Përleshëm
Nganjëherë i kafshoj dhëmbët furishëm
I kafshoj fort gjuha më përleshet me dhëmbë,
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,
Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhën,
Engjëllushka ime, Jo pse dua, nganjëherë
Çuditem edhe me veten si i kafshoj ëndrrat,
Hahem me to deri në përgjakje
I kafshoj dhe përleshëm me realitetin,
Nëpër net me ëndrra vjeshtore
Dhe pranvera me buzëqeshje dashurore
Hamendja për fitore mbyt trishtimin
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,
Të zeza si futa, netët e paperënduara,
Krejt përgjakëm nganjëherë,
Me dhëmbët e mi të rëndë- të rëndë,
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,
Nganjëherë botën e zë gjumi 'mes të ditës,
Dhe aty përulet miti i fuqisë së qëndresës
Trulloset bota krejt e humbur përkundet,
Harron përuljen e gjurit nganjëherë bota
Bije në gjumë nëpër ninulla ledhatuese
Papritur tretet nga thartira që të qetë zorrët
Tëhuajsohet mendja dhe humb imazhin në pasqyrë
Pema Jetës zë rrugën në mëngjesin me vese diellore
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë
Thirrje
Muzë, mos fli hape sythin
Dhe më huazo zërin e kangës
Përkulem para teje
Digjem e flakë s’jam
Muzë, në fillim ishte fjala
Dhe fjala ishte gjithçka
Tanimë s’mbet gjë tjetër
Përpos fjala e dashuria
Më dëfto kufirin e jetës dhe vdekjes
Dhe mbretërinë poezisë
Në qytetin tim më kufij e mure
Më dëfto mbretërinë prej urate
Dhe më mëso të bëhem dishepull i fjalës
I muzikës së shpirtit të dëlirë
Që vallëzon kurrë pa ndal
Më dëfto shumë
Se historia është nyje në këmbë
E shkruar dhe e rishkruar
Nëpërmjet gishtave të dridhur
Për të prodhuar mite
Dhe një kodër rrenash
E pra Muzë, këndo me mua
Dhe dashurinë që vlon
Në metamorfozën e kohës
Më dëfto Zoti im se
Dielli lind për të mirët dhe të këqijtë
Gjuha e zjarrtë shndërrohen në hije
Dhe shikimi im në horizontin e pritjes
Tek rikthen mendjen në ditën e djeshme
Dhe kundron strukturën e kohës
Në pikën e së nesërmen
Poetët vetmitar
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së qiellit thithte diellin
Kishte mbështjell kokën me ëndrra
Që t’mos i harliseshin vargjet
Dje takova poetin e dashurisë së madhe
Rrugës së pyllit me ngjyra të panjohura
Kishte lidh kokën me sytë e erosit
Që t’mos i çorodiseshin vargjet
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së pluhurosur lëpinte gjurmët e tij
Kishte lidh me histori kokën
Që t’i fashiste rrenat si koka prej gjarpri
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së vetmisë së metaforave
Kishte dal i lakuriqësuar
Të dehej në sytë e tij bota
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Me matematikën e zemrës
Zgjidhte të panjohurat e bëra lëmsh.
Gjyqi pwr vjershën time
Kështjella e drejtësisë s’mund të përmbyset
Me një të fryrë nga zgafellja e gojës
Edhe nëse Jozefi K vdiq si qen rrugëve të Parisit a Pragës
Procesi s’ u mbyll e ai mbetet proces
Të premtet e mëdha s’ kuptohen pa të dielën e madhe.
Ç’ faj ka poezia që e sulmon
Imunitetin s’mund t’ia marrësh as kur lakuriqësohet
Mjekrën time të pakrehur kurrë,
Të rritur zjarreve përcëlluese
Mbuluar me merimanga gërdie
Edhe po deshe s’mund ta puthësh kurrë
Dhe beso, kjo poezi vlon për dashuri
Është e lakuriqësuar se i është falur kjo dhunti
Po deshe vraje, në varr mund ta vësh
Strukturën e mendimeve s’mund t’ia prekësh
Poezia është e panjollë mos e sulmo
Barbar, po deshe vraje
Do pjell gjarpinj, që sytë të t’i helmojnë
Macet e çartura vrapojnë gjoksit trishtueshëm
Po deshe vraje ajo kurrë s’vdes
Edhe nga varri shpirtin e trazon.
Hija e korbave
Në ishullin e pritjes vetmia e thartë
Dhe struktura e deformuar e seksit
Në lumin e kohës ecte zvarrë, Grua
Nuk e njoha Homerin as verbimin e tij
Me hapa të Akilit masë kohën prapa
Dhe kilometrat deri matanë Itakës
Sythi yt kaltrosh përhumbet në lakuriqësinë
E natës së zezë ku tëhuajsohet mendja
Akti i çoroditur i shpirtit hije
Në të qarën e seksit tënd rrjedhin pikat
E dushit të ftohtë në ishullin e vetmisë
Drama e pashkruar në teatrin e gërmadhave
Dhe puthja e akullt që dogji sythin e përlotur
Një korb vështroj shikimin tim prej të dashuruari
Ditën me mendime të hallakatura
Dhe miti reflektoj fragmentin
E artit të shkruar nën hije korbash
Sytë nuk janë dritare prej motesh
As dyer të largimit nga trishtimi.
Dramë
Shalli i zi në qafën e rënduar
Dhe një shikim i përvujtshem
Treten ngjyrat e shndritshme
Dhe rekuizitat e zaza na marrin sytë
Një gomar pallë sa të shurdhon veshët
Dhe hijet e korbave mistershëm
Kafshojnë fjalët e aktorëve të rraskapitur
Një puthje prej Jude
E deh aktoren me emrin Çudira
Zhvesh brekët me duhmë shurre
Dhe i hedh në publik e llastuar
Akti i parë pa orgazëm
Loja zgjati disa minuta
Dhe akti i dytë i kredhur në soditje
Një gomar defilon në skenë për të satën herë
Dy korba i bëjnë hije prej uji
Aktori i turpshëm refuzon të lakuriqësohet në skenë
Perceptimi për dramën mi gërryejnë sytë
Godo nuk priti sa unë
Dramë...!