepse atyre iu përkasin thesaret e panumërt të qiellit;
lum' ata që gjunjëzohen para dashurisë,
sepse në katër këndet e botës kanë shikimet e shumëfishuara;
pastaj serish më the: lum' ata që besojnë në dashuri,
sepse i përkasin Krijuesit dhe për shtatë ditë krijojnë botën
prej asgjësë.
Lumenjtë kanë një nisje dhe një fund,
derdhën dosido shpirti im në qëllimin e tyre,
e, unë asnjëherë s'e kam analizuar atë qëllim. Më duhet
ta marr një çikë pauzë e dashur,
të shkruaj një monolog, të parëndësishëm ndoshta, për këtë temë,
të lutem t'më kuptosh, duhet të shkëputem nga gjoksi yt epshor
dhe të hidhem në krahët e monologut,
aty më duhet të kërkoj kohën time të pashkruar, është trashur
koha ime aty,
pluhuri si marimangë gërdie ka lëshuar rrjet, rrënjë
të papikturuara, të pakënduara,
të papara në filma tragjedish hulluvudiane,
as nga gjyshi im, as nga stërgjyshi im, as nga prindërit e mi,
e pra, më duhet dosido ta ngjesh e ngjesh mirë këtë temë,
t'i fërkoj me freskinë mëngjesore legjendat e mitet
që janë pështjellur si lesh i pakrehur nën këmbët e mia.
S'ka alternativë shpirti im, më duhet
ta trondit fjalën e qelbur,
do kundërmojë pakëndshëm, helmueshëm... duhet të durosh!
Ose ti flejë e qetë, sërish do kthehem në gjoksin tënd
dhe do prehemi në qetësinë e lumit të dashurisë,
mos harro, ai rrjedh përgjithmonë,
anipse nganjëherë valët e tij ndryshojnë
trajtat, ritmet, përmasat.
Dhe ja ku dolëm, lumenjtë rrjedhin dhe derdhen në një cak,
ky është qëllimi.
Pastaj e trembur prishe heshtjen, pa më dhënë përgjegjën;
cilën ta vras heshtjen apo zhurmën,
- më pyete me shikimin e vrarë
në pikën e panjohur: Ku derdhet heshtja jonë? - më bërtite
në ligjërimin tënd të pazakontë?
Unë s'të thashë asnjë përgjigje, madje asnjë fjalë,
asnjë shikim, madje as përqafim,
asnjë puthje të qetë në dridhjen e parë që pësoi heshtja,
në goditjen e parë që pësoi heshtja.
Dhe shikova pikën e paparë nga ti: Atje,
e dashur është metafora e poetit ku s'do ta shohësh dot,
dhe një gjë ta kesh në mbamendje: Atje nuk shohin sytë e zakonshëm.
Ti, si asnjëherë nuk e ndale kureshtjen
të mësosh pse duhet heshtjen për ta thënë!
Ato që bota s'di t'i kultivojë në regjistra
dokumentesh burokratike,
në fjalime e konferenca të panumërta dhe absurde,
në ligje të panumërta që të pëlcasin kokën,
në teatrin absurd Beketian,
ku dramat antike e moderne janë bërë lëmsh...
Në trajtat më çoroditëse biseduam për procesin, e lidhëm atë me krijimin,
Zotin e paparë dhe shtatë ditët e tij magjike mbi tokë: Ai tha dhe u bë
mësim i përjetshëm: Në fillim ishte fjala,
pastaj Adami, Eva dhe një gjarpër i kuq mes tyre e dashur,
sa e çuditshme, e kupton? Kjo histori që ka një rrënjë rrënqethëse
duhet ta mbajmë mbi supe,
e pra, edhe nën tokën ku shkelim unë e ti
gjarpërinj thatanikë e gjakpirës kanë vërshuar sa të duash,
edhe Eva tradhëtare.
Dhe procesi nuk u ndal, ai ende është proces.
Rrugëve të Parisit apo Pragës një personazh vdiq si një qen,
por të mos harrosh, ai mbeti proces dhe sërish u ngjall, e dashur.
Tash më duhet t'i them 'mjaft më' dialogut tonë të pazakontë,
s'do na kuptojë as heshtja jonë ndoshta, askush,
ta vrasim zhurmën atëherë.
Unë sërish do të kthehem në gjirin tënd, butësisht me prit,
e dashur do të kthehem dhe do përkundem në mallin e madh të heshtjes.
se dilemat e mëdha 'të jesh a të mos jesh', nuk sqarohen me heshtje,
më duhet zhurma, fjalët e lidhura me kuptimet e zorshme,
për veshë të shurdhër e koka të trasha!
Tani po ec pas zhurmës, e dashur.
Bota e çartur vrapon si në një maratonë të pafund.
Ne lojtarët e parëndësishëm, poetët, të dashuruarit e gjithfarshëm,
gjendemi nga parafundi a fundi, aspak s'ka rëndësi,
mos u brengos të lutem, ne jemi në maratonë,
dhe kjo s'është alegori për të pagdhendurit,
mos e pandeh as për humor sarkastik, as tallje.
Është hera e parë që kam frikë, por mos më pandeh për frikacak e dashur,
kam frikë, në palcë e ndjej, ashtu
siç ndjeja butësinë e trupit tënd në heshtje, shpirti im.
Megjithatë duhet të ec,
nuk kam kohë të pres, duhet të ec...
Rrugës ka aq shumë gjarpërinj,
ka mace të çartura (vrapojnë drejtë meje),
fëmijë të lënë rrugëve, e dashur... ka perandorë të vdekjes,
ka diktatorë që jetojnë për të vrarë (o sa shumë ka të tillë shpirti im!).
Po, syresh që shumëzojnë urrejtjet me spermë rrugësh,
ka kurva që kërkojnë të dehem me to në epshe dashurie,
të bëjmë dashuri në mënyrën më të çmendur,
ka para e thesare të shumtë e dashur,
e, më duhet të kaloj mes-përmes tyre si një Alkimist.
Mos u brengos asnjëherë, s'do të dashurohem në shkretëtirë,
as në arabet e çmendura për dashuri,
ke besim, asnjëherë mos dysho në misionin e fjalës;
të ta përkujtoj se Penelopa nuk ka pritur kot,
as Odiseu nuk ka kërkuar kot.
Dhe ja, sërish dolëm tek qëllimi,
pra kemi arsye të ngrehim një dolli e dashur, para se të nisem
krahëhapur drejtë qëllimit,
më duhet të heq të ftohtit, nata po shkon në të sosur,
nesër duhet të kërkojë,
lëkurën e frikës më duhet ta heq, të lakuriqësohem.
Po agon ditë e re,
disa zogj trokasin në dritaret tona me ritmet e tyre mallëngjyese,
mos u përmallo, shpejt do kthehemi në folenë e heshtjes,
tash, sapo të bjerë rrezja e parë e diellit mbi tokë, duhet të nisem
drejtë zhurmës, nëpër shtatë palë kodra e male,
deri në qetësinë absolute të cilën e njeh vetëm misteri i ironisë,
kam shumë rrugë për të bërë në universin e gjatë,
rrugëve me përplot kthesa, rreziqe e tundime!
Ji e vetëdijshme e dashur, ka dreqër me brirë, mjekrra të pakrehura,
të shpallur profetë e antikrishtë, zotëra e zotërinj padronë,
të atillë që na përbejnë në Zot e Tokë,
mos u merakos, kam për mburojë metaforat,
për armë kam ndjenjat, për misionin fjalën,
për fe dashurinë, për kurajo poezinë...
Tash do përqafohemi fort,
rrezja e parë ra mbi tokë dhe mbi këtë varg,
më duhet të them fund por jo lamtumirë!
Do nisem tani...